Irani sulmon me mbi 300 dronë e raketa Izraelin! Kabineti izraelit i luftës: Nuk kundërpërgjigjemi tani! Udhëheqësi iranian: Jerusalemi do t'i përkasë myslimanëve

Tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur pasi Irani ndërmori natën mes 13 dhe 14 prillit 2024, një sulm të paprecedentë me mbi 300 raketa balistike, lundruese dhe dronë kamikazë drejt Izraelit si hakmarrje ndaj sulmit në konsullatën e tij në Damask të Siri, më 1 prill.

Forcat izraelite në bashkëpunimin me aleatët e SHBA-në arritën të zmbrapsin 99% e sulmit, duke rrëzuar “shumicën dërrmuese” deklaroi Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, kundëradmirali Daniel Hagari. 

Kryeministri Izraelit Benjamin Netanyahu mblodhi kabinetin e luftës, por pas disa orëve takimi u mbyll pa një vendim se si t'i përgjigjet sulmeve të Iranit.

“Ne jemi të vendosur të përgjigjemi, por as momenti dhe as objektivi nuk është vendosur ende”, tha një zëdhënës.

I pyetur nëse do të këtë një përgjigje ndaj Iranit, zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari tha se “për momentin nuk kanë ndërmend të zgjerojmë operacionet ushtarake."

"Jerusalemi do të jetë në duart e muslimanëve dhe bota myslimane do të festojë çlirimin e Palestinës”. Kështu ka shkruar udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei në hebraisht në rrjetet sociale.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden bën thirrje për qetësi duke theksuar se s'do mbështesin një kundërsulm të Izraelit ndaj Iranit.

“Ne nuk kërkojmë konflikt me Iranin, por nuk do të hezitojmë të veprojmë për të mbrojtur forcat tona dhe për të mbështetur mbrojtjen e Izraelit”, deklaroi Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.

Liderët e G7 u mblodhën në një takim ku dënuan sulmin ndaj Izraelit, ndërsa u dakordësua se duhet punuar për të stabilizuar situatën në Lindjen e Mesme.

"Në këtë frymë, ne kërkojmë që Irani dhe përfaqësuesit e tij të ndërpresin sulmet e tyre dhe ne jemi të gatshëm të marrim masa të mëtejshme tani dhe në përgjigje të nismave të mëtejshme destabilizuese," thuhet në deklaratën e G7.

Sulmi u dënua edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, por ai pati kritika edhe për izraelin duke i kujtuar sulmin ndaj konsullatës iraniane në Damask.

Ndërkohë Teherani ka paralajmëruar se përgjigjja do të jetë e fortë nëse Izraeli kundërpërgjigjet, ndërsa një pralajmërim pati edhe për SHBA. Sardar Bagheri, shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit, tha se Irani i dërgoi një mesazh SHBA-së përmes ambasadës zvicerane duke paralajmëruar Uashingtonin nëse bashkëpunon me Izraelin në veprimet e tyre të ardhshme atëherë bazat amerikane "nuk do të kenë asnjë siguri". Kjo është hera e parë që Teherani e sulmon drejtpërdrejt Izraelin.

Ndiqni më poshtë lajmet të renditura sipas zhvillimeve

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:35
Mblidhet Këshilli i Sigurimit të OKB-së! Guterres dënon sulmin e Iranit, por kritikon Izraelin

Pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit është mbledhur Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Mbledhja vjen pas kërkesës së Izraelit, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres dënoi sulmin iranian.

Guterres përsëriti "dënimin e tij për përshkallëzimit serioz nga sulmi i Iranit ndaj Izraelit", duke u kujtuar të gjitha vendeve anëtare se Karta e OKB-së ndalon përdorimin e forcës kundër integritetit territorial ose pavarësisë politike të çdo shteti. “

“Vlen gjithashtu parimi i paprekshmërisë së zyrave diplomatike dhe konsullore dhe personeli duhet të respektohet”, shtoi ai, duke kujtuar “dënimin” e sulmit izraelit më 1 prill ndaj konsullatës iraniane në Damask.

Ora 22:31
Sulmi ndaj Izraelit, Lavrov telefonatë me ministrin e Jashtëm të Iranit: Provokimet mund të çojnë në përshkallëzim

1705322609_rusi.PNG

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij iranian Hossein Amir Abdollahian. Këtë e bëri të ditur Ministria e Jashtme ruse.

Në deklaratë thuhet se dy ministrat nënvizuan se veprimet e reja të rrezikshme, provokuese mund të çojnë në përshkallëzim të tensioneve në Lindjen e Mesme.

Ora 22:28
Ushtria izraelite njofton se ka rrëzuar një objektiv të dyshimtë ajror në jug të vendit

1713039464_izrael.jpg

Foto nga sulmi iranian

Ushtria izraelite tha se forcat ajrore dhe detare izraelite identifikuan dhe neutralizuan një objektiv të dyshimtë ajror që kaloi Detin e Kuq në hapësirën ajrore izraelite në jug, afër Eilat. Objekti u monitorua nga forcat dhe nuk përbënte kërcënim. Sipas protokollit nuk është rënë asnjë sirenë. Në të njëjtën kohë nuk raportohet për të lënduar dhe nuk janë shkaktuar dëme.

Ora 22:22
Udhëheqësi suprem i Iranit: Jerusalemi do t'u përkasë muslimanëve

Jerusalemi do të jetë në duart e muslimanëve dhe bota myslimane do të festojë çlirimin e Palestinës”. Kështu ka shkruar udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei në hebraisht në rrjetet sociale.

 

Ora 20:53
VIDEO/ Momenti kur Izraeli rrëzon dronët dhe raketat iraniane

Irani sulmoi me mbi 300 dronë dhe raketa Izraelin. Ushtria izraelite, e mbështetur nga SHBA dhe aleatët e saj, arriti të zmbrapste 99% të sulmeve, thua ushtria izraelite.

Në këtë video të ndarë nga forcat e ushtrisë izraelite shihet momenti kur Izraeli rrëzon dronët dhe raketat iraniane.

