Konica siç nuk e njohim, të dhënat
të reja për prindërit, motrat e vëllezërit

Konica siç nuk e njohim, të dhënat<br />të reja për prindërit, motrat e vëllezërit
Ky shkrim me të dhëna e dëshmi mjaft interesante e panjohura rreth Faik Konicës është shkruar nga Ramiz Kelmendi në qershor të vitit 1995. Për dikë mund të jetë i njohur, por për shumë lexues ngjall kërshëri e lexohet me mjaft interes, sidomos për të dhënat biografike që sjell rreth motrës së Konicës dhe mbesës së tij që u martua në Pejë në moshën 14-vjeçare me një burrë 60-vjeçar. Pasardhësit e saj jetojnë ende në Pejë dhe rrëfimet e tyre për Xhevahirenë nga Konica, vajzën e motrës së Faik Konicës,  që fliste gjuhë “ndryshe” e kishte zakone të tjera nga vendasit, ngjallin vërtet kërshëri edhe sot.

Mbi 150 emra – për Faikun
Më shumë se pothuaj për asnjë shkrimtar tonë të “harruar” e të anatemuar, nga ata rreth njëqind sa njihen e dihen ta kenë pasur këtë “fat” në kohën e diktaturës, madje-madje edhe më shumë se për cilindo nga Katërshja më e “rilindur”, më e rikujtuar, më e rivlerësuar, më e rehabilituar dhe më e riçmuar, e madje edhe e tejçmuar e kohëve më të reja – ajo Katërshja më e nderuar: Fishta-Konica-Koliqi-Camaj, u shkrua, pa asnjë dyshim, për Faik Konicën. Hiq biografët dhe ata studiuesit e tij gati-gati të specializuar, tashmë të njohur, të deklaruar dhe të mbiquajtur si faikistë, ndër të cilët s’ke si të mos kujtosh Q. M. Panaritin, Sabri Hamitin, Luan Starovën, Abdullah Karjagdiun, Nasho Jorgaqin, dhe tashti më së fundi Jup Kastratin me monografinë e tij deri sot më voluminoze për jetën dhe veprën e tij, që u botua në Nju-Jork dhe u vu në qarkullim pikërisht këto ditë, prirë nga ajo parathënie e gjatë e Rexhep Qosjes, janë mbi 150 autorë, shqiptarë dhe të huaj, që në një mënyrë a një tjetër, kthyen vëmendjen, shkruan dhe folën për Faik Konicën, për këtë figurë vërtet nga më interesantet dhe, do të thoja, edhe më “provokueset” dhe më “intrigueset” në letrat shqipe.

Do të shkruajnë për të Aleks Buda dhe Asdreni, Bedri Pejani, Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli) dhe Dhimitër S. Shuteriqi, Eqrem Çabej dhe Ernest Koliqi, Fan S. Noli dhe Filip Shiroka, Ismail Kadare, Kristo Floqi dhe Kristo Frashëri, Mahir Domi, Martin Camaj dhe Mihal Grameno, Mithat Frashëri (Lumo Skëndo) dhe Mustafa Merlika Kruja, Namik Resuli dhe Nonda Bulka, Rexhep Qosja dhe Apolineri – shkrimtari i madh frëng e europian, një miku i tij mbase më i ngushtë në jetë, mandej Edit Durham, mikesha e madhe e kombit tonë; së cilës vijojmë t’i kemi borxh, Holger Pederseni dhe Maksimilian Lamberci, dy nga albanologët më të njohur; Stjuart Mani, Gaetano Petrotta, Fulvio Kordinjano etj.

Ndryshe nga aq të tjerë që prej motesh “prehen” në varreza të vendeve të huaja dhe pothuaj as i vete kujt në mend t’i kthejnë dhe t’i rivarrosin në Atdheun e tyre për të cilin shkrinë tërë jetën (të kujtojmë vetëm disa nga ata më të njohurit dhe të motive të këtij qindvjeçari, si: Jani Vreton, që vdiq më 1900 në Athinë; Sami Frashërin, që vdiq më 1904 në Stamboll; Mithat Frashërin (Lumo Skëndon) që vdiq (ose u vra) më 1949 në Nju-Jork; Mustafa Merlika Krujën (Shpend Bardhin), që vidq më 1958 në Niagara (SHBA); Fan S. Nolin, që vdiq më 1965 në Fort Launderdale të Floridës (SHBA), dhe eshtrat e të cilit vijojnë të jenë në varrezat e Bostonit; Ernest Koliqin, që vdiq më 1975 në Romë, Martin Camajn, që vdiq më 1992 në Lenggries të Bavarisë (Gjermani), etj. Faik Konica, edhe pse me 53 vjet vonesë, u kthye në Atdhe dhe u rivarros me nderimet më të mëdha, duke realizuar kështu dëshirën e tij të fundit dhe amanetin e lënë testament.

“Xhevahire” dhe “fjalë kazanash”U shkrua dhe u fol aq shumë për Faikun. U botuan aq libra me shkrime origjinale dhe të përkthyera të Faikut. U bë edhe ndonjë libër i tërë për Faikun. U hartua monografia për Faikun, sigurisht më e madhja deri sot e shkruar për jetën dhe veprën e një shkrimtari shqiptar.

Megjithatë, a e njohim sa duhet Faikun? A ia njohim sa duhet veprën, gjithë ç’shkroi shqip e në gjuhë të huaja, jo vetëm në atë famëmadhen revistën e tij “Albania”, por edhe në aq fletore e të përkohshme të tjera? Sa e njohim jetën e tij familjare, në mënyrë të veçantë atë intime? Kush di të thotë diç më tepër për jetën që bëri në Bruksel, në Uashington a në Boston? Si shpjegohet që një intelektual yni i njohur, pasi i ra në dorë rastësisht dhe e lexoi vëllimin e parë me vepra të Faikut, botuar nën përkujdesjen e Nasho Jorgaqit dhe Xhevat Lloshit, deklaroi plot habi dhe keqardhje edhe më të madhe, po i ngazëllyer, se nuk e paskësh njohur dhe as besuaka se e njihkemi sa duhet, deri sot, këtë shkrimat kaq të veçantë të letërsisë shqiptare?

