Izraeli përgjigjet ndaj Iranit, godet një bazë ushtarake në Isfahan! Zyrtari iranian: S'kemi plan për hakmarrje të menjëhershme

Izraeli nisi një sulm ndaj Iranit në shenjë hakmarrjeje orët e para të mëngjesit të 19 prillit, një veprim që kërcënon të përshkallëzojë më tej konfliktin rajonin e Lindjes së Mesme. Izraeli kishte paralajmëruar se do t’i kundërpërgjigjet Iranit, pas sulmit me mbi 300 dronë e raketa.

Mediat raportojnë se ka pasur shpërthime në Isfahan, pranë një baze ushtarake. Zyrtarët amerikanë u thanë mediave se ishte sulm raketor. Autoritetet iraniane thonë se kanë rrëzuar të tre dronët e nisur nga Izraeli, duke hedhur poshtë raportimet për sulm raketor. 

Izraeli i kishte thënë SHBA-së të enjten se do të hakmerrej kundër Iranit në ditët në vijim, tha një zyrtar i lartë amerikan për CNN. Zyrtari thekson se SHBA nuk e kishte miratuar kundërsulmin dhe se nuk është përfshirë në operacion. 

"Ne nuk e miratuam përgjigjen," tha zyrtari për CNN.

Një zyrtar i lartë iranian i tha agjencisë së lajmeve Reuters se "Irani nuk ka plan për hakmarrje të menjëhershme kundër Izraelit". Ushtria izraelite dhe Pentagoni nuk kanë komentuar për sulmin.

Menjëherë pas sulmit, Teherani aktivizoi sistemin e mbrojtjes ajrore, ndërsa tha se centralet bërthamore janë të sigurta. Deri më tani nuk raportohet për viktima apo dëme, citojnë mediat shtetërore iraniane një gjeneral ushtrie.

Për shkak të sulmit u pezulluan fluturimet në disa aeroporte, ndërsa tashmë gjendja është kthyer në normalitet. Fluturimet kanë nisur edhe në aeroportin kryesor të Teheranit, Imam Khomeini. Ushtria izraelite nuk ka komentuar për sulmin.

Irani ka qenë në gatishmëri të lartë pasi Izraeli tha se do t'i përgjigjej. Teherani lëshoi ​​më shumë se 300 raketa e dronë në Izrael mesnatën mes 13 dhe 14 prillit, si hakmarrje ndaj sulmit në konsullatën e tij në Damask të Siri, më 1 prill.

Aleatët perëndimorë të Izraelit gjatë gjithë javës, veçanërisht SHBA-ja dhe Britania, i kanë kërkuar qeverisë izraelite që të mos kryejë një përgjigje të rëndë ndaj sulmit raketor iranian.

Ndiqni lajmet në zhvillim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:39
G7: Të ndalojë menjëherë lufta në Gaza e të lirohen pengjet

 

"Ne bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të pengjeve dhe një armëpushim të qëndrueshëm që lejon një rritje të ndihmës humanitare të nevojshme urgjentisht për t'u ofruar në mënyrë të sigurtë në të gjithë Gazën."

Kështu shkruhet në deklaratën e përbashkët të vendeve të G7.

“Në këtë kontekst, ne mbështesim fuqimisht përpjekjet ndërmjetësuese të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe partnerët rajonalë drejt qëllimit, të respektuar nga të gjitha palët, për të sjellë një ndërprerje të qëndrueshme të armiqësive, për të lehtësuar kthimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve, të ndihmës dhe për zbatimin urgjent të Rezolutës 2712, 2720 dhe 2728 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Refuzimi i Hamasit për të liruar pengjet vetëm sa zgjat konfliktin dhe vuajtjet e civilëve",-thuhet ndër të tjera në deklaratë. 