Në pamje shihet se si sistemi i mbrojtjes ajrore 'përgjon' dhe më pas rrëzon dronët dhe raketat iraniane.

Ora 20:36
Sulmi me 300 dronë e raketa i Iranit ndaj Izraelit, mbledhja e G7 dhe a do përgjigjet ushtria izraelite! Çfarë dimë deri më tani

-Izraeli u sulmua nga një valë dronësh dhe raketash në sulmet e para të drejtpërdrejta të Iranit në territorin e tij.

-Sulmi përfshiu më shumë se 300 dronë dhe raketa, shumica dërrmuese u zmbrapsën, tha ushtria izraelite.

-Një raketë balistike goditi bazën ajrore Nevatim në jug të vendit, duke shkaktuar dëme të vogla, thanë zyrtarët izraelitë.

-Irani tha se sulmi ishte një përgjigje ndaj një sulmi vdekjeprurës në konsullatën e tyre në Damask të Siri, më 1 prill.

-Teherani paralajmëroi gjithashtu nëse Izraeli hakmerret, përgjigja e tij e ardhshme do të ishte më e madhe.

-Kryeministri Benjamin Netanyahu mblodhi kabinetin e luftës për të diskutuar sulmin, i cili u dënua nga liderët globalë duke përfshirë presidentin e SHBA Joe Biden, kryeministrin britanik Rishi Sunak dhe Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së.

-Ushtria izraelite tha se “për momentin Izraeli nuk ka ndërmend të zgjerojë operacionet ushtarake."

-Presidenti i SHBA ka organizuar një takim online të liderëve të G7, ndërsa Shtëpia e Bardhë ka këmbëngulur se nuk dëshiron të shohë përshkallëzimin e krizës në Lindjen e Mesme.

Ora 20:17
Do i përgjigjeni sulmit të Iranit? Ushtria izraelite: Për momentin nuk do të zgjerojmë operacionet ushtarake

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari

"Për momentin ne nuk kemi ndërmend të zgjerojmë operacionet tona ushtarake." Zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari e tha këtë duke iu përgjigjur në një konferencë për shtyp një pyetje nëse Izraeli do reagonte apo jo ndaj sulmit të Iranit.

"Ne jemi gati, po monitorojmë të gjitha teatrot në rajon dhe po vlerësojmë çdo skenar, por për momentin nuk kemi ndërmend të zgjerojmë operacionet tona ushtarake.”

“Roli ynë është të mbrojmë izraelitët," shpjegoi zëdhënësi i ushtrisë.

"Ne mbetemi në gatishmëri, kemi miratuar plane sulmuese dhe mbrojtëse, ne do të vazhdojmë të mbrojmë shtetin e Izraelit dhe të ndërtojmë një të ardhme më të qëndrueshme për rajonin. Irani nuk është vetëm një kërcënim për Izraelin, por për të gjithë rajonin," shtoi Hagari.

Ora 19:37
Kryeministri izraelit mbledh kabinetin e luftës: Për momentin nuk ka përgjigje ndaj Iranit

1713027234_netanyahu.jpg

Pas sulmit me 300 dronë e raketa të Iranit, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mblodhi kabinetin e luftës në selinë ushtarake Kirya në Tel Aviv. 

Kabineti i luftës i Izraelit u mbyll pas orëve të tëra takimi pa një vendim se si t'i përgjigjet sulmeve të Iranit.

Ne jemi të vendosur të përgjigjemi - tha një zëdhënës - por as momenti dhe as objektivi nuk është vendosur ende.

Forcave të armatosura iu kërkua të vlerësonin hipoteza të tjera për reagimin.

Ministri i këtij kabineti Beni Gantz paralajmëroi se Izraeli do të kërkojë një çmim nga Irani në mënyrën dhe kohën e duhur. Irani “takoi fuqinë e sistemit izraelit të sigurisë”, tha Gantz, duke iu referuar dëmit minimal të shkaktuar nga sulmi që përfshin qindra predha.

Ora 19:03
Mblidhen liderët e G7: Irani të ndalë ndal sulmet ndaj Izraelit, rrezikon të provokojë një përshkallëzim të pakontrollueshëm

Liderët e G7 dënuan sulmin e Iranit ndaj Izraelit dhe riafirmuan mbështetjen e plotë për Tel Aviv. Pasi Irani sulmoi me mbi 300 dronë e raketa Izraelin, presidenti i SHBA Joe Biden thirri në një takim liderët e G7, mbledhje online që u kryesua nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni. 

Në takim u dakordësua se duhet punuar për të stabilizuar situatën në Lindjen e Mesme. Liderët e G7 dënuan "sulmin e drejtpërdrejtë dhe të paprecedentë të Iranit kundër Izraelit pa mëdyshje në termat më të fortë".

"Me veprimin e tij, Irani ka hedhur një hap tjetër drejt destabilizimit të rajonit dhe rrezikon të provokojë një përshkallëzim të pakontrollueshëm në rajon. Kjo duhet të shmanget. Ne do të vazhdojmë të punojmë për të stabilizuar situatën dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm

“Në këtë frymë, ne i bëjmë thirrje Iranit dhe grupeve të lidhura me të që të ndërpresin sulmet e tyre dhe të jenë të gatshëm të marrin masa të mëtejshme tani dhe në përgjigje të nismave të tjera destabilizuese”, thuhet në deklaratën e liderëve.

Deklarata shpreh gjithashtu "solidaritet dhe mbështetje të plotë për Izraelin dhe popullin e tij dhe rikonfirmon angazhimin tonë për sigurinë e tyre".

"Ne gjithashtu do të forcojmë bashkëpunimin tonë për t'i dhënë fund krizës në Gaza - shtojnë liderët e G7 - ndërsa gjithashtu do të vazhdojmë të punojmë për një armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm dhe lirimin e pengjeve nga Hamasi dhe dhënien e ndihmës më të madhe humanitare për palestinezët që e gjejnë veten në gjendje nevoje”.