Është shumë i madh, sidoqoftë, numri i pyetjeve që dalin vetvetiu, dashur e padashur, le pastaj po të jesh i shtyrë nga ndonji kërshëri e veçantë të panjohurash, enigmash dhe çështjesh që kanë të bëjnë me veprën e Faikut dhe, në mënyrë të veçantë me disa nga aspektet e jetës dhe të veprimtarisë së tij, politike, shoqërore, kulturore, familjare dhe intime.

Ka të ngjarë, se ky autor yni, një nga më “efant gate”, për të mos thënë, ndoshta akoma me më të drejtë, dhe me një taman “enfant terrible” i letrave shqipe, bën pjesë në radhën e atyre shkrimtarëve të cilët, sa më shumë që t’i lexosh, aq më shumë i do dhe aq më shumë lakmon të lexosh nga ata dhe për ata.
I interesuar prej vitesh sidomos për atë më veçantën e natyrës së tij prej njeriu e krijuesi, për Faikun polemist, për raportet dhe komunikimet e ndërsjellta që pati me sa “fytyra dhe turinj” në letrat tona dhe të huaja, autori i këtyre rreshtave atëherë bëri mbi 100 faqe tekst, në fillim në fejtonin e botuar në të përditshmen “Rilindja” e pastaj edhe në librin e fundit të veprave të tij të plota, me titull: “Faiku kundër të gjithëve, të gjithë kundër Faikut”. E paralajmëroi Faikun ante portas, zuri ngoje gicat e para të tij, shënoi xuxibocërit dhe doçërit, preku polemikat me gazetat italiane, ndaloi në ca letra fyese kundër tij, tregoi kush ishin kundërshtarët e tij, çfarë ndodh kur “hazdisen” harbutët dhe kur e nguc gjarprin me krande, ç’raporte mbajti me Ismail Qemalin, Asdrenin e Nolin, si shpërtheu përmes aq dredhish e intrigash që iu bënë në gjallje të vet.

Tek kërkoi e gërmoi polemikat shqiptare nëpër gazeta e revista, nëpër të përkohshme e libra, nëpër histori e monografi, nëpër jetëshkrime e kujtime, ai e gjeti edhe Asdrenin polemist, e njohu edhe Nolin si të tillë, u bind se edhe Luigji paskësh polemizuar jo më pak, edhe Pasko Vasha ca më pak, se një alamet polemike paskësh pasur edhe Çajupi, jo më të vogël Mjeda, i pakursyer dhe i pamatur paska qenë edhe Gramenoja kur shkroi polemika, paskësh polemizuar mjaft edhe Fishta, edhe Bulka, edhe Xhuvani, edhe Hil Mosi, edhe Kuteli, edhe Maloki…Mirëpo, vetëm njërin e gjeti ai në kushedi sa gazeta e revista dhe në mbi dhjetë vëllime të ndryshëm: Faik Konicën.

Aq i pranishëm gjetkë, aq i zënë ngoje kudo, vend e pa vend, aq i trumpetuar, aq i ngritur lart si rrallëkush dhe i përbaltur thuaj si askush, kontravers, tekanjoz, i skajmë, i rrëmbyer i pamatur, i pakursyer, gjaknxehtë e çmos tjetër, stilisti më i mirë i letrave tona. Faik Konica – sipas një si rregulli se njerëzit e mëdhenj gjithmonë kanë miq po, akoma më shumë, edhe armiq të shumtë e të mëdhenj – u pagëzua gjithsesi nga të tjerët, por edhe aiu ua ktheu njësoj, në mos dyfish, të gjithëve pa përjashtim.
I thanë: shkrimtari më i urrejtur në letërsinë shqipe, njeri me karakter të veçantë, nga më të rrallët në bixaritë e veta, gjaknxehtë, pa fre, gjuhë fare etc., etc.

Po edhe Faiku ua ktheu me resto, me “xhevahire” dhe “fjalë kazanash”. Gazetave të tyre u tha: recka. Ndonjërës nga ato madje, akoma më shumë se kaq, edhe: reckë e qelbur. Shumicën e kundërshtarëve të vet i pagëzoi: zuzarë. Ndo-njërin, ndërkaq, për ta pagërë e ndragur: zuzar i ndyrë, apo edhe: i paturpshmi zuzar. Ca i quajti edhe xuxibocër. Ca të tjerë, jo po: doçër. Pastaj: mvaranikë të kutrebuer (?), ngordhanikë, xuxubocë të poshtër e të ndyrë, doçër prej të ha; vjedharakë të çkëlqyer, mararonarë të ndryrë, zuzarë pa turp, shkolla të qelbura të çizmes italiane, karagjozë, kurva, harbutë të poshtër, zaptienj, maca të egra me dy faqe, tradhtorë, shpifarakë, vrasës vullgarë e prapa kurrizit, hypokritë, kanibalë, ndyrravecët, sharlatanë, rrufjanë e simos tjetër.

Njerit i tha: “Laje më parë kokën që të shporren morrat e kalli edhe këmbët dy herë ditën në acide phenique që të mos bien erë”. Tjetrit i tha: “Pfthu! Njeri pa turp e pa nderë!”
Të tretit: “Egërsirë e vërtetë e lindur veç për të çpifur e për të vjedhur”! Të katërtit: “Veshgjatë si lopatë”. Të pestit: “Ham-ham-ham-ham! Hau-hau-hau-hau! Uaau-uaau-uaaaaaau! Ngrr-ngrr…U tërbua…Sillni ujë të ftohtë se mos na kafshojnë! Shpejt ujë!” Dikujt iu drejtua: “A më lëpin këpucët të të jap pesë franga?”, “Kodosh i Tunës”. “Me karakter njeriut të lindur mes kurvash”, “të mperizoj (urrej) e pështyj”, “Inspektor i shtrateve…që fut hundët te gjërat e ndyra…dhe peshon copët e turpshme të botës”…

Na bëhet sikur dimë gjithçka do ditur për Faikun. Ç’nuk dihet për të megjithatë?
Sa vëllezër dhe motra pati Faiku?
Kush ishte familja e tij?
Dhe ja: gjyshi! Gjyshi i Faikut. Gjyshi i tij, Muhamet be Konica, I perkëdhelur edhe si “Shishko”, do të martohet me një grua nga bejlerët e Villes Frashëri dhe do të lerë një vajzë e një djalë.
 Dhe, ja, filli! Ajo fija e gjeneaologjisë faikiane!
Emri i djalit: Shahin be.
Shahin be Konica: i ati i Faik Konicës.

