Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar gjyqtarin e Kushtetueses, Gani Dizdarin, duke e larguar nga sistemi i drejtësisë. I fundit i Kushtetueses u dogj për shkak të pasurisë dhe kontakteve me të inkriminuar. Blerja e një apartamenti nga vajza e gjyqtarit, Anisa Dizdari, deklaronte me çmime të ndryshme, në 2009 94 mijë euro dhe në 2017, 73 mijë euro. Vajza deklaron se ka marrë 2 hua për apartamentin, por sipas KPK, personat që i kanë dhënë hua, nuk kanë të ardhura të mjaftueshme

Trupa e KPK-së përbëhej nga Pamela Qirko, Roland Ilia dhe Olsi Komici. Gjyqtari s'ka qenë vetë i pranishëm në seancë, por është përfaqësuar nga avokati Sokol Hazizaj. Vendimi ka ardhur pas konstatimit se në deklarimin e pasurisë së gjyqtarit kishte kontradikta mes çmimit të blerjes dhe sipërfaqes. 

Me shkarkimin e Dizdarit, mbyllet kështu procesi i Vettingut për të gjithë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, e cila tashmë është në kolaps pasi vetëm dy anëtarë kaluan Vettingun. Bashkim Dedja dhe Vitore Tusha kaluan me sukses Vettingun, ndërsa janë larguar nga Vettingu ish-anëtarët e Kushtetueses Fatos Lulo, Altina Xhoxhaj dhe Fatmir Hoxhaj. Ndërkohë që Besnik Imeraj dha dorëheqjen dhe i shpëtoi Vettingut. Me largimin e Gani Dizdarit, shkon në pesë numri i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që 'firojnë' nga sistemi i drejtësisë.

Ndër të tjera, gjyqtari nuk ka deklaruar as në ILKDPI dhe as në Vetting, dhurimin e mbi 10 mijë eurove për t’u kuruar në Gjermani. Ndërkohë, vajza e gjyqtarit Anisa Dizdari deklaron se ka blerë apartamentin me hua nga 4 shtetas përfshirë babain e saj gjyqtar, në deklaratën e së cilës çdo herë deklarohet një çmim dhe sipërfaqe e ndryshme. Në 2009 KPK thotë 94 mijë euro dhe në 2017 thotë 73 mijë euro. 20 mijë eurot e marra nga kompania e ndërtimit vajza e avokatit nuk i ka deklaruar as në ILDKPI dhe as në Vetting edhe pse e ka detyrim ligjor.

Sipas një hetimi të KPK-së huadhënësit s’kanë pasur burime te ligjshme për t’ia dhënë vajzës së gjyqtarit por huaja rezulton ende e pashërblyer. Huaja që Anisa ka marrë prej 36 mijë euro nga shtetasi  Sh.D, rezulton se s’ka patur burime të ligjshme. Huaja e marrë prej 20 mijë euro nga shtetasi M.L. nga tatimet rezulton se as ky shtetas s’ka patur të ardhura.

Ndërsa shumën tjetër prej 26 mijë euro Anisës ia ka dhënë ish-bashkëshorti i saj. Sipas deklarimeve të saj rezulton se ai ka qënë emigrant dhe i ka fituar nga paga e tij. Në pasurinë e Anisës figuron dhe një automjet Mercedez Benz me vlerë 900 mijë lekë, për të cilin sërish ka gënjyer.

Ndër të tjera rezulton Dizdari ka kontakte dhe ka kaluar kufirin disa herë me automjetin e shtetasit A.L, i cili është i dënuar. Dizdari është shprehur se ka marrëdhënie familjare me të, ndërsa KPK shprehet se jemi para rastit të ekzistencës të një kontakti që mund të lidhet me krimin e organizuar pasi shtetasi A.L. është dënuar për ushtrim ndikimi të paligjshëm, rryshfet dhe korrupsion.