Pas ‘Teatrit’ Meta kthen ligjin për lojërat e fatit: I favorizon, ndikon në buxhet, industria u zgjerua

Pas ‘Teatrit’ Meta kthen ligjin për lojërat e fatit: I favorizon, ndikon në buxhet, industria u zgjerua

Presidenti Ilir Meta

TIRANE-Brenda pak ditëve, pasi ligjit për Teatrin Kombëtar, Presidenti Meta kthen në Kuvend një tjetër ligj, atë për tatimin mbi të ardhurat për lojërat e fatit. Ligji i miratuar, që nuk u dekretua dhe që synon uljen e barrës fiskale përkundrejt bizneseve të lojërave të fatit, sipas Presidentit nuk është vlerësuar në mënyrë të thelluar nga qeveria dhe Kuvendi. Meta shprehet se mbështetja e bizneseve në fushën e lojërave të fatit për gjithë kategoritë e tyre, përbën pengesë serioze për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social, ndërsa ka efekt negativ në buxhet.

Kreu i shtetit shton se nuk është trajtuar aspak çështja nëse mbështetja ndaj këtyre bizneseve nëpërmjet uljes së barrës fiskale, paraqet ose jo, risk të shtuar për zgjerim të aktivitetit të kësaj industrie dhe përhapjen e tyre masivisht në territorin e vendit, krahasuar kjo me impaktin social negativ që mund të sjellë prezenca e shtuar e këtij fenomeni në shoqëri. Në argumentet e paraqitura, Meta thekson se pavarësisht nga aksionet e ndërmarra nga qeveria në këtë drejtim kemi një rritje të aktivitetit dhe vëllimit të qarkullimit financiar të kësaj industrie.

Bie ndesh me frymën e legjislacionit në fuqi, në funksion të dekurajimit të aktivitetit të biznesit në industrinë e lojrave të fatit, si dhe krijon premisë për shtimin e fenomeneve negative që cënojnë familjen shqiptare.

Modeli i biznesit të lojrave të fatit nuk rezulton me vlerë të shtuar për shoqërinë, por përkundrazi zgjerimi i këtij aktiviteti në treg sjell rrezik potencial për varfërimin e ekonomisë familjare dhe krijimin e dramave sociale.

Pavarësisht nga këto ndryshime ligjore të realizuara në vitin 2015-2016 dhe aksionet e ndërmarra nga qeveria në këtë drejtim, rezulton se në vitet e fundit kemi një rritje të aktivitetit dhe vëllimit të qarkullimit financiar të kësaj industrie.

Stimulimi i këtij modeli biznesi nëpërmjet një regjimi fiskal të reduktuar, është me efekt negativ për buxhetin e shtetit, i dëmshëm dhe aspak produktiv për ekonominë shqiptare, nuk mbështetet në argumente të qëndrueshme socialo-ekonomike, si dhe nuk garanton zhvillimin e shendetshëm të shoqërisë shqiptare.

Disa nga argumentet e Presidentit për kthimin e ligjit

Tarifa fiskale mbi lojërat e fatit mbetet 15%, por me ligjin e ri parashikohej mbi fitimet bruto dhe jo mbi të ardhurat bruto. Aktualisht aktiviteti i lojërave të fatit nuk tatohet me tatim mbi vlerën e shtuar i cili është në masën 20% për shumicën dërrmuese të produkteve dhe shërbimeve, por me tatim mbi xhiron në masën 15%. Ndërkohë që Presidenti ka dekretuar disa nga ligjet e tjera të miratuara nga parlamenti.

NJOFTIMI I PLOTE
Në respekt të ushtrimit të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Institucioni i Presidentit të Republikës bën me dije se me Dekretin nr. 10850, datë 30.07.2018, Presidenti i Republikës ka vendosur kthimin në Kuvend të ligjit nr.39/2018, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat” i ndryshuar, me qëllim rishikimin e nenit 6 të këtij ligji, bazuar në argumentat e mëposhtme :

1. Ndryshimet e realizuara në nenin 6, të ligjit nr. 39/2018, janë të pa argumentuara dhe nga vlerësimi i tyre rezulton se, zbatimi i këtij neni do të sjell uljen e barrës fiskale dhe përfitim financiar vetëm në favor të bizneseve që operojnë në fushën e lojrave të fatit, ndërkohë që ky nen nuk është në interes të publikut, si dhe efektet e pritshme në buxhetin e shtetit apo në ekonominë familjare janë negative.