Nuk të çudit pak edhe tek Faik Konica ai fenomeni aq i përhapur në letrat tona; të flitet dhe po të flitet fare për te (se mos ka pak emra krijuesish, sidomos nga këta të ditëve tona, për të cilët as nuk dimë ku lindën, as kur linden, le pastaj, si duken?), jeta më e ngushtë familjare, e në veçanti jeta t’i themi “private”, jeta intime, në veçanti ajo sentimentale, erotike, dashurore, si të ishte me taman “tabu” nga ata më të mëdhenjtë, “harrohet”, heshtet, nuk “preket” nuk shkruhet.
Ndërkohë që, në mjedise të tjera shkruhen studime, bëhen simpoziume, mbrohen doktoratura, botohen me dhjetëra libra, pikërisht me të tillë “objektiv”, e jo rrallë qoftë edhe vetëm për ndonjë aspekt të veçantë kësodore.

Për Faikun, me ç’thamë, na duket sikur tashmë dimë gjithçka, të paktën në ato suaza të atij ligji të pashkruar që gjithandej vijon të ketë pushtet.
Po një që, si autor i këtij fejtoni, i cili prej kohësh e ka “deformitet” dhe “sëmundje zanati” kërshërinë, margjinosjen dhe në mënyrë të veçantë “çapitjen mes rreshtave”, e a di vallë gjithë ç’do t’i interesonte të dinte për jetën e Faikut? Qoftë edhe jo atë jetën e tij më intime, për të cilën ende paskëshim “konsiderata”, sepse, heu, nuk u dashka nxjerrë nga mendja edhe sot, në prag të qindvjeçarit të 21-të, se në ç’mjedis jetojmë dhe ç’individë e milet “midehollë”, të “ndijshëm” e të “prekshëm” kemi ende? Tjetër është bota e civilizuar, thonë ata, e tjetër jemi ne shqiptarët.

Por një që, si autor i këtij fejtoni, të cilit pas gati 65 vjetësh, i qëlloi të mësonte se në Pejë, në vendlindjen e tij, në “kojshillëk”, e madje-madje edhe nënë e një miku të njohur (sidomos në vitet ‘45-‘46, kur bënë bashkë ca muaj në “fllad”), jetoi si Pejane dhe si nuse e Pejës, jo më pak se pesëdhjetë e shtatë vjet, – e mbesa e Faik Konicës; e di se do të duhej të dinte dhe ku mund të gjejë diç më tepër për motrat e vëllezërit e Faikut?
Hiq autobiografinë e Faikut (në veten e tretë!) të shkruar në vitin 1922, më kot do të humbasë kohë të gjejë, ca më tepër ndër shkrimet e atyre mbi 150 autorëve që na lanë ndonjë punim për Faikun. Nuk gjeti, dhe ka gjasë, as nuk ka.
 
Shenja e karakterit të veçantë të Faikut (gjenaologjia)
Me të parën “të dhënë të kësaj natyre, na e dha, pra në vetë të tretë në “Autobiografi e Faik Konicës” (1922). Duke folur për prejardhjen familjare të tij, gjithandej në veten e tretë, ai që në kaptinën e parë të Autobiografisë, në kaptinën “Familja e tij”, do të bëjë atë që nuk e bëri gati-gati asnjë biograf a faikist deri sot: do të shkruajë për shtëpinë ku lindi (“jo vetëm një nga më të vjetrat e Shqipërisë dhe të Epirit, po edhe nga më të nderuarat për të shkuarën e saj të pastër”), për një të veçantë të saj (“e ëma e Ali Pashë Tepelenës ishte prej kësaj familjeje”), për prejardhjen prej dere bejlerësh të vjetër të Konicës (“Më pas Veliu, i ati i Ali Pashës, si mbeti i ve, mori një grua të dytë, të quajtur Hanko, të bijën e Zejnel beut, një nga më të fuqishmit bejlerë të Konicës, derë pashallarësh deshqendante e Kastriotëve”), për zbritjen e tij nga Kastriotët (“këtë traditë për zbritjen nga Kastriotët e përmendin edhe shumë autorë të tjerë”); për “modestinë” tashmë të njohur të tij (“Dhe merret me mend me ç’bujë dhe me ç’enthuziazmë do ta kishin përdorur shumë shqiptarë të tjerë sikur të ishin ndodhur në vend të tij.

Po është shenjë për të vënë re e karakterit të veçantë e Faikut që këtë traditë, në vend që ta pranojë me gëzim, e kundërshton”); për “damarin” e tij (“Kur ka rastisur t’i thotë ndonjë mik se pa dyshim do të kesh një damar nga të Kastriotëve, Faiku ka qeshur dhe është përgjigjur me ftohtësi: S’besoj aspak. Një stërgjyshi im, i quajtur Mehmet Pasha, i cili rronte në kohë të dëgjuar, dhe nuk është çudi që, pas pak brezash, populli ta ketë përzier me SKëndërbenë”); për derën e Zjenelbejllive (“Dhe që ahere dera e bejlerëve të vjetër të Konicës njihet si dera e Zejnelbejllive”); për Zejnel beun (“Zejnel beu, nga martesa e tij me të motrën e Kurt pasha Beratit, pati një bij dhe një bir.

E bija u martua me Veli bej Tepelenën dhe lindi Alinë. I biri pati dy djem, Ismail benë dhe Sylejman benë”), për llagapin “Konica” (“Emrin e qytetit kjo familje e ka përdorur si llagap që nga kohët më të vjetra”); për stërnipërit e Ismail bej Konicës (“Stërnipat e tij sot janë një dajlë 19 vjeç i quajtur Zenel dhe dy vajza”); për villain e Ismail be Konicës, Sylejmanin (“Sylejman be Konica u martua me një zonjë nga bejlerët e Plasës ngaqë ishte i shëndoshë dhe rrumbullak, i ati dhe e ëma e quanin për ta perkëdhelur “shishko”), ashtu siç do të mbiquhet here-herë edhe vetë: Faik Shishko beu Konica.
 
Kush ishin “dy çupa dhe katër djem”?

Po të përjashtohej ndonjë e rrallë që, edhe ai i referohet vetëm këtij burimi dhe jo më shumë nga ç’na la Faiku, zor të gjendet edhe një tjetër “gurrë” për të njohur ca më nga afër motrat dhe vëllezërit Konica.
Atë me sa dimë, të vetmen njohuri dhe burim për këtë interesimin tone aktualisht – temën e këtij fejtoni: e mbesa e faik Konicës 57 vjet në Pejë! – e kemi në ata katër rreshta në vijim të Autobiografisë” së tij, tek thotë:
“Shahin be Konica, prej martesës së tij me një zonjë nga bejlerët e Delvinës, pati dy çupa dhe katër djem, ndër të cilët njëri ishte Faiku (nënvizoi R. K.).
Po më shumë se kaq? Hiç.
Si quhen motrat, ç’emra mbanin vëllezërit (me përjashtim të njërit, më të njohurit pas Faikut!), ku jetuan, si jetuan, a u martuan, ç’fëmijë lanë, patën apo jo nipa e mbesa…? Hiç.

Do të gjejmë, po ca më tutje, ta ketë zënë ngoje të ëmën, shkarazi, pa ia përmendur kurrë emrin, dhe vetëm në kontekst të t’et, duke rrahur gjoks me të pse kish vazhduar një traditë të vjetër familjare të përkrahjes së elementit të krishterë (“Tre vjet më parë, kur vdiq e ëma e Faikut…nënvizimi im! – pasi u mësua vdekje e zonjës, menjëher u mbyllën të gjithë dyqanet e të krishterëve për shenjë zie”) edhe pse e kish prishur një zakon që paskësh mbretëruar në Konicë dhe gjetkë: të mos binin këmbanat e kishës! Për vdekjen e nënës së Faikut, kambanat e kishës – me lejen e t’et – ranë! Në një tjetër shkrim dhe në një letër private do ta përmendë, prapë pa emër, një çikë më shumë edhe do të shprehë ndjenja të pikëllimit më të thellë kur merr lajmin për vdekjen e saj në vitin 1919, tek ish 43 vjeçar.
Kush janë pra, dy çupat, dy motrat, dhe katër djemtë, katër vëllezërit Konica, fëmijë të Shahin beut dhe nënës që nuk ia dimë emrin, pos që thuhet të ketë qenë nga bejlerët e Delvinës?

Njëri nga ata “katër djem”, siç e pohoi edhe vetë, ishte: Faiku. Një tjetër nga ata “katër djem”, vëlla i Faikut, edhe ai po thuaj shumë pak i njohur sidomos në brezin e ri dhe akoma më pak i zënë ngoje si vëlla i tij, qe – Mehmeti. Po dy vëllezërit e tjerë, që kurrë s’u përmendën fare në asnji shkrim deri sot, e madje as nga Faiku, i cili nuk na la asnjë shënim, jo vetëm për ata, por as edhe për Mehmetin.

Dy motrat e veta, ndërkaq, po ashtu pa na thënë emrat, ai edhe i “piketon” paksa: “Kur isha nëntë vjeç – thotë Faiku për veti, në veten e tretë – shkoi me të motrën, burri i së cilës ish officer, në Shkodër! Të jetë ky, vallë filli nga lidhet Peja, përmes Shkodrës me Konicën? Të jetë kjo, vallë, ajo lidhja që vihet midis pejanes konicase dhe Faikut? Të dalë s’andejmi, vallë, zanafilla që provokoi këtë fejton dhe këta rreshta? A është kjo mbesa e Faikut, vallë, që bëri 57 vjet si pejane, pikërisht bija e motrës me të cilën shkoi në Shkodër, kur ishte vetëm nëntë vjeç?

Si arriti të martohet nga Konica në Pejë? Me kë u martua? Sa fëmijë pati? Ç’thonë bijtë e saj? Është gjallë ende, a jo? Ç’kujtime la? Si dukej? Si vishej? Si fliste? Ç’thoshte për katër dajot, po në veçanti për dajkon Faik?
Po motra tjetër?
 
Jam Pejan, kam lindur në Konicë
Takimi me stërnipin
Nga gjithë ato të veçanta që e shquajnë, Peja ka për pejanët dhe një veçori ndoshta më pejanën e me pejanqen, ka një pikëpjekje a vendpjekje, një “universe” a një “universitet” miniature, ka si një rreth, një si mjedis, diç si klub, një “senat” të vogël, do të thosha, me traditë tashmë shumëvjeçare: një rrojtore. Një berberhane. Rrojtoren a berberhanen e Jusuf Haxhiut mu në qendër të Pejës, përballë shtëpisë së madhe të mallrave. Aty, në atë bankën e vogël para dyqanit, më të vjetrit të ulur, e ata një çikë më të “rinj” në këmbë, takohen edhe sot, prej aq motesh më parë (edhe kur ish në Zallë), një dorë pejanësh nga më të njohurit dhe më të shquarit, profesori Mahir Muhaxheri, stomatologu Shemsedin Agolli (i ndjerë), arkitekti Qemal Nallbani, profesori Gëzim Basha, Xhevdet Malushi, Zija Belegu e ndonjë tjetër nga të “rinjtë” dhe Muharrem Miki Pasha e Hamza Begolli nga më të vjetrit.

Në gjallje të vet, sa herë shkonte në Pejë, po sidomos viteve të fundit të jetës, nuk mungoi kurrë as akademiku Ali Hadri. Para kësaj rrojtoreje, “Te Jusufi”, takova njeriun që kërkoja për një dëshmi krejt tjetër për tjetër nga ç’më doli atë ditë mesmaji: më të vjetrin mësues të gjallë shqiptar në Pejë sot (bëri jo më pak se 55 vjet mësuesi!) , tetëdhjet e tre vjeçarin Hamza Begolli. E kërkova të më fliste ç’kish mbajtur mend, sa e njihte dhe çfarë mund të më tregonte, ndonjë hollësi, për një të bashkëburgosurin e tij dhe ish-profesorin tim të shqipes, Kolë Parubin, që u dënua me vdekje dhe u pushkatua nga fundi i vitit 1946 në Prizren.

