POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Operacioni në Nikël të Fushë Krujës, emrat e 5 të arrestuarve, Policia dhe Prokuroria bëjnë bilancin pas 12 orësh (Detaje)

Foto nga aksioni i FNSH-së dhe RENEA-s në Nikël

Report Tv ka mësuar emrat e 5 të arrestuarve nga aksioni i FNSH-së dhe RENEA-s në Nikël të Fushë-Krujës. Nga 11 të ndaluar, 5 prej tyre janë arrestuar nga policia dhe po qëndrojnë në qeli. Lista fillon me Marklen Haka, të cilit policia i ka sekuestruar armë zjarri, 30 milion lekë të vjetra dhe 35 mijë euro në banesë, të cilët dyshohet se rrjedhin nga aktiviteti kriminal. Një emër tjetër i arrestuar është Valter Bami, vëllai i Durim Bamit. Valter Bamit, në banesë i është sekuestruar një pistoletë.

Ndërsa persona të tjerë të arrestuar janë Lutfi Haka, Marklen Haka, Ylli Çangu dhe Skënder Leza. Në total janë pesë të arrestuar. Burimet bëjnë me dije se ende nuk ka asnjë urdhër arresti për Durim Bamin dhe Flamur Haken, të cilit deri në këto momente i është sekuestruar një mjet i blinduar dhe është liruar nga masa e ndalimit. Mësohet se Flamur Haka, pas marrjes në pyetje është liruar nga policia e Durrësit. 

Njoftimi i Policisë për operacionin në Nikël: 

“Forca e Ligjit” në veprim, goditen disa pjestarë të grupeve kriminale në Nikël të Krujës

Pas një hetimi intensiv disa mujor mbi veprimtarine e grupeve kriminale ne Nikël të Krujës, zhvilluar keto hetime ne kuader te operacionit “Forca e Ligjit”, si dhe në funksion te hetimeve te ngjarjeve te fundit kriminale te ndodhura, Policia e Shtetit, perkatesisht Drejtoria Vendore e Policisë, Departamenti i Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme, Forcat speciale RENEA, FNSH, trupat e posaçme operacionale ne bashkepunim me Prokurorine, kanë arritur te ndalojne në Nikël të Krujës disa elementë me rrezikshmëri shoqërore të larte, anëtarë të grupeve kriminale aktive në këtë territor, por edhe më gjerë. 

Veprimtaria hetimore disa mujore e Policise se Shtetit e zhvilluar ne kete kuader ka konsistuar ne pergjimin, ndjekjen dhe gjurmimin e ketyre elementeve kriminal si dhe mbledhjen e te dhenave ne rruge operative me qellim evidentimin sa me te plote dhe sa me te qarte te veprimtarise kriminale te personave te dyshuar per kryerjen e kesaj veprimtarie. 

Bazuar në urdhra kontrolli të miratuar me vendim te Gjykates, Policia e Shtetit ushtroi kontrolle në banesa të përdorura prej personave të dyshuar si anëtarë te grupeve kriminale. 

Operacioni nisi sot rreth orës 05:30 të mëngjesit. 

Gjatë këtij operacioni u shoqeruan nje numer personash dhe u arrestuan 5 shtetas. Ata janë:

• Lutfi Haka 67 vjeç, banues në fshatin Zezë, Krujë, i dënuar më parë;
• Marklen Haka 27 vjeç, banues në fshatin Zezë, Krujë, i dënuar më parë;
• Ylli Çangu, 42 vjeç, banues në fshatin Nikel, Krujë, i dënuar më parë;
• Skënder Leza, 34 vjeç, banues në fshatin Larushk, Krujë; 
• Valter Bami,.32 vjeç, banues në Larushk, Krujë.

Gjithashtu janë sekuestruar armë, municione, mjet të blinduar, euro, dollarë e lekë si dhe sende të tjera të poseduara në mënyrë të paligjshme. 

Konkretisht janë sekuestruar:

• 2 armë zjarri pistolete
• 4 armë gjahu e pushke sportive;
• 5 armë të ftohta;
• sasi fishekësh
• 4 palë dylbi
• 1 radio transmetuese;
• 39 000 Euro;
• 1 200 dollarë amerikanë ;
• 2 900 000 lekë të reja;
• 8 aparate celularë;
• 1 automjet i blinduar etj.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprime të mëtejshme për veprat penale " Mbajtja pa leje të armëve të zjarrit dhe municioneve luftarake", "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve të ftohta" dhe "Pastrimi i Produkteve të veprës penale" parashikuar në nenet 278/2, 279 dhe 287 të Kodit Penal.

Policia e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë po vijon veprimet përkatëse procedurale për të zbardhur rolin dhe aktivitetin anti-ligjor të të dyshuarve dhe disa personave të tjerë të lidhur me ta. Ne i sigurojmë banorët e Nikles, Krujes dhe gjithe Shqiperise se do të vazhdojmë të jemi të angazhuar për të garantuar qetësi, rend e siguri per ta duke goditur me ashpërsine e forcës së ligjit çdo individ të përfshirë në aktivitet kriminal. Operacioni “Forca e Ligjit” vazhdon.

Për megaoperacionin e policisë reagoi edhe Prokuroria.

Nikla e ‘tritolit’ u rrethua sot nga blindat e policisë. Fshati ku bënin ligjin ‘të fortët’ është gjunjëzuar që në orët e para të mëngjesit falë një operacioni të mirëorganizuar të forcave speciale, FNSH-së dhe RENEA-s, falë të cilit janë shoqëruar 11 persona, gjashtë prej të cilëve emra të njohura për policinë si pjesëmarrës në disa ngjarje kriminale, që nga gjobëvënia, vjedhjet e atentatet me tritol.

Vilat e të fortëve kanë qenë shënjestra e kontrollit policor në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, pjesë e të cilit në terren është bërë edhe vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Për t’i kapur mat brenda banesave policia ka përdorur një truk të vogël, duke lënë Niklën në errësirë totale, pasi kishte pikasur vilat ku do të ndërhyhej.

Report Tv siguