Mjekja dhe infermierja që u shoqëruan dje në polici janë marrë në pyetje dhe do të hetohen në gjendje të lirë. Mbrëmjen e djeshme u shoqëruan pas denoncimeve të qytetarëve për marrje ryshfeti së bashku me mjekun reanimator Fitim Marku, i cili ndodhet pas hekurave.

Ka qenë një person i infiltruar, i cili i dha para në shumën e 20 mijë lekëve të reja, që çuan në prangosjen e mjekut Marku.

Kamerat filmuan momentin kur efektivët shoqërojnë me pranga në duar, mjekun Marku drejt makinës civile të uniformave blu për ta dërguar në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës. Mjeku reanimator u arrestua ndërkohë që ishte në krye të detyrës.

Sipas hetimeve, mjeku Marku së bashku me mjeken dhe infermieren që po hetohen në gjendje të lirë merrnin shuma të konsiderueshme parash nga pacientë të ndryshëm për kryerjen e skanerave pranë Spitalit të Traumës në Tiranë.

Hetimet vazhdojnë - thotë prokuroria - për dokumentimin e veprimeve të tjera të kryera edhe nga personel tjetër mjekësor i përfshirë në këtë skemë korupsioni.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:05
Arrestimi i mjekut te 'Trauma', Kryemadhi: Doktori u vu në pranga si kartel droge! Rrisni pagat që të mos kërkojnë para nga qytetarët

1663436387_3056372996301743784776297269197796465550931n.jpg

Monika Kryemadhi ka reaguar për arrestimin e mjekut Fitim Marku te Spitali i Traumës duke thënë se u vu në pranga si kartel droge ndërsa hedh akuza ndaj qeverisë se me paratë e shqiptarëve furnizon korrupsionin masiv me inceneratorët.

Kryemadhi u shpreh se shqiptarët po harxhojnë më shumë për tu kujdesur për shëndetin ndërsa është korrupsioni është rritur por sërish fajin e gjen tek qeveria. Sipas Kryemadhit, duhet të rriten pagat e mjekëve në mënyrë që të mos marrin ryshfet nga qytetarët.

“Dje qeveria ka arrestuar një doktor për korrupsion, ndërkohë që vazhdon të furnizojë me paratë e shqiptarëve korrupsionin masiv me inceneratorët. Doktori u arrestua si kartel droge, kurse qeveria drejton një kartel korrupsioni nga zyrat e taksapaguesve.

Absurdi i shëndetësisë falas të Ramës, është se sot shqiptarët po harxhojnë më shumë për tu kujdesur për shëndetin dhe korrupsioni është rritur. Duhet dhënë fund korrupsionit në shëndetësi, por kjo kërkon trajtim me pagë dinjitoze.

Duhet të rrisim pagat e doktorëve, mësuesve, administratës, që ata të mos kenë nevojë për të parë qytetarët nga duart. Të gjithë shqiptarët kanë nevojë për paga më të larta, ndaj vendi ka nevojë urgjente për të krijuar më shumë vende pune të mirëpaguara, çfarë do të ndalonte edhe emigrimin masiv.

Të arrestuar duhet të jenë qeveritarët e inceneratorëve, jo doktorët, mësuesit e profesionistët”, shkroi Kryemadhi.