-Asgjë, – ma preu shkurt. – Asgjë më shumë nga ‘di edhe ti për të, – shtoi pas pak.
Dhe përnjëherë ajo më e papritura, më e befasishmja dhe thuaj fare e pabesueshmja, një “colpo di scena”, si do të thoshin italianët:
- A e di ti se unë kam lindur, në Konicë?
- Ku?!
- Në Konicën e Faik Konicës!?
- Po, po…Mu në Konicën e Faik Konicës.
Unë e pashë jo me pak habi. Kisha rreth 60 vjet që e njihja si bashkëvendas, si pejan, dhe prej derës së bejlerëve të Pejës. E dija se kish ndonji vit që kish shkelur të tetëdhjetat. E shikova me ngulm, me mospërfillje të “zbulimit” që më bëri, duke e “shpjeguar” këtë të dhënë me moshën e tij ashtu të shtyrë dhe gjithë ç’mund të dalë nga memorja e plakur dhe ndoshta edhe e fishkur.

- Po dyshon? – më pyeti.
- Jo, jo… bëra unë me gjysmë zëri e me gjysmë goje, duke shikuar gjithë ata që kisha përreth në pritje që, në një mënyrë a në një tjetër, ose të ma pohoni, ose të ma mohonin këtë thënie të tij, meqë e njihnin dhe e kishin pothuaj përditë aty.
- Jam stërnip i Konicëve unë! – tha, ai, pa më lënë të mirrja ca veten dhe të flakja mosbesimin dhe dyshimet se e kish me taman, apo po fliste jerm, i “harruar” dhe i “ngatërruar” një çikë.
- Po tallesh me mua, Hamza bej? Po luan teatro?
- Me gjithë mend e kam, – më tha me seriozitet prej plaku dinjitoz dhe mendjekthjellët. Po ta them: unë kam lindur në Konicë dhe jam stërnip i Faik Konicës!
Ja, pikërisht këtu dhe në këtë dialog rasti zuri fill ky shkrim për mbesën e Konicës, për bijën e njërës nga dy motrat e tij, e cila para 82 vjetësh erdhi në Pejë, u bë nuse e pejanit, u martua, i kaloi 57 vjet në Pejë, lindi tre djem dhe një vajzë, nga të cilët njërin, Hamzën – në Konicë…
 
Cila është mbesa e Faikut?

Mjaftoi kaq. Mora më të parat shënime, për ndonjë orë me radhë, aty për aty, në bankën e vogël para rrojtores “Te Jusufi” dhe në praninë e pesë a gjashtë “senatorëve” të saj.
“Testova” ata, familjarët e mi dhe jo pak nga të njohurit e mi dhe të tij. Vajta edhe dy herë të tjera në Pejë me të njëjtin “objektiv”. I shkova Hamza Begollit edhe në shtëpi. E nxora edhe një herë, fare padrejtësisht dhe pa arsye, në “riprovim”, i shtyrë nga dëshira të provoja gjithë ç’më kish pohuar më parë, me theks të veçantë në emra, data dhe ndonjë hollësi. Bisedova edhe me anëtarë të familjes së tij (dy bijat, Verën dhe Virxhinien). Konsultova edhe dy grate e dy djemve të tij, si dhe njërin nipat e saj, Petritin. Më ndihmoi jo pak edhe Mithat Begolli.

Ja ç’më doli.
Doli, e pakontestueshme, se e ëma e Hamza Begollit vinte “nga lart”, që nga Konica, dhe ishte e bija e njërës nga motrat e Faikut.
Doli, e pakontestueshme, se – në saje të rrethanave çuditërisht të lidhura mes ndër vete, për të cilat do të flitet më poshtë – Ajo erdhi dhe u martua në Pejë.
Doli, e pakontestueshme, se kushdo e ka njohur nga rrethi familjar, nga miqtë dhe farefisi, nga fqinjët dhe, përgjithësisht, pejanët, në mos e ka ditur prejardhjen e saj të mirëfilltë dhe lidhjen aq të ngushtë me Faik Konicën dhe, përgjithësisht, familjen Konica, e ka vënë re atë më të veçantën dhe më të jopejanqen e saj: të folurit. Të gjithë thoshin dhe e pohojnë edhe sot se ajo, nëna e Hamzës, kishte një të folur “më të hollë”, tjetër nga të tjerët dhe se vinte, sigurisht, nga “matanë kufini”. Dhe se, të paktën Hamzën, të gjithë e “ngucnin” se i ka dajët – me fustanella.

Doli, po ashtu e pakontestueshme, se njërin nga tre djemtë, pikërisht bashkëbiseduesin tonë, e lindi, çop se po në Konicë, por akoma më shumë se kaq, në – kishë!
Ç’mbeti të dimë?
Mbetet shumë: emri i motrës së Faikut, emri i bijës së saj (i nënës së Hamzës), si ndodhi që erdhi në Pejë dhe u martua pikërisht me babanë e Hamzës, çfarë di stërnipi për katër vëllezërit dhe dy motrat Konica, si quheshin, ç’jetë bënë, ku dhe si shkuan motin?

Nuk ka dyshim, sado nuk gjeta kurrfarë burimi tjetër të cilit do t’i referohesha dhe ta mbështetja, se njëra nga dy motrat e Faik Konicës ka qenë me emrin – Xhevë. Kjo është, them, me siguri, me të cilën Faiku nëntë vjeç erdhi nga Konica në Shkodër, sepse aty, prej disa kohësh, i ishte transferuar i shoqi, oficer i perandorisë osmane. Po të kemi parasysh ditëlindjen e Faikut (5 mars 1876) dhe moshën e kish kur mori këtë më të parën rrugë të tij në jetë, nga aq ecejake të pareshtura nëpër botë, ku do të jetojë dhe do të vdes dhe, pos në vitin shkollor 1885-1886, kurrë më nuk do të kthehet në vendlindje, në Konicë; kjo do të duhej të ketë ndodhur në vitin 1885. (Faiku, me sa duket, ngatërron datat e shkuarjes së tij me të motrën në Shkodër: në kujtimet e tij që i botoi me 1900 thotë ta ketë bërë këtë më 1883, ndërsa në “Autobiografinë” e tij, jo po “kur ish nëntë vjeç”, d.m.th. më 1885).
Ajo më e padyshimta, ndërkaq është emri i bijës së Xhevës, i bijës së motrës së Faikut: Xhevahire.
Emri i motrës së dytë mbetet, gjithandej, i panjohur.
 