Ata thanë se kombet e tyre "janë të gatshme të marrin masa të mëtejshme tani dhe në përgjigje të nismave të mëtejshme destabilizuese. Në përfundim, presidenti amerikan Joe Biden tha se takimi i G7 kishte për qëllim të koordinonte një përgjigje të bashkuar diplomatike ndaj sulmit të Iranit.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel tha se dënuan njëzëri sulmin ndaj Izraelit.

Me liderët e G7 , ne dënuam njëzëri sulmin e paprecedentë të Iranit kundër Izraelit. Të gjitha palët duhet të ushtrojnë përmbajtje. Ne do të vazhdojmë të gjitha përpjekjet tona për të punuar drejt de-përshkallëzimit. Përfundimi i krizës në Gaza sa më shpejt që të jetë e mundur, veçanërisht përmes një armëpushimi të menjëhershëm, do të bëjë një ndryshim. Situata në Lindjen e Mesme, duke përfshirë Libanin, do të diskutohet në Këshillin Evropian javën e ardhshme.

G7 përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia. Marrin pjesë edhe përfaqësues nga Bashkimi Evropian. G7 u themelua pas embargos së naftës të OPEC në vitin 1973 si një forum për vendet më të pasura për të diskutuar krizat që prekin ekonominë botërore. Vendet e saj kanë një GDP të kombinuar vjetore prej 40 trilionë dollarësh, ose pak më pak se gjysma e ekonomisë globale.

Ora 18:47
Hezbollahu përgëzon Iranin: Sulm me cilësi të lartë

Hezbollahu e përgëzoi Iranin për sulmin ndaj Iranit, duke e cilësuar si një sulm me cilësi të lartë dhe një vendim ky i guximshëm dhe i mençur për t'iu përgjigjur sulmit të Damaskut.

"Irani ushtroi të drejtën e tij natyrore dhe ligjore, pavarësisht kërcënimeve, frikësimit dhe presionit, dhe zbatoi me guxim premtimin e tij të vërtetë," tha Hezbollah, duke pohuar se "operacioni arriti objektivat e tij ushtarakë të përcaktuar mirë, pavarësisht pjesëmarrjes së Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj. Objektivat afatgjata politike dhe strategjike të këtij zhvillimi madhor do të shfaqen me kalimin e kohës”.

Ora 17:04
Sulmi ndaj Izraelit, Turqia-Iranit: Jo përshkallëzim të ri në Lindjen e Mesme

Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan

Gjatë një bisede telefonike me homologun e tij iranian, Hossein Amir-Abdollahian, ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, tha se Ankaraja nuk dëshiron përshkallëzim të mëtejshëm në Lindjen e Mesme pas sulmit të Teheranit ndaj Izraelit.

Lajmin e bën të ditur Anadolu, duke cituar burime diplomatike. Abdollahian, nga ana e tij, konfirmoi se, për Iranin, operacioni hakmarrës ka përfunduar dhe një i ri nuk do të ndërmerret përveç në rast të një sulmi kundër Republikës Islamike. Në atë rast, paralajmëroi ai, përgjigja e Teheranit do të jetë "më e fortë".

Ora 16:45
Sulmi i Iranit ndaj Izraelit, Borrell thirrje për një takim 'të jashtëzakonshëm' me ministrat e jashtëm të BE

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka bërë thirrje për një takim "të jashtëzakonshëm" me ministrat e punëve të jashtme të BE-së.

Takimi i cili do të mbahet ditën e martë (16 prill) do të zhvillohet për të diskutuar sulmet e Iranit ndaj Izraelit.

“Objektivi ynë është të kontribuojmë në de-përshkallëzimin dhe sigurinë e rajonit”, thotë Borrell në një postim në platformën X.

Ora 16:34
SHBA: Nuk duam përshkallëzim në Lindjen e Mesme

1713105331_264693.jpg

John Kirby

Presidenti amerikan Joe Biden nuk beson se sulmi i Iranit ndaj Izraelit duhet të përshkallëzohet në një luftë më të gjerë, sipas Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Duke folur në ABC's Meet the Pressprogrami, John Kirby, zëdhënësi i këshillit, u pyet nëse ka të ngjarë të ketë një përshkallëzim të mëtejshëm.

“Presidenti nuk beson se situata duhet të lëvizë në atë drejtim”,- tha Kirby, duke shtuar se Biden po punonte në "anën diplomatike" duke thirrur një takim të G7.

“Ajo që Izraeli demonstroi mbrëmë ishte një aftësi e jashtëzakonshme për të mbrojtur veten, etëm se epërsia e tyre ushtarake ishte mjaft e jashtëzakonshme dje

Ka kaluar shumë pak dhe dëmi ishte jashtëzakonisht i lehtë”,- shtoi ai.

"Presidenti e ka thënë qartë se nuk duam që kjo të përshkallëzohet. Orët dhe ditët në vijim do të na tregojnë shumë”,- ka theksuar Kirby.

Ora 16:26
Ministri izraelit: Irani do të paguajë çmimin në kohën e duhur

1712167626_thththththth.JPG

Benny Gantz

"Ne do të ndërtojmë një koalicion rajonal kundër kërcënimit të Iranit dhe do të kërkojmë një çmim në një mënyrë dhe në një kohë që na përshtatet”,- ka deklaruar Ministri i Kabinetit të Luftës Benny Gantz, ditën e sotme.

 "Incidenti nuk ka përfunduar, strategjia, aleanca dhe sistemi i bashkëpunimit rajonal që kemi ndërtuar duhet të forcohet",-ka shtuar ai.

Ai nënvizoi se Izraeli ende nuk i ka kryer "detyrat e tij: kthimin e njerëzve të rrëmbyer dhe eliminimin e kërcënimeve ndaj banorëve të veriut dhe jugut". .

Ora 16:02
Ministri i jashtëm iranian: Ne informuam fqinjët 72 orë para sulmit ndaj Izraelit

Ministri i Jashtëm Iranian Hossein Amir-Abdollahian tha se Irani i kishte informuar vendet fqinje 72 orë para sulmit ndaj Izraelit.

 Në një konferencë për shtyp e cila u mbajt ditën e sotme në Teheran, Amir-Abdollahian tha se Irani i kishte thënë vendeve se operacioni do të ishte "vendimtar" në formën e "mbrojtjes legjitime".

"Shtojmë se ne e konsiderojmë sigurinë e fqinjëve tanë dhe rajonit si sigurinë e Republikës Islame të Iranit," tha ai.

Ndërsa nuk specifikoi se cilat vende ishin informuar. Nga ana tjetër as shtetet fqinje akoma nuk kanë reaguar publikisht se janë informuar për këtë ngjarje.

Ora 15:22
NYT: Netanyahu anuloi hakmarrjen e menjëhershme me kërkesën e Biden

1712555734_joebiden.JPG

Joe Biden dhe Benjamin Netanyahu 

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu anuloi një sulm të menjëhershëm hakmarrës ndaj atij Iranin që mori gjatë mbrëmjes së djeshme, pasi iu kërkua nga presidenti amerikan Joe Biden.

Kështu shkruan Neë York Times, duke nënvizuar se disa anëtarë të kabinetit të luftës i kishin kërkuar Netanyahut që të përgjigjet menjëherë ndaj Iranit.

Por mos shkaktimi i dëmeve serioze në Izrael dhe biseda mes Bidenit dhe Netanyahut bëri që hakmarrja të mos ndodhte menjëherë.

Ora 14:41
Zelensky: Irani dhe Rusia përhapin terror, ne ukrainasit i njohim mirë dronët e Teheranit

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka reaguar në platformën X për sulmet e fundit të Iranit ndaj Izraelit.

“Duhet bërë çdo përpjekje për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm në Lindjen e Mesme. Veprimet e Iranit kërcënojnë të gjithë rajonin dhe botën, ashtu si veprimet e Rusisë kërcënojnë një konflikt më të gjerë dhe bashkëpunimi i dukshëm midis dy regjimeve në përhapjen e terrorit përballet me një përgjigje të vendosur dhe të bashkuar nga bota”, tha Zelensky.

Ndërsa më tej shkruan se Ukraina e dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit duke përdorur dronë dhe raketa ‘Shahed’.

“Ne në Ukrainë e dimë shumë mirë tmerrin e sulmeve të ngjashme nga Rusia, e cila përdor të njëjtat drone ‘Shahed’ dhe raketa ruse, të njëjtat taktika si sulmet masive ajrore”.

 

Ora 14:29
Gjermania: Irani e ka sjellë rajonin në prag të humnerës

1713098035_annalenabaerbockolafscholz.jpg

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, ka deklaruar se sulmi i natës i Iranit ndaj Izraelit e ka sjellë Lindjen e Mesme në “prag të humnerës", ndaj dhe bëri thirrje për përmbajtje.

Ajo tha se Teherani "e ka futur një rajon të tërë në kaos" dhe se spiralja e tensioneve duhet të përfundojë.
 Ndërsa nga ana tjetër kancelari Olaf Scholz denoncoi një "përshkallëzim serioz të situatës", duke nënvizuar "solidaritetin" e Berlinit me Izraelin.

 Ashtu si Baerbock edhe ai bëri thirrje për përmbajtje, duke u thënë gazetarëve gjatë një vizite në Kinë se u ka kërkaur të gjitha palëve,veçanërisht 'Iranit, të mos vazhdojnë në këtë rrugë".

 

Ora 14:20
Izraeli: Do t'i përgjigjemi sulmit

 

Izraeli do t'i përgjigjet sulmit, por shkalla e përgjigjes është vendosur ende.

 Kështu kanë thanë burimet izraeliane për CNN, se akoma nuk është vendosur nëse përgjigja do të jetë shkallë më të gjerë apo do të jetë më e përmajtur.

Gjithashtu burimet shtuan se opsionet do të diskutohen në kabinetin e luftës të mbledhur ditën e sotme.

Ora 13:52
Pas sulmit me 300 dronë e raketa Irani vijon kërcënimet drejt Izraelit, kërcënon dhe SHBA! Ja çfarë dimë deri tani

1713039464_izrael.jpg

Irani ndërmori një sulm të paprecedentë me dronë dhe raketa në shkallë të gjerë në Izrael gjatë nates mes 13 dhe 14 prillit 2024. si hakmarrje për sulmin vdekjeprurës në konsullatën e tij në Damask të Sirisë më 1 prill.

Forcat izraelite dhe aleate thanë se rrëzuan “shumicën dërrmuese” të mbi 300 dronëve dhe raketave të lëshuara nga Irani. Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, kundëradmirali Daniel Hagari tha se Izraeli po "punon ngushtë" me SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe Francën. Të tre "vepruan sonte" gjatë sulmeve iraniane. Ky partneritet ka qenë gjithmonë i ngushtë, por sonte u shfaq në një mënyrë të pazakontë," tha Hagari.

Kjo është hera e parë që Republika Islamike nis një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Izraelit nga toka e tij, duke shënuar një pikë të re të rrezikshme kthese në konfliktin e Lindjes së Mesme që po zgjerohet me shpejtësi.

Ndërkohë Teherani vijoi sot me kërcënime të reja kundër Tel Avivit dhe aleatëve të tij të jashtëm, duke paralajmëruar se do të japë një përgjigje më të fortë e më e vendosur" nëse Izraeli vazhdon të kryejë "agresion ushtarak".

Çfarë dimë deri tani 

Raketat e shkatërruara
 Më shumë se 300 predha – duke përfshirë rreth 170 dronë shpërthyes dhe mbi 120 raketa balistike, 30 raketa lundruese – u qëlluan drejt Izraelit."99%" e tyre u kapën nga sistemet e mbrojtjes ajrore të Izraelit dhe "partnerët" e tij,tha ushtrisë izraelite. Vetëm "një numër i vogël" raketash balistike arritën në Izrael, të gjithë dronët e raketat lundruese u kapën përpara se të arrinin territorin izraelit", tha zëdhënësi i IDF, kundëradmirali Daniel Hagari.  Forcat izraelite në bashkëpunimin me aleatët e SHBA-në arritën të zbrapsin 99% e sulmit, duke rrëzuar “shumicën dërrmuese” tha ai.  Autoritetet izraelite raportuan vetëm dëme të lehta. Ndërkohë Times of Israel raporton se një vajzë shtatëvjeçare në jug të Izraelit ndodhet në gjendje të rëndë.