2. Miratimi i nenit 6 të ligjit nr. 39/2018, është në kundërshtim me përmbushjen e objektivave social të shtetit shqiptar parashikuar në nenin 59 të Kushtetutës, bie ndesh me frymën e legjislacionit në fuqi në funksion të dekurajimit të aktivitetit të biznesit në industrinë e lojrave të fatit, si dhe krijon premisë për shtimin e fenomeneve negative që cënojnë familjen shqiptare.

Institucioni i Presidentit të Republikës, ka vlerësuar se aplikimi i barrës së lehtësuar fiskale ndaj operatorëve në fushën e lojrave të fatit, nuk është vlerësuar në mënyrë të thelluar nga qeveria dhe Kuvendi, përkundrejt dramave sociale dhe konflikteve në familje që janë shkaktuar në vijimësi nga pjesëmarrja në lojrat e fatit.

Argumentat e shtjelluara mbi kthimin për rishqyrtim të nenit 6, të ligjit nr. 39/2018 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat” i ndryshuar, mund t’i gjeni në faqen zyrtare të institucionit të Presidentit të Republikës.

ARGUMENTET E PLOTA 
Në seancën plenare të datës 9 korrik 2018, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr.39/2018 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat” i ndryshuar. Ky ligj i është dërguar Presidentit të Republikës për dekretim dhe shpallje në datën 11 korrik 2018.

Sipas relacionit të Këshillit të Ministrave dhe Raportit të Komisionit për Ekonominë dhe Financat të Kuvendit, ndryshimet e propozuara në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, vijnë në kuadër të realizimit të nismës së qeverisë për implementimin e një pakete të re fiskale me qëllim dhënien e mbështetjes së vazhdueshme për sipërmarrjen private dhe garantimin e rritjes së qëndrueshme të tyre, gjë e cila prodhon punësim. Ligji nr.39/2018, i miratuar nga Kuvendi përmban gjithësej 8 dispozita, të cilat kryesisht prodhojnë lehtësira fiskale për disa sektorë të ekonomisë shqiptare.

Institucioni i Presidentit të Republikës vlerësoi në tërësi dispozitat ligjit nr.39/2018, duke kryer një analizë të efekteve pozitive që sjell aplikimi i lehtësirave fiskale në degë të caktuara të ekonomisë.

Nga studimi që ju bë dispozitave të ligjit nr.39/2018, Presidenti i Republikës, vlerëson pozitivisht iniciativën e qeverisë dhe Kuvendit, për ato dispozita të ligjit të cilat synojnë reduktimin e normës së tatim fitimit nga 15% në 5%, për biznesin e vogël dhe të mesëm, për fermerët që përfshihen në shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor, si dhe për ato biznese që operojnë në fushën e agroturizmit.

Përveç sa më sipër, nga shqyrtimi i ligjit nr. 39/2018, konstatohet se vetëm një dispozitë e tij dhe konkretisht neni 6 i ligjit, paraqet një problematikë të theksuar, pasi  parashikimet e tij realizojnë uljen e barrës fiskale, për bizneset që operojnë sot në të gjitha kategoritë e lojërave të fatit.

Për arsyet që do të shpjegohen më poshtë, neni 6 i ligjit nr. 39/2018, duhet të vlerësohet edhe një herë nga Kuvendi, në mënyrë që kjo paketë fiskale të realizohet në atë mënyrë që të jetë tërësisht në interes të publikut dhe ekonomisë, duke mbështetur rritjen e mirëqënies familjare, dhe aspak cënimin e saj.

Duke krahasuar efektet pozitive që vijnë nga zbatimi i barrës së lehtësuar fiskale ndaj operatorëve dhe bizneseve në fushën e lojrave të fatit, përkundrejt dramave sociale dhe konflikteve në familje që janë shkaktuar në vijimësi nga pjesëmarrja në lojrat e fatit, arrihet në konkluzionin se iniciativa propozuese për të lehtësuar barrën fiskale përkundrejt bizneseve të lojrave të fatit, nuk është vlerësuar në mënyrë të thelluar nga qeveria dhe Kuvendi. Në aktet që shoqërojnë këtë propozim ligjor, nuk ekziston asnjë argument në këtë drejtim.

Gjithashtu në përfundim të vlerësimit të nenit 6, të ligjit nr.39/2018, arrihet në konkluzionin se mbështetja e bizneseve në fushën e lojrave të fatit për gjithë kategoritë e tyre, përbën pengesë serioze për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social.

Prezenca dhe përhapja në territor i shumë biznesve në këtë sektor, rrit aksesin e qytetarëve ndaj lojrave të fatit dhe mundësinë e pjesëmarrjes në to, duke e keqorientuar individin për sigurimin e jetesës dhe nevojave të tij të përditshme, përmes aktiviteteve jo produktive.

Varësia e individit ndaj lojrave të fatit, krijon premisë për përkeqësimin e gjendjes ekonomike dhe nxit konfliktin brenda familjes, me pasoja të rënda shëndetësore dhe sociale. Relacionet që mbështesin propozimin e nenit 6 të ligjit nr.39/2018, nuk trajtojnë këto aspekte të rëndësishme, të cilat duhet të ishin vlerësuar me shumë kujdes dhe seriozitet nga qeveria dhe Kuvendi.

Bazuar në sa më sipër, në bindje të Kushtetutës së Shqipërisë dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të saj, Presidenti i Republikës, vlerëson se neni 6 i ligjit nr.39/2018, nuk është në përputhje me objektivat social të shtetit Shqiptar të përcakuar në nenin 59 të Kushtetutës, i paargumentuar nga ana ekonomike, dhe për këto arësye, ky ligj i duhet kthyer Kuvendit, me qëllim rishikimin e këtij neni.

1. Së pari, ndryshimet e realizuara në nenin 6, të ligjit nr. 39/2018, janë të pa argumentuara dhe nga vlerësimi i tyre rezulton se, zbatimi i këtij neni do të sjell përfitim vetëm në favor të bizneseve që operojnë në fushën e lojrave të fatit, ndërkohë efektet e pritshme në buxhet apo në ekonominë familjare janë negative.

 Neni 6, i ligjit nr.39/2018 të miratuar nga Kuvendi, parashikon ndryshimin e paragrafit të dytë, të pikës 7, të nenit 38, të ligjit nr.8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat” me këtë  përmbajtje:

“Tatimi mbi lojërat e fatit, sipas nenit 52/2, të ligjit nr.155/5015,”Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, aplikohet me shkallën 15% mbi të ardhurat bruto nga loja për të gjithë kategoritë e lojërave të fatit, përfshirë Lotarinë Kombëtare të licensuar sipas ligjit nr. 95/2013. E ardhura bruto nga loja është shuma e mbetur organizatorit nga diferenca midis shumës totale të luajtur nga lojëtarët në lojërat e fatit dhe shumë së fituar prej tyre. Tatimin mbi fitimin llogaritet në përputhje me dispozitat e këtij ligji”.

 Për të arritur në një konkluzion të qartë se çfarë ndryshohet realisht nëpërmjet këtij ligji është e nevojshme të evidentohet dispozita aktuale në fuqi, e cila sot, ka këtë përmbajtje:

“Të ardhurat e organizatorëve të lojërave të fatit tatohen me tarifën tatimore mbi të ardhurat bruto, sipas kuptimit dhe përcaktimit në ligjet respektive të fushës, ligjit nr. 155/2015 “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe ligjit nr. 95/2013 “Për miratimin e marrëveshjes së licencës për lotarinë kombëtare ndërmjet Ministrisë së Financave, si autoritet i autorizuar, dhe shoqërisë “Oesterreichische Lotterien”, GmbH, nëpërmjet shoqërisë “OLG Project”, sh.p.k.”.

Referuar përmbajtjes së dispozitës të ndryshuar rezulton se, industria e lojrave të fatit sipas nenit 6 të ligjit nr.39/2018, përfiton drejtpërdrejtë reduktim të barrës fiskale.  

Ky reduktim realizohet nëpërmjet aplikimit të sistemit të ri të tatimit për këto biznese, i cili me ligjin e ri përcakton si të ardhura bruto, jo “xhiron totale” (siç parashikohet nga ligji ekzistues), por “fitimet bruto”, e cila përllogaritet duke zbritur shumën e fituar nga lojtarët nga shuma totale e luajtur prej tyre. Pra sipas nenit 6 të ligjit nr. 39 /2018, barra fiskale e tatimit ulet nga 15% mbi xhiron, në 15% mbi fitimet bruto.

Për më tepër, aktualisht industria e lojrave të fatit ka një trajtim fiskal favorizues, sepse sipas ligjit në fuqi ndaj aktivitetit të lojërave të fatit nuk aplikohet tatim mbi vlerën e shtuar (TVSH), i cili është në masën 20% për shumicën dërrmuese të produkteve dhe shërbimeve.

Në relacionin e Këshillit të Ministrave që ka shoqëruar këtë nismë ligjore, por dhe në raportin e Komisionit për Ekonominë dhe Financave në Kuvend, nuk rezulton i argumentuar as impakti financiar buxhetor që do të ketë aplikimi i këtij neni. Në relacion duhej të argumentohej dhe pesha specifike e xhiros që u shpërndahet lojtarëve në lojrat e fatit, apo biletave fituese për të përllogaritur saktësisht impaktin e pritshëm negativ mbi buxhetin e shtetit.

Gjithashtu nuk rezulton të jetë arsyetuar qëllimi ekonomik i kësaj iniciative dhe nuk është trajtuar aspak çështja nëse mbështetja ndaj këtyre bizneseve nëpërmjet uljes së barrës fiskale, paraqet ose jo, risk të shtuar për zgjerim të aktivitetit të kësaj industrie dhe përhapjen e tyre masivisht në territorin e vendit, krahasuar kjo me impaktin social negativ që mund të sjellë prezenca e shtuar e këtij fenomeni në shoqëri.

Në mungesë të arsyetimit për qëllimin ekonomik dhe social të iniciativës për miratimin e nenit 6 të ligjit nr.39/2018, është qartësisht e evidentueshme që përfituesi real i këtij reduktimi fiskal është vetëm operatori/ët ekonomikë që zhvillojnë aktivitetin e tyre në fushën e lojrave të fatit, ndërkohë që as buxheti i shtetit, dhe as ekonomia në tërësi nuk përfitojnë nga aplikimi i këtij neni.

2. Së dyti, miratimi i nenit 6 të ligjit nr.39/2018, është në kundërshtim me përmbushjen e objektivave social të shtetit shqiptar, bie ndesh me frymën e legjislacionit në fuqi, në funksion të dekurajimit të aktivitetit të biznesit në industrinë e lojrave të fatit, si dhe krijon premisë për shtimin e fenomeneve negative që cënojnë familjen shqiptare.

Në praktikën e njohur botërore të ushtrimit dhe zhvillimit të lojërat e fatit rezulton se në shumë vende të zhvilluara, sektori i lojrave të fatit, ka një regjim fiskal më të lartë se sektorët dhe industritë e tjera për vetë natyrën e biznesit të tyre. Sistemi i taksave dhe tatimeve që aplikohet ndaj lojrave të fatit në shumicën e vendeve të botës është i ngjashëm me atë që aplikohet ndaj bizneseve që prodhojnë dhe tregtojnë mallrat e lluksit të tilla si alkoli, duhani, etj.

Modeli i biznesit të lojrave të fatit nuk rezulton me vlerë të shtuar për shoqërinë, por përkundrazi zgjerimi i këtij aktiviteti në treg sjell rrezik potencial për varfërimin e ekonomisë familjare dhe krijimin e dramave sociale.

Për më tepër gjatë viteve 2015-2016, Kuvendi ka miratuar ndryshime ligjore të cilat synonin përcaktimin e një regjimi fiskal dhe rregullator më të rreptë, shtimin e barrës fiskale, me qëllim dekurajimin e këtij aktiviteti.

Një nga këto nisma ligjore ishte miratimi i legjislacionit të ri për lojrat e fatit dhe konkretisht ligji nr.155/5015,”Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, i pasuar me ndryshime të tjera në vitin 2016 sipas këtij vullneti. Neni 6, i ligjit nr. 39/2018, është qartazi në drejtim të kundërt me vullnetin e deritanishëm të qeverisë dhe Kuvendit të shprehur me ligj.

Pavarësisht nga këto ndryshime ligjore të realizuara në vitin 2015-2016 dhe aksionet e ndërmarra nga qeveria në këtë drejtim, rezulton se në vitet e fundit kemi një rritje të aktivitetit dhe vëllimit të qarkullimit financiar të kësaj industrie.