Nusja nga Konica në Pejë
Sakaq u përhap lajmi nëpër Pejë se malazeztë, pos që plaçkisnin, syrgjynosnin e vrisnin shqiptarët, atë më të keqen që bënin ishte se grave shtatzëna ua nxirrnin fëmijët nga barku. Baba im, duke pasur frikë nga kjo meqë, nëna ishte shtatzënë, më kish mua në bark, bën ç’bën dhe vendos ta largojë nënën time, Xhevahiren, nga Peja dhe ta dërgojë te dajët e saj në Konicë, ku do të ishte më e sigurt.

Përse Faiku nuk foli kurrë për vëllezërit dhe për motrat e veta, ndonëse mburrej me prejardhjen e tij familjare? Përse biografët e tij të derisotëm dhe sidomos faikistët heshtin, nuk kthejnë vëmendjen dhe as “prekin” jetën intime e familjare të Faik Konicës? Përse dyshohet a u martua, a pati grua a jo Faiku? A është Henriku, i lindur më 1897 në Francë, djali i Faikut? Si ndodhi që mbesa e tij, bija e motrës, të martohet në Pejë? E kujt ishte mbesa që mori mirënjohjen nga dora e Sali Berishës ditën e kthimit të eshtrave të Faikut në Tiranë? Ç’e lidhte Faikun me Apolinerin? Ç’portret i bëri Ernest Koliqi në “Shejzat”?
 
Relacioni Pejë – Konicë
- Unë u linda në Konicë më 1 prill 1912, tregon sot Hamza Begolli, – sado thonë edhe të kem lindur edhe më 1913. Nuk jam i sigurt për vitin, po për vendin jam më se i sigurt dhe nuk ka asnjë dyshim, për të mos e harruar kurrë, e pagëzuan – Xhevahire!
Kush e pagëzoi Xhevahiren? Faiku?
- Jo, jo Faiku. Faiku atë kohë nuk ish në Konicë. E pagëzuan vëllezërit e tjerë…
Cilët? Sa vëllezër Konica ishin? Ua di emrat?
- Po, si s’ua di! Shain be Konica, babai i tyre, pati katër djem: të parin dhe më të madhin Mehmetin, të dytin Rrustemin, të tretin dhe më të njohurin Faikun, dhe të katërtin Hilmiun.

Po motrave?
- I di vetëm kësaj, pra, nënës së nënës sime, gjyshes: Xheve. Nuk më kujtohet, s’e mbaj në mend emrin e motrës tjetër të Konicëve. Edhe ime ëmë sikur nuk më kish folur shpesh për të.
A e di Hamza se motra e dytë ka jetuar në Stamboll dhe se ke ajo Faiku vajti për vizitë? (Jup Kastrati: “Pak më vonë, shkoi me pasaportë bullgare tek e motra në Stamboll”!).
- Edhe e di, po nuk jam gjithaq i sigurt. Nuk më kujtohet…
 
Me motrën në Shkodër
Jup Kastrati, në monografinë e tij për Faikun, na jep këtë vit kur u transferua në Shkodër burri i motrës (nuk ka emër as motra, as burri), oficer në ushtrinë turke: 1883. Dhe konstaton vetëm kaq: “Atëherë Konica jetoi tek e motra. Gjatë vitit shkollor 1884-1885 ndoqi mësimet në Kolegjin Sevarian të Jezuitëve”.
Për kohën që qëndroi tek e motra në Shkodër, tek Xheveja e martuar për oficerin e nënushtrisë turke, për fëmijërinë e vet, për ditët pas shkollimit fillestar në vendlindje dhe për mësimet që ndoqi në Shkodër, ca kujtime na la edhe vetë Faiku, kur më 15 prill 1900 tek ish 25 – vjeç, rikujtoi vitet 1883-85;

“Më 1883 më rastisi që vajta në Shkodër me disa prindër, të cilët më çuan në shkollën e Jezuitëve. Mjegulla e kohës s’ma ka hequr ende larg kujtesës atë rrugë të ngushtë e të shtremtë që, duke filluar tek ajo udhë e gjerë që shkon te Kopështi i Kombit (Milet Bahçe), mbaron në shkollë të Jezuitëve. Shkollë e gjerë dhe e ajrosur tej e tej, me oborre të mëdha e me lodra, ku rinia shqiptare mëson të jeton një jetë më të butë, më të urtë e më vëllazërore. Mësimet, italisht, latinisht, frëngjisht e gjermanisht, jipen prej Etërve Jezuitë, me atë dije që as armiqtë e tyre s’ua mohojnë.

Artet e bukura, si muzika e piktura, si dhe fesat e shpeshta, e lehtësojnë trishtimin e mësimeve të rënda. Javë për javë, djemtë dalin e shëtisin në fusha, e janë jashtë mbi blerime: zakoni i mire që ua bën mendjen të gëzuar e të shëndoshë për të filluar mësimet e javës. Me këto dhe me të tjera, kjo shkollë mbahet në një shkallë të lartë, e gjithë ata që kanë parë shkollat e Francës e të Europës, munden të dëshmojnë se ajo e Shkodrës është e zonja për shumë punë të barazohet me to”.

Do të kthehet Faiku paskëtaj, vetëm për një vit ndoshta, në vendlindje dhe, s’andejmi, do të vazhdojë odiseada e tij mbi pesëdhjetë vjeçare nëpër të katër anët e botës: nga Konica, pas Shkodrës, në Stamboll (qe vetëm 12 vjeç kur vizitoi Abdyl Frashërin), nga Stambolli në Francë (për të studiuar me para të veta), nga Franca në Bruksel dhe nga Brukseli në Londër (për të nxjerrë “Albaninë”), nga Londra (hiq “ekskursionet” në Atdhe, në Bukuresht, në Athinë, në Triestë etj.), në korrik të vitit 1909, do të shkojë në Korfus (“për t’u takuar me prindërit e tij”) dhe më 9 tetor do arrijë në Boston. Aty, në Boston të Amerikës, pas 60 vjetësh, do ta mbyllë jetën dhe jo më pak se 53 vjet do të “pushojë” në varrezat e atij qyteti, afër-afër, vetëm ndonjë metër larg varrit të Nolit. Eshtrat do t’i kthehen në Atdhe në maj të vitit 1995.
 