Ora 15:29
BE sanksione radikalëve izraelitë për aktet e dhunës kundër palestinezëve! Të sanksionuarit s’do hyjnë në BE dhe do t’u bllokohen llogaritë

1713533443_257892.jpg

Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione ndaj kolonëve radikalë izraelitë në Bregun Perëndimor për herë të pare për akte dhune kundër palestinezëve.

Sanksionet synojnë individë dhe organizata përgjegjëse për dhunën kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor.

Ata që i nënshtrohen sanksioneve nuk do të jenë më në gjendje të hyjnë në BE ose të bëjnë biznes me qytetarët e BE-së dhe çdo pasuri ose llogari që ata kanë në BE do të bllokohet.

Masat u vendosën nën një regjim sanksionesh të BE-së, i krijuar për të ndëshkuar abuzimet me të drejtat e njeriut.

Ora 14:33
Sulmi Izraelit ndaj Iranit, Blinken refuzon të përgjigjet nëse SHBA kishte dijeni: Ne nuk ishim të përfshirë

Liderët e G7 u mblodhën sërish në një takim në Itali, ku diskutuan mbi situatën në Lindjen e Mesme. Pas takimit sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dha një konferencë për mediat, ku sërish dënoi sulmin e Iranit ndaj Izraelit.

Blinken tha se SHBA është e përkushtuar ndaj sigurisë së Izraelit dhe de-përshkallëzimit të konfliktit më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Blinken thotë se G7 është gjithashtu e përkushtuar për të kërkuar llogari nga Irani, duke vënë në dukje se qeveria amerikane njoftoi dje më shumë sanksione ndaj Teheranit.

“G7 do të miratojë më shumë sanksione në ditët në vijim”, shton kryediplomati amerikan.

Blinken refuzoi që t’i përgjigje pyetjes nëse SHBA ishte e informuar për sulmin e Izraelit këtë mëngjes ndaj Iranit. Blinken nuk tha gjë tjetër veçse theksoi se SHBA nuk ishte e përfshirë në sulm. Ai tha se SHBA dhe G7 kanë qenë të fokusuar në punën për të de-përshkallëzuar tensionet dhe "çdo konflikt të mundshëm".

"Gjithçka që mund të them është se nga ana jonë dhe për të gjithë G7, fokusi ynë ka qenë në de-përshkallëzimi dhe shmangia e një konflikti më të madh. Në fakt kjo ka qenë e vërtetë që nga dita e parë dhe ngjarjet e tmerrshme të 7 tetorit. Qasja jonë ka qenë të parandalojmë përhapjen e konfliktit për të shmangur përshkallëzimin kudo. Ato përpjekje do të vazhdojnë," shton Blinken.

Ora 13:09
Wall Street Journal: SHBA po vlerëson mundësinë për të furnizuar sërish me armë për Izraelin

1713524979_ar.JPG

Foto: Presidenti Biden

Administrata Biden po shqyrton mundësinë e një furnizimi të ri me armë në vlerë mbi një miliard për Izraelin. Këtë e raportoi Wall Street Journal, duke cituar burime amerikane.

Furnizimi, i cili do të përfshinte municion për tanke, mortaja dhe automjete ushtarake, do t'i shtohej atij që po shqyrtohet tashmë nga Kongresi dhe, sipas WSJ, do të ishte ndër më të mëdhenjtë që I është dhënë Izraelit që nga fillimi i konfliktit nga Hamasi tetorin e kaluar.

Ora 09:39
Sulmi izraelit, Irani: Nuk kemi plan për hakmarrje të menjëhershme

1713503366_sulm.jpg

Një zyrtar i lartë iranian i tha agjencisë së lajmeve Reuters se "Irani nuk ka plan për hakmarrje të menjëhershme kundër Izraelit", disa orë pas një sulmi në qytetin iranian të Isfahanit, që raportohet se është kryer nga Izraeli.

Dy zyrtarë amerikanë i thanë mediave se sulmi erdhi nga Izraeli, por Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë deri më tani.