Raporte të organizmave kombëtar dhe ndërkombëtar të publikuara ndër vite, kanë konstatuar se zgjerimi dhe inkurajimi i këtij modeli biznesi në indutrinë e lojrave të fatit, shoqërohet dhe me fenomene dhe pasoja negative për shoqërinë dhe familjen, të tilla si:

–          Humbje të konsiderueshme të pasurisë individuale dhe familjare, qoftë monetare, apo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme nga pjesëmarrja në lojrat e fatit; 

 –          Shtimin e rasteve të konflikteve familjare, kryesisht dhunës në familje ndaj grave dhe fëmijëve;

 –          Rritjen e numrit të rasteve të divorceve, si pasojë e konflikteve familjare që krijohen nga humbjet financiare në lojrat e fatit, apo braktisjen e familjes ;

 –          Shtimin e konflikteve në tërësi në shoqërinë shqiptare, dhe rritjen e konflikteve civile dhe procedimeve penale që shqyrtohen në sistemin gjyqësor;

 –          Rritjen e numrit të të pastrehëve, si shkak i lënies peng, apo humbjes së banesës nga pjesëmarrja në lojrat e fatit;

 –          Përkeqësim të gjendjes së shëndetit mendor, qoftë të personave pjesëmarrës në lojra fati, por dhe të familjarëve të tyre, duke sjellë në shumë raste deri në akte ekstreme të vrasjes apo vetvrasjes;

 –          Degradimin profesional të individëve, të cilët luajnë në lojrat e fatit, duke konsumuar kohën dhe aftësitë e tyre, në aktivitete jo produktive;

 –          Krijimin e varësisë nga lojrat e fatit tek grup moshat e reja, duke nxitur braktisjen e shkollës, përkeqësimin e nivelit të edukimit, dhe shtimit të riskut për tu angazhuar në aktivitete të paligjshme;

Edhe pse industria e lojrave të fatit, është e lejuar me ligj, duke vlerësuar fenomenet negative të mësipërme prej të cilave vuan aktualisht shoqëria shqiptare, Presidenti i Republikës vlerëson se, stimulimi i këtij modeli biznesi nëpërmjet një regjimi fiskal të reduktuar, është me efekt negativ për buxhetin e shtetit, i dëmshëm dhe aspak produktiv për ekonominë shqiptare, nuk mbështetet në argumente të qëndrueshme socialo-ekonomike, si dhe nuk garanton zhvillimin e shendetshëm të shoqërisë shqiptare.

 Ndryshimet e realizuara nëpërmjet nenit 6, të ligjit nr.39/2018, nuk i përgjigjen nevojave reale të shoqërisë shqiptare dhe për më tepër ato bien ndesh me objektivat sociale të shtetit shqiptar të përcaktuara në nenin 59 të Kushtetutës.

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,  
Për arsyet e parashtruara më sipër, në bindje të Kushtetutës së Shqipërisë dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të saj, kam vendosur kthimin e ligjit nr.39/2018, për rishqyrtimin e nenit 6, nga Kuvendi i Shqipërisë.

Me qëllimin e përmirësimit të këtij ligji në frymën e ruajtjes së vlerave më të larta të shoqërisë shqiptare, kërkoj angazhimin Tuaj për rishqyrtimin e nenit 6 të ligjit nr. 39/2018 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat” i ndryshuar, pasi në formën e miratuar, ky nen nuk është në përputhje me pritshmëritë e qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, nuk ndihmon në prosperitetin shoqëror dhe në përmbushjen e objektivave sociale të parashikuara nga neni 59 i Kushtetutës, si dhe krijon premisa për pasoja sociale dhe ekonomike për familjen shqiptare.

LIGJET E TJERA TE DEKRETUARA
- Dekret nr. 10842 datë 26.07.2018 për shpalljen e ligjit nr. 38/2018 “Për ratifikimin e korrigjimit të marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për huan e politikës së zhvillimit të sektorit financiar”.

- Dekret nr. 10843, datë 26.07.2018, për shpalljen e ligjit nr. 40/2018 “Për një shtesë në ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.

- Dekret me nr. 10844, datë 26.07.2018, për shpalljen e ligjit nr. 41/2018 “Për një shtesë në ligjin nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar”.

- Dekret nr. 10845, datë 26.07.2018, për shpalljen e ligjit nr. 42/2018 “Për ratifikimin e memorandumit të qëllimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për instalimin dhe përdorimin e Sistemit për Krahasimin dhe Vlerësimin e Sigurt të Identifikimit Personal (PISCES)”.

- Dekret me nr. 10846, datë 26.07.2018, për shpalljen e ligjit nr. 43/2018 “Për ratifikimin e protokollit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës për zbatimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komunitetit Evropian për ripranimin e personave me qëndrim të paautorizuar”.