Nimani e Xhevahireja (I)
Për mbesën e Faikut, nënën e vet, Hamza Begolli ka mjaft ç’të tregojë. Atij i kujtohen fjalët e saj dhe shumëçka që ka të bëjë me të dhe me “dajot” e me “dakjot” e saj:
-“Kam qenë e re, fëmijë, e rritur pa nënë. Vëllezërit më kanë shikuar më shumë mua, se fëmijët e vet. Kanë bërë be në kokën time”, mbaj mend të më fliste nëna. Më ka treguar edhe si më lindi në Kishën e Konicës, pasi e dërgoi babai im me përcjellës Osman Ademajn – Oskën dhe një gjellbërëse, se s’ia mbaj mend emrin: “Kur kaluan kufirin, kah Ohri, e paguan me dukatë, lajmëruan në Konicë dajot se po vjen Xhevahireja.

Atje, në fshat, më nxorën një kalë të bardhë. Unë që në fëmijëri kisha mësuar të ngisja dhe të hipja kuajt. Kali, azgan, s’e ndalte kush. Unë iu qasa, ashtu si dija dhe, në çast, kërceva mbi te”.
Po tjetër? Po më?
- Po ja. Ikur nga malazeztë, nëna, shtatzënë, vete ke dajallarët e saj, po pa vonuar shumë shfaqet rreziku që ta arrestojnë, apo edhe ta therin grekët! Vete dhe strehohet në kishë. Grekët vinë dhe aty, duan ta marrin. Arkimanderiti ndërhyn, “mos e mbysni”, bërtet. Nëna, e veshur allafranga dhe me greqishten e saj që e fliste aq mirë, i largoi dhe shpëtoi. Mua nuk më besohet, nëna nuk ma ka pohuar ndonjëherë katërcipërisht, po seç kam një bindje se më ka lindur pikërisht në ato ditë, tek ikte nga grekët, dhe mu në Kishë të Konicës! Ndodhi kjo më 1 prill 1912, në orën 5 të mëngjesit.

Po si ndodhi që të takohen, të njihen dhe të martohen Nimani dhe Xhevahireja? Nimani në Pejë, e Xhevahireja – në Konicë? Ishte kjo pyetje që më cyste kërshërinë më të madhe ta mirrja vesh dhe ta zgjidhja, ndonëse Hamza, sit a pandehte këtë gjë krejt të njohur, as e çonte fjalën andej.
- Si u takuan? Si u njohën? Ja po ta them. Më duhet, që ta kuptosh më mirë, t’i kthehem pak gjenalogjisë sonë. Ke dëgjuar për tim gjysh, për Halil Pashën?
- Jo.
- Po për dy djemtë e tij, dy djemtë e Halil Pashës?
- Babai im ka qenë Nimani, ndërsa axha Allani. Fëmijë të Allanit kanë qenë Hilmiu, Qerimi, Xhevati, Rifati dhe Kahremani. Baba im, Nimani, gruan e vet të parë e ka pasur nga Quranollët e Pejës dhe me të lindi katër djemtë: Sefedinin, Hasimin, Manushin dhe Qemalin…
 
Katërmbëdhjetë vjeç Nuse
Nimani e Xhevahireja (2)
Do të vijë, pra, Xhevahireja nga Konica në Pejë, do të martohet me Niman Begollin dhe do të bëjë rreth 60 vjet jetë në këtë qytet. I shoqi, Nimani, do të vdesë qysh në vitin 1929, pas ndonja 17-18 vjetësh jete bashkëshortore, duke e lënë të vejë shumë herët me katër djem nga gruaja e pare dhe me tre djem dhe një vajzë, që do t’i lindë vetë. Djemtë: Saniu, Hamza dhe Gjergjizi. Vajza Pakizja.

- Pa dale, dale, Hamza beg, se m’i more mendt me gjithë këta emra! Edhe nuk po i kap dot, dhe, sikur ende nuk po m’i përgjigjesh pyetjes kryesore që dua ta marr vesh. Më thuaj, të lutem, më në fund, shkurt: si u takua dhe si u martua babai yt me nënën tënde, mbesën e Faik Konicës. Më fol për Nimanin dhe Xhevahiren.
Ai stepi për një çast.
- Po janë të lidhura këto. Pa këto nuk do t’i kuptosh fare. Se po s’të thashë që im atë ka pasur edhe një grua para nënës sime, nuk mund të dalë te pyetje që po më bën dhe së cilës vazhdimisht, me gjithçka që të tregova, po i përgjigjem në njëfarë mënyre. Dëgjo: I vdiq babës sim, Nimanit, gruaja e parë, ajo që kish qenë nga Quranollët e Pejës, dhe e la me katër djem…

- E kuptova. La Sefedin Begun, Hasim Begun, Manush Begun dhe Qemal Begun. Të Sefedinit janë Adili dhe Faruk Begolli, apo jo?
- Po.
- Dhe pastaj do martohet me nënën tënde, me gruan e vet të dytë…
- Pikërisht. Por si? Babai i nënës ka qenë nga Tivari dhe oficer i lartë i Turqisë. Kishte gradë gjenerali. Në Bullgari ka qenë komandant divizioni ndëshkues. Nga Bullgaria e transferojnë në Maqedoni e mandej në Greqi. Merr vesh se vëllezërit Konica, derë e madhe dhe e njohur bejlerësh, kishin një motër për martesë, me emrin Xheve. E kërkon, ia japin dhe martohen. Pas pak e transferojnë në Shkodër. Aty i lind një vajzë, por i vdes gruaja. Vajzën e mbetur pa nënë dhe me babën oficer e marrin vëllezërit në Konicë ta rrisin dhe ta edukojnë, si të thashë, në shenjë kujtimi e dashurie për motrën e vdekur, e pagëzuan Xhevahire. Ajo vajzë, pra, Xhevahireja, është nëna ime…
E qartë.

- Dhe ja tashti si u njohtën Nimani e Xhevahireja: babai im dhe nëna ime. Motra e atij oficeri të ushtrisë turke, motra e Ismail Hakiut, motra e babait të nënës sime, ka qenë e martuar te Zatriqët në Pejë. Kur mori vesh ajo se Niman Begollit, babës sim i ka vdekur gruaja, menjëherë i ra në mend, iu kujtua Xhevahireja në Konicë, bija e vëllait të saj, ndaj vendosi të ndërhynte dhe ta martonte me të, t’ia jepte për grua.
Tashti e kuptova, më në fund lidhjen Pejë dhe Konicë! Do të bëhet “sebep”, siç i thonë, halla, motra e t’et, që Xhevahireja të vinte nga Konica aq e largët dhe të martohej në Pejë! Jo: shans i rrallë dhe derë e mirë, prej bejlerësh të Konicës ai rast i mirë dhe derë në zë, prej bejlerësh të Pejës.
 