"Burimi i incidentit nuk është konfirmuar. Ne nuk kemi marrë asnjë sulm të jashtëm dhe diskutimi anon më shumë drejt infiltrimit sesa sulmit," tha zyrtari iranian në kushte anonimiteti.

Një analist iranian i tha televizionit shtetëror iranian se "mini dronët e rrëzuar nga mbrojtja ajrore në Isfahan u fluturuan nga infiltruar nga brenda Iranit", duke minimizuar raportet se Izraeli kishte kryer sulmin.

Ora 09:34
Sulmi izraelit, VIDEO e shpërthimeve pranë bazës ushtarake në Iran

Në përgjigje të lëshimit të qindra raketave dhe dronëve kundër territorit të tij, Izraeli nisi sulmin e paralajmëruar kundër Iranit. Këto janë imazhet që po qarkullojnë në rrjet nga shpërthimi pranë bazës ushtarake të Isfahanit.

Media shtetërore iraniane tha se mbrojtja ajrore e vendit rrëzoi tre drone mbi Ifsahan.

Ndërkohë zyrtarët amerikanë thonë se ishte sulm raketor.

Ora 08:54
Tv shtetëror iranian: Sulmi u pilotua nga të infiltruar brenda vendit

Analistët e televizionit shtetëror Iranian shprehen se sulmi izraelit ndaj me dronë ndaj Iranit u pilotua nga të infiltruar brenda vendit.

Izraeli goditi mëngjesin e sotëm rreth orës 04:30 me orën iraniane, në shenjë hakmarrjeje për atë çka ndodhi fundjavën e shkuar.

Sulmi ndodhi në afërsi të Isfahanit, ndërsa nuk bëhet fjalë për viktima.

Ora 08:02
Sulmi izraelit, Irani: Fluturimet kanë rifilluar në të gjithë aeroportet

Irani kishte pezulluar fluturimet në disa aeroporte pas sulmit izraelit. Sapo lajmet u bënë publike, fluturimet filluan të devijoheshin. Flydubai u tha gjithashtu disa mediave se do të anulonte të gjitha fluturimet për në Iran të premten dhe se një fluturim nga Dubai në Teheran ishte kthyer.

Irani njofton se ndërprerja ka mbaruar dhe se fluturimet i janë kthyer normalitetit. Agjencia shtetërore e lajmeve IRNA raportoi se fluturimet kanë rifilluar në aeroportin ndërkombëtar Imam Khomeini të Teheranit.

Ndërkohë, organizata e aviacionit civil të Iranit tha se kufizimet e vendosura më parë në disa aeroporte të tjera janë hequr. Më herët, televizioni shtetëror Mehr tha se aeroportet në Teheran, Isfahan, Shiraz dhe në të gjithë vendet perëndimore, veriperëndimore dhe jugperëndimore të vendit ishin prekur të gjithë.

Ora 07:55
Sulmoi Iranin, mediat amerikane: Izraeli e paralajmëroi Uashingtonin

1712413148_rhteyjrtyjrtjrt.JPG

Izraeli ka lajmëruar të enjten SHBA0në se do të sulminte Iranin, si një hakmarrje për sulmin iranian me mbi 300 raketa e dronë. Kështu thonë mediat amerikane CNN dhe NBC, sipas të cilave ata nuk e kanë miratuar sulmin dhe se SHBA nuk është përfshirë në operacion.

"Ne nuk e miratuam përgjigjen," tha një zyrtar amerikan për SHBA.

Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni nuk kanë dhënë ende ndonjë koment mbi sulmin e raportuar.

Irani ka hedhur poshtë raportet për një sulm raketor, me një zyrtar duke thënë se "lajmet e mediave amerikane nuk janë të vërteta".

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

E rëndë në Tiranë, 57-vjeçari i dehur bie në gropën e ashensorit dhe humb jetën

E rëndë në Tiranë, 57-vjeçari i dehur bie në gropën e ashensorit dhe humb jetën