Telefonata Biden-Netanyahu
Pas sulmit, presidenti amerikan Joe Biden pati njw telefonatw me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, duke e bërë të qartë se SHBA nuk do mbështesë një kundërsulm kundër Iranit, tha një zyrtar i lartë i administratës së Dhomës së Përfaqësuesve për CNN. Megjithatë, Biden ka përsëritur gjithashtu se angazhimi i SHBA për sigurinë e Izraelit kundër kërcënimeve nga Irani mbetet "i hekurt".

“Ne nuk kërkojmë konflikt me Iranin, por nuk do të hezitojmë të veprojmë për të mbrojtur forcat tona dhe për të mbështetur mbrojtjen e Izraelit’ deklaroi Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.

SHBA konsultohet me aleatët: Izraeli dhe aleatët e tij perëndimorë tani po vendosin se si do të vijohet. Udhëheqësit e G7 do të takohen sot për të koordinuar një përgjigje të bashkuar diplomatike ndaj sulmit "të pacipë të Iranit”, tha Biden. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se "do të konsultohet me aleatët dhe partnerët në rajon dhe në mbarë botën në orët dhe ditët në vijim". "Shtetet e Bashkuara dënojnë sulmin e Iranit ndaj Izraelit në termat më të ashpër," tha ai në një deklaratë të dielën. “Ne nuk kërkojmë përshkallëzim. Do të vazhdojmë të mbështesim mbrojtjen e Izraelit dhe siç e bëri të qartë Presidenti, ne do të mbrojmë personelin amerikan”.

Kërcënimet iraniane
 Udhëheqësi i Gardës së Revolucionare të Iranit paralajmëroi për një "ekuacion të ri" pas sulmit të tij ndaj Izraelit dhe se tani do të përgjigjet drejtpërdrejt sa herë që Izraeli sulmon interesat, pasuritë ose njerëzit e tij. Shefi i Shtabit të Iranit kërcënoi gjithashtu SHBA-në dhe Izraelin kundër çdo sulmi të ardhshëm. Sardar Bagheri, shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit, tha se Irani i dërgoi një mesazh SHBA-së përmes ambasadës zvicerane duke paralajmëruar Uashingtonin nëse bashkëpunon me Izraelin në veprimet e tyre të ardhshme atëherë bazat amerikane "nuk do të kenë asnjë siguri"

Shqetësimi në skenën botërore
 
Një numër i madh liderësh të huaj, në Lindjen e Mesme dhe më gjerë, kanë shprehur shqetësimin për sulmin dhe kanë bërë thirrje për ulje të tensionit. Arabia Saudite, një rival i madh rajonal i Iranit, theksoi rëndësinë e "parandalimit të çdo përkeqësimi të mëtejshëm" të krizës, ndërsa Katari, i cili gëzon marrëdhënie të ngushta ekonomike me Iranin, shprehu "shqetësim të thellë". Disa vende të Amerikës Latine e dënuan gjithashtu incidentin, ndërsa Kina në deklaratë u bëri thirrje "palëve përkatëse të ushtrojnë qetësi dhe përmbajtje për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm". Australia dënoi ashpër sulmin  duke i etiketuar veprimet si "të pamatur dhe një kërcënim serioz" për sigurinë rajonale.

Ora 13:16
FOTOLAJM/ Iranianët festojnë pas sulmeve ajrore kundër Izraelit

1713093475_iran.jpg

Qytetarë iranianë u mblodhën për të festuar në rrugët e Teheranit, pasi forcat iraniane nisën sulme ajrore kundër Izraelit, natën mes 13 dhe 14 prillit. Izraeli, megjithatë, tha se forcat e tij dhe ato aleate rrëzuan shumicën e raketave dhe dronëvve përpara se ata të godisnin.

Ora 12:48
VIDEO/ Gëzimi i deputetëve të parlamentit iranian pas sulmit drejt Izraelit

Në një video që qarkullon në internet është momenti kur anëtarët e parlamentit iranian festojnë pas sulmit që u ndërmor me qindra dronë kamikazë dhe raketa balistike të lëshuara drejt Izraelit.

 

Ora 12:42
Irani: Jordania objektivi i ardhshëm nëse bashkëpunon me Izraelin

Burime pranë Gardës Revolucionare iraniane deklaruan për mediat lokale se Irani po "monitoron nga afër" aktivitetet e Jordanisë.

Ata u shprehën se nëse Amani "vendos të përfshihet në ndonjë veprim luftarak, rrezikon të bëhet objektivi i ardhshëm i operacioneve ushtarake iraniane".

Sipas mediave Jordania ka ndihmuar në rrëzimin e disa dronëve iranianë gjatë natës, ndërsa ata po shkonin drejt Izraelit.

 

Ora 12:03
FOTO/ Irani sulmon Izraeli, gjenden pjesë të raketave në tokën izraelite

1713089091_1151418617c91d72db36541feac4488ecac5c319c.webp

Foto: Raketat e gjetura në tokën izraelite pas sulmit iranian

Mediat kanë publikuar foto të raketave dhe fragmente të këtyre municioneve janë gjetur në disa pjesë të Izraelit. Natën mes 13 dhe 14 prillit, Irani lëshoi qindra dronë dhe raketa në drejtim të Izraelit, në shenjë hakmarrjeje për një sulm vdekjeprurës në konsullatën e tij në Siri më 1 prill 2024. 

1713089450_1151433497400b63326dc4985b6bc8f140d678c04.webp

 

 

 

 

Ora 11:58
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit: Konfrontimi me Iranin nuk ka përfunduar ende

1704435494_gallant.PNG

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, tha se konfrontimi me Iranin “nuk ka përfunduar ende”.