Nimani e Xhevahireja (3)
Dhe kështu, pa u mbushur ndoshta as dhjetë vjet nga botimi i veprës së njohur të Çajupit, “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndërr”, në Pejë do të “shkruhet” një vepër e re, një histori mu si ajo: Katërmbëdhjetë vejç nuse!
Sepse, Xhevahireja, kur e sollën në Pejë – me ndihmën dhe ndërmjetësimin e hallës së vet të martuar te Zatriqët – nuk kish asnjë ditë më shumë se katërmbëdhjetë vjeç.
- Mund ta marrësh me mend, vazhdoi Hamza Begolli. – Ajo katërmbëdhjetë vejç, e im atë rreth gjashtëdhjetë dhe me jo më pak se katër djem, nga të cilët më i vogli 4 vjeç, tjetri 7 vjeç, kurse dy të tjerët bukur të rritur!

E shoqja e Hamzës, Shyhreti, motër e Ismet Shaqirit, – siç tregoi e bija, Virxhinia – mban mend edhe sot si ia ka përshkruar vjehrra takimin e saj të parë me të shoqin, Niman Begollin: “Kur hyra në dhomë, pothuaj fëmijë, 14 vjeç, dridhesha e tëra. Kisha turp të madh, e dija për çfarë më kishin sjellë në Pejë dhe përse gjendesha aty: sepse do të më martonin. Do bëhesha nuse. Katërmbëdhjetë vjeç nuse! Në atë dhomë duhej të njihja dhe të shihja për herë të parë tim shoq, burrin tim. Po ç’më panë sytë? Më panë: katër djem, dy ca të vegjël, dy më të mëdhenj dhe – një plak! Unë pandehja të ish ndonjëri nga djemtë im shoq, ndaj dhe, me shumë turp, pothuaj pa ngritur kokën, vidhja me sy çdonjërin veç e veç: të jetë ky imi? Jo, është i vogël. Po ai tjetri? Jo, moj jo, po edhe ay i vogël është.

Do jetë, thaçë, ay i treti…Ose ay i katërti. Njëri nga ata të dy do të jetë im shoq, doemos, mendoja. Kurrë s’do më kish vajtur mendja se halla ime do më zgjidhte për burrë – plakun! Dhe, që thua tinë, ata të katër djemtë e tija, njëri pas tjetrit zunë të dilnin jashtë. Lëshuan dhomën dhe, do ti, më lanë mua fmijën vetëm për vetëm me plakun. Ja, kështu u njohëm dhe u martuam ne të dy, moj bija ime. Unë, Xhevahireja nga Konica, dhe tim shoq, Nimani nga Peja…”
Do t’i lindë Xhevahireja konicase edhe dy djem të tjerë, të dy të pagëzuar me emrin Halil, por që të dy do t’i vdesin. Dhe do të bëjë jo më pak se 42 vjet jetë prej vejushe dhe do të vdesë po në Pejë, para 24 vjetësh, në vitin 1971.

“Orksurnas”! “Predemos”
- Nëna më fliste shpesh për Konicën, i kujtohet edhe sot Hamzës. – Më fliste për veshjen e atjeshme kombëtare, për doke e për zakone shqiptare të atij qyteti. Për opingat me tufa. Më kujtohet se më kish treguar sesi mos i brente teja, i fusnin fustanellat në vaj ulliri e mandej i linin të tereshin.
Kur dilnin në mal, për të luftuar me grekët i vishnin.

M’interesoi të dija a e fliste e ëma greqishten dhe a e “psoniste” edhe në Pejë? A kish mbajtur mend ndonjë fjalë të saj greke?
- E dinte për mrekulli greqishten. Në ato fillimet e veta deshi madje të ma mësonte edhe mua. Mirëpo, seç kish baba im një si inat dhe jo vetëm që nuk e lejonte të ma mësonte këtë gjuhë mua e fëmijëve të vet të tjerë, por ia kishin ndaluar rreptësisht edhe ta fliste vetë fare atë gjuhë. E kam dëgjuar me veshët e mi sesi e qortonte dhe i kërcënohej: “Po të pashë që m’i mëson fëmijët greqisht, apo po të dëgjoja që flet edhe vetë në atë gjuhë – jashtë!” Kështu i thoshte.
Po ndonjë fjalë a ndonjë shprehje greke, sidoqoftë, do t’i ketë shpëtuar ndonjëherë.

- Mbaj mend, po, fjalë “psomi” (bukë) dhe “nero” (ujë). Mirëpo më kujtohet mire se sa herë teshnim, ajo na thoshte “Oksurnas”. Ç’janë këto fjalë edhe vetë s’e di, po ma thotë mendja që duhet të kenë kuptimin “Shëndet” dhe “Shëndet paç!”. Ndoshta, nuk jam i sigurt. Mirëpo, e mbaj mend mirë se mu kështu më duhej t’ia ktheja nënës, kur teshtija dhe ajo më thoshte “Okusirnas”.

Me kohë, nusja katërmbëdhjetë vjeçare nga Konica do bëhet me tamam pejane, do të adaptohet me mjedisin dhe, po të mos ish e folura e saj aq e parëndomtë për veshin e vendasve e sidomos të shoqeve dhe ndonjë fjalë e shprehje greke që i shpëtonte sporadikisht, me asgjë tjetër nuk veçohej nga gratë e tjera. Mësoi shpejt të qëndisë dhe u bë e njohur me qëndismat e saj. Dinte edhe të qepte, kishte maqinën e vet qepëse.

(Vijon numrin e ardhshëm)
 

 Rilindja, 23 qershor 1995 – 31 qershor 1995

Shkrimi u publikua sot (19.01.2014) në suplementin Rilindasi të gazetës Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Meta ‘kokë më kokë’ me Kryemadhin: Një nga ne në Kryesi! S’do të thotë se do ikë Monika, mund të largohet edhe Iliri! Vendos vota

Meta ‘kokë më kokë’ me Kryemadhin: Një nga ne në Kryesi! S’do të thotë se do ikë Monika, mund të largohet edhe Iliri! Vendos vota