- Dekret me nr. 10847, datë 26.07.2018, për shpalljen e ligjit nr. nr. 44/2018 “Për ratifikimin e marrëveshjes me vendin pritës ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit të Ballkanit Perëndimor”.

- Dekret me nr. 10848, datë 26.07.2018, për shpalljen e ligjit nr. nr. 45/2018 “Për ratifikimin e marrëveshjes së ndryshimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatic Pipeline AG, lidhur me marrëveshjen me qeverinë e vendit pritës”.|

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Meta: 03/08/2018 09:35

    Meta si Heta, nuk i di punet e veta.

    Përgjigju
  • Abdyli: 01/08/2018 01:02

    Bravo z ILIR META KAM PASUR TJETER OPINION KUR ISHE KRYETAR PARTIJE SI PELIVAN E MASHTRUES POR POR POZICIONI SI PRESIDENT MENDOJ QE VENDIMET QE MERR I VENDOS ME PERGJEGJESI TE PLOTE DHE NE FAVOR TE POPULLIT SHQIPETARET DUHET TE PUNOJNE DHE JO TE STIMULOHEN LOJRAT E FATIT QE SHKATEROJNE FAMILJET QEVERIJA RRADIKALE DHE ASPAK SOCIALISTE E ED RAMES SI NJERI ME BEGRAUND PIKTOR NUK E KUPTON QE ZHVILLIMI I NJE VENDI NUK VJEN AS NGA LOJRAT E FATIT AS NGA DROGA DHE AS NGA RRITJA E TAKSAVE SHQIPTARET KANE NJE QEVERI SI QEVERITE E DISA SHTETEVE TE AMERIKES LATINE DROGE KORRUPSION HAJDUTLLEK DHE NIVELE SHUME TE LARTA KRIMINALITETI KJO ESHTE PASQYRA E PARTISE SE ED RAMES

    Përgjigju
  • Populli i thjesht: 31/07/2018 21:30

    Ky dhoj presidenti nuk eshte imi,nuk perfaqson mu.

    Përgjigju
  • Berti: 31/07/2018 21:12

    Mire ja ka bere per mendimin tim ato s'duhen favorizuar se i moren njerzit nqafe atyre duhet t'ja rrisesh taksat dhe t'ja japesh tvarferve nepermjet rritjes asistencës

    Përgjigju
  • Qoqja: 31/07/2018 21:04

    Je ne gramet e fundit dhe po te duan te ndihmojn miqt dhe shoket nuk munden se zullumi asht i madh .tani ban garipin ban sikur ban detyren por po zbaton urdherat e burrit tend KRYEMADH .se ndryshe te ngel vetem koka e madhe . . . . . .

    Përgjigju
  • Faik: 31/07/2018 20:58

    Për Ligjin e BIXHOZIT Meta ka Plotësisht të drejtë dhe është hera e parë që jam dakord me METËN , sepse BIXHOZI është Shtuar Gjithandej dhe Nuk i Deklarojnë të Ardhurat asnjëherë! Është e vetmja INDUSTRI qê SHTETI duhet ta vinte me Shpatulla pas Merit , por SHTETI NUK DO sepse është pjesë e Kumarit dhe Bixhozit Gjithëandej ! Më e Neveritshmja ështê se gjithë KRYE KRIMINELËT dhe HORRAT që i kanë duart me GJAK , kontrollojnë BIXHOZIN , KAZINOT , LLOTOT SPORTIVE dhe SHTETI ju 'mban ISO' dhe është bërë palë me KRIMIN , njësoj si MAFIA e PDsë dhe LSIsë kur ishin në PUSHTET.

    Përgjigju
  • Ben Tironci: 31/07/2018 20:20

    E ka qa Meta natyrisht me bllok ne dore

    Përgjigju
  • Ilo: 31/07/2018 19:50

    E paskan gjetur klecken kunder ligjit mafiozet e lojrave te fatit ,kir te gjithe jane bere gati per fillimin e zbatimit te ligjit me 1 janar del Likja dhe i jep frymemarrjes se paligjshmerise ne kete fushe

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Meta mbledh Komitetin Drejtues të Partisë së Lirisë, përshëndet me përqafim Elona Gurin! E pranishme dhe Kryemadhi

Meta mbledh Komitetin Drejtues të Partisë së Lirisë, përshëndet me përqafim Elona Gurin! E pranishme dhe Kryemadhi