Ai i bëri komentet pasi Irani, natën mes 13 dhe 14 prillit, lëshoi qindra dronë dhe raketa në drejtim të Izraelit, në shenjë hakmarrjeje për një sulm vdekjeprurës në konsullatën e tij në Siri më 1 prill.

Ora 11:07
Macron dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit:  Kërcënon të destabilizojë Lindjen e Mesme

1702665075_emmanuelmacron.JPG

Presidenti francez Emmanuel Macron ka dënuar "me vendosmërinë më të madhe sulmin e paprecedentë të nisur nga Irani kundër Izraelit".

Ai u bëri thirrje të gjitha palëve të përfshira për “përmbajtje”.

Në një mesazh të publikuar në X ai shkroi se sulmi i natës së kaluar "kërcënon të destabilizojë rajonin”.

“Unë dënoj në mënyrën më të fortë sulmin pa precedentë të nisur nga Irani kundër Izraelit, i cili kërcënon të destabilizojë rajonin. Shpreh solidaritetin me popullin izraelit dhe angazhimin e Francës për sigurinë e Izraelit, partnerët tanë dhe stabilitetin rajonal. Franca po punon për de-përshkallëzimin me partnerët e saj dhe bën thirrje për përmbajtje”, tha ai.

Ora 11:05
Irani sulmon Izraelin, Biden shpreson të shmangë përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme, mbledh liderët e G7: Duhet përgjigje diplomatike

Foto: Biden takon anëtarët e ekipit të Sigurisë Kombëtare pas sulmit të Iranit drejt Izraelit, 13 prill 2024

Për presidentin Joe Biden, një sulm ndaj Izraelit i nisur nga toka iraniane përbën një skenar që ai do të kërkonte shumë ta shmangte që nga fillimi i konfliktit aktual në Lindjen e Mesme.

Reprezaljet rritin rrezikun e një konflikti më të gjerë rajonal që mund të tërheqë drejtpërdrejt Shtetet e Bashkuara, së bashku me vendet e tjera.

Dhe ata e vendosin Biden - përsëri - në pozicionin e dobët të zotimit për mbështetje të palëkundur për Izraelin, ndërsa përpiqen të parandalojnë një konfrontim të ri që të shpërthejë ku dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë të përfshirë.

Presidenti i SHBA, Joe Biden është shprehur do të mbledhë udhëheqësit e G7 të dielën (sot) “për të bashkërenduar një përgjigje të bashkuar diplomatike ndaj sulmit të pacipë të Iranit”.

Ai shton se ekipi i tij do të mbetet në kontakt të ngushtë me udhëheqësit e Izraelit. Biden thotë se ndërsa SHBA nuk ka parë sulme në objektet e saj, ajo “mbetet vigjilente ndaj të gjitha kërcënimeve”. 

“Ne nuk do të hezitojmë të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për të mbrojtur njerëzit tanë,” thotë Biden.

G7 përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia.
Marrin pjesë edhe përfaqësues nga Bashkimi Evropian. G7 u themelua pas embargos së naftës të OPEC në vitin 1973 si një forum për vendet më të pasura për të diskutuar krizat që prekin ekonominë botërore. Vendet e saj kanë një GDP të kombinuar vjetore prej 40 trilionë dollarësh, ose pak më pak se gjysma e ekonomisë globale

Ora 11:00
Putin drejtuar SHBA-së: Mos ndërhyni mes Iranit dhe Izraelit! Nëse amerikanët mbështesin Izraelin, ne nuk do rrimë duarkryq 

 

Vladimir Putin 

Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara të mos ndërhyjnë në tensionet midis Iranit dhe Izraelit. 

Sipas “Times of India” kërcënimi i Putinit erdhi pasi Shtetet e Bashkuara thanë se kishin rrëzuar disa prej dronëve të nisur nga Irani drejt Izraelit. 

“Nëse Biden mbështet Izraelin, ne nuk do të rrimë duarkryq duke duke mos bërë asgjë”,- raportohet të jetë shprehur thotë Putin.

Ora 10:23
Iraku, Jordania e Libani rihapin hapësirën e tyre ajrore! U mbyllën mbrëmë pas sulmit iranian ndaj Izraelit

Iraku njoftoi sot në mëngjes se rihapi hapësirën ajrore të vendit pas mbylljes së saj një natë më parë për shkak të një sulmi masiv me dronë dhe raketa nga Irani fqinj kundër Izraelit.

“Autoriteti i aviacionit civil irakian tha se hapësira ajrore e Irakut ishte rihapur për të gjithë avionët që hyjnë, nisen dhe kalojnë”, njoftoi agjencia zyrtare e lajmeve e vendit INA.

“Rihapja e hapësirës ajrore erdhi pas tejkalimit të të gjitha rreziqeve që ndikojnë në sigurinë e aviacionit civil në Irak”, thanë autoritetet.

Edhe Libani dhe Jordania njoftuan hapjen e hapësirave ajrore.

Ora 10:17
Sulmi i Iranit drejt Izraelit, OKB mbledhje urgjente sot në mbrëmje

1709482180_okb.jpg

Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet sot në mbrëmje, në orën 22:00 pas kërkesës së bërë nga Izraeli pas sulmit iranian. Në një letër drejtuar ambasadores malteze Vanessa Frazier, ambasadori izraelit në Kombet e Bashkuara Gilad Erdan kishte bërë thirrje për një takim urgjent të këshillit, duke i kërkuar OKB-së që të dënojë qartë sulmin e Teheranit.

Ora 09:35
Shqipëria dënon ashpër sulmin e Iranit ndaj Izraelit, Presidenti, Rama e ministri Hasani: Kërcënim i rëndë, rrezikon paqen në Lindjen e Mesme

Nën një zë liderët shqiptarë kanë dënuar sulmin e Iranit ndaj Izraelit.  Duke e quajtur të paprecedentë, kryeministri Edi Rama dënoi sulmit e Iranit ndaj Izraelit duke nënvizuar se përbën një kërcënim për të destabilizuar rajonin në mënyrë të pakthyeshme.

“Shqipëria dënon fuqishëm sulmin e paprecedentë të nisur nga Irani kundër Izraelit, i cili përbën një kërcënim për të destabilizuar rajonin në mënyrë të pakthyeshme. Ne qëndrojmë në solidaritet me popullin izraelit dhe mbështesim plotësisht përpjekjet e partnerëve tanë drejt de-përshkallëzimit”  shkruan kryeministri Edi Rama në një reagim në rrjetin social X.

Në një zë me kreun e qeverisë ishte edhe presidenti Bajram Begaj për të cilin përshkallëzimi I konfliktit do të rrezikonte paqen dhe sigurinë në rajon.

Shqipëria dënon ashpër sulmin e paprecedentë të Iranit ndaj Izraelit dhe shpreson se nuk do të ketë përshkallëzim të mëtejshëm.Çdo përshkallëzim i mëtejshëm mund të rrezikojë paqen dhe sigurinë në Lindjen e Mesme dhe të ketë efekte të pakthyeshme në një shkallë më të gjerë“ shkruan presidenti Begaj në një postim në X

Edhe ministri i jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani nënvizon se ' ky përshkallëzim është një kërcënim i rëndë për sigurinë e Izraelit dhe të gjithë rajonit. Rrezikon të sjellë paqëndrueshmëri dhe shkatërrim më të madh në të gjithë Lindjen e Mesme" 

Shqiptarëve në këtë rajon u këshillohet të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale për përditësimet e sigurisë publike dhe të kontaktojnë ambasadat tona për ndihmë.

Për çdo nevojë të mundshme shqiptarët mund të kontaktojnë në telefon dhe WhatsApp me numrat e kontaktit të ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Izrael:

+972 54-904-2813

+972 54-480-6601

Ora 08:54
Austin dhe Blinken konfirmojnë mbështetjen e SHBA për Izraelin

Foto: Lloyd Austin

Shtetet e Bashkuara nuk do të hezitojnë të mbrojnë forcat e tyre dhe të mbështesin Izraelin.

 Ky është qëndrimi i shprehur orët e fundit nga ministri amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin dhe nga sekretari i shtetit, Antony Blinken.

Ora 08:50
Sulmi i Iranit, Izraeli i kërkon Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbledhje urgjente

1698092981_kshilliisigurimitokb.jpg

Këshilli i Sigurimit, foto arkiv

Izraeli i kërkon Këshillit të Sigurimit i OKB-së të mbajë një mbledhje urgjente sot për të dënuar sulmin e Iranit ndaj Izraelit dhe për ta cilësuar Korpusin e Gardës Revolucionare iraniane (IRGC) një organizatë terroriste.

Ambasadori izraelit në OKB Gilad Erdan i dërgoi një letër urgjente presidentes së Këshillit të Sigurimit, Vanessa Frazier, duke bërë thirrje për takimin.

“Sulmi iranian është një kërcënim serioz për paqen dhe sigurinë globale dhe unë pres që Këshilli të përdorë çdo mjet për të ndërmarrë veprime konkrete kundër Iranit”, postoi ai në X.

Irani lëshoi qindra dronë dhe raketa që synonin Izraelin në përgjigje të një sulmi të dyshuar izraelit në një kompleks iranian në Damask në fillim të këtij muaji, i cili vrau dy gjeneralë brigade dhe pesë anëtarë të tjerë të IRGC-së të fuqishme të Iranit.

Ora 08:02
Irani lëshoi mbi 300 dronë e raketa, Ushtria izraelite: "99% e sulmit të Iranit u zmbraps: Vetëm disa raketa goditën bazën ajrore Nevatim

1713074488_iran.jpg

Raketa e Iranit kapen në qiellin e Jeruzalemit

Zëdhënësi i Forcave të Armatosura izraelite, kundëradmirali Daniel Hagari, konfirmoi se 99% e 300 raketave dhe dronëve të lëshuar nga Irani kundër Izraelit gjatë natës u kapën dhe u rrëzuan nga mbrojtja ajrore.

'Të gjitha raketat dhe të gjithë dronët u kapën përpara se të arrinin në territorin izraelit, shtoi ai.  Vetëm "një numër i vogël" raketash arritën në territorin e vendit, tha zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, kundëradmirali Daniel Hagari.

Konkretisht u lëshuan 170 dronë, shpjegoi ai por asnjë prej tyre nuk arriti në hapësirën ajrore izraelite: Të gjithë u rrëzuan jashtë kufijve të vendit nga Izraeli dhe aleatët e tij. 

As 30 raketat e lundrimit nuk arritën të hynin në hapësirën ajrore izraelite. 25 u rrëzuan nga Forcat Ajrore izraelite. Më pas u lëshuan 120 raketa balistike. Vetëm disa nuk u interceptuan nga mbrojtja izraelite duke goditur bazën ajrore Nevatim në Izraelin jugor, por dëmet janë të vogla dhe baza vazhdon të jetë rregullisht funksionale. Sa i takon dronëve të lëshuara nga Iraku dhe Jemeni, asnjë nuk arriti në hapësirën ajrore të shtetit hebre.

Rreth 170 dronë, më shumë se 30 raketa lundrimi dhe më shumë se 120 raketa balistike u lëshuan në Izrael nga Irani, tha ai, shumica dërrmuese të kapura nga Forcat Ajrore izraelite dhe "partnerët" izraelitë.

Ora 07:58
Izraeli rihap hapësirën ajrore

 

Raketa e Iranit kapen në qiellin e Jeruzalemit

Hapësira ajrore izraelite u rihap në orën 7:30 me orën lokale, pas sulmit iranian gjatë natës. Kjo u bë e ditur nga Autoriteti i Aeroportit të Izraelit, duke shpjeguar se orari i fluturimeve në aeroportin Ben-Gurion megjithatë do të ndryshojë.

 

Ora 07:54
VIDEO/ Raketat e dronët iranianë mbi qiellin e xhamisë në malin e Tempullit në Jeruzalem, sirenat e alarmit

 

Në një video që qarkullon në internet duken raketat dhe dronët iraniane në qiellin e Jeruzalemit, tek Mali i Tempullit të cilat kapen para se të rrëzohen. Mali i Tempullit konsiderohet pas Mekës dhe Medinës, si vendi i tretë i shenjtë i fesë islame. Dronët duken në qiellin mbi xhaminë me kupolë të artë.

Sulmi ajror i Iranit kundër Izraelit, si hakmarrje ndaj sulmit të pak ditëve më parë në Damask, po rrit tensionet dhe frikën për një luftë në Lindjen e Mesme.

Ora 07:18
Sulmi me dronë drejt Izraelit, Netanjahu: I ndalëm! Irani paralajmëron se përgjigja e tij do të jetë 'më e fortë' nëse Izraeli kundërpërgjigjet

1713071368_izrael.JPG

Foto: Sistemi antiraketë duke funksionuar në Ashkelon, Izrael, të dielën, 14 prill 2024, foto:  Amir Cohen/Reuters

Në deklaratën e parë publike menjëherë pas sulmit të Iranit, Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu tha se është arritur të zbrapsen dhe iu zotua popullit izraelit"Së bashku do të fitojmë". Deklarata u bë në rrjetin social X

Ndërkohë Irani ka paralajmëruar se do të përgjigjet me më shumë forcë nëse Izraeli hakmerret mbi sulmet e kësaj fundjave, për të cilat Teherani tha se ishin vetëm një përgjigje ndaj një sulmi izraelit në fillim të këtij muaji në kompleksin e ambasadës së tij në kryeqytetin e Sirisë, Damask.

 

S.G/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 15/04/2024 03:11

    Jeruzalemi u takon te gjitheve dhe askujt ne vecanti.

    Përgjigju
  • Pellazgu: 15/04/2024 00:24

    Zhdukja nga faqja e dheut e këtij shteti musliman është e pashmangshme ashtu siç është edhe zhdukja e dy shteteve ortodoks që kemi në veri dhe jug të Arbëris.

    Përgjigju
  • E verteta: 14/04/2024 23:32

    Lexoj komentet e disa ekstremisteve islamiste meposhte dhe habitem me indoktrinimin e tyre. Gjithesesi duhet ta kuptojne qe Irani po i ben gropen vetes njelloj si egjipti dikur me Naserin ne krye. Keta trushkulur qe festojne sot, neser do dalin neper tv boterore duke qare. Ky eshte realiteti, izraeli do fitoje luften me terrorizmin.

    Përgjigju
  • Beni: 14/04/2024 18:04

    Izraeli gjithmone fitimtar...Nga 34000 te vrare ne Gaza, 28.000 jane terroriste te Hamas..6000 jane viktimat civile...Dhe keta civile jane vrare ose aksidentalisht ose se terroristet e Hamas fshihen si minj mes civileve, ne shkolla, spotale...

    Përgjigju
  • Ardi: 14/04/2024 16:40

    Nese ka zot dhe nese do kete vertete nje drejtesi ne kete bote Izraeli duhet te denohet per ato viktima te pafajshme ku me te shumtin ishin femije. Edhe Hitleri duket si engjell perpara Izraelit tani nese nuk merren masa situata do pershkallezoje ne menyre te pakthyeshme.

    Përgjigju
  • G,joni Lezh: 14/04/2024 14:42

    Për mendimin tim shteti izrailit duhet të shuhet! Gjermanët kishin drejtë që i presekutuan dhe i çfarosnin! Ky është shteti më problematik në botë.Irani ka shum të drejtë për sulmet ndaj kriminelëve qifut.Këto kriminelët Izraulit u kruan vet me Iranin që bombadoi ambasaden Iraniane duke vrarë disa funksionarë të ambasadës pse? Pra Irani është në drejten e tija të merrte këtëo sulme.Po sikur Iranianët të sulmonin ambasadat SHBAsë,Anglis,Francës si fotë reagonin?

    Përgjigju
  • Shkodrani-Belgjike: 14/04/2024 13:18

    Izraeli shtet i falimentuar, çfarë do mbjedhësh do korrësh, iku koha e amerikës, rusia shtet i fortë të flasi mbas putinit!

    Përgjigju
  • San Giovanni: 14/04/2024 12:58

    E fitoi edhe këtë betejë Izraeli!

    Përgjigju
  • A...Zh: 14/04/2024 12:23

    Doktrina e mbrojtjes e Israelit nuk pranon "mbylljen ketu" pas sulmit te drejtperdrejte nga teritori i Iranit. Per fat te keq!

    Përgjigju
  • Keci: 14/04/2024 11:00

    Çdo me thënë Shqiperia e dënon ashpër? A mjaftojnë veç fjalët ndaj një shteti armik. Kush e mbron hapsirën ajrore nga dronët dhe raketat balistike iraniane?! Ah do t'i blejmë në të ardhmen... thonë mender politiqenerit e të dyja krahëve.

    Përgjigju
  • Arbërori: 14/04/2024 10:26

    Shqipëria e denon Iranin, nonsensi i dites…!!!

    Përgjigju
  • Bim: 14/04/2024 08:18

    Ekzistenca e Izraelit eshte nje fatkeqsi per mbare boten

    Përgjigju
    • Ersa: 14/04/2024 22:31

      Duhet të jesh rritur në familje me kompleksin e inferioritetit shumë të theksuar, ose krej debil. Ti dalësh në krah një shteti që sulmoi bazën e të dhënave të gjithë shtetasve shqiptarë është si të marrësh kobure në dorë dhe qëllosh të dyja këmbët.

    • Artan: 14/04/2024 17:04

      Dakord me ty jam. Vetem halldupet myslimane duhet te ekzistojne.

    • Guzi: 14/04/2024 16:41

      Folen edhe qelbesir@t islamike mbetje te turqinise

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

TRING NË FESTË MAGJI NË TË GJITHA KANALET

TRING NË FESTË MAGJI NË TË GJITHA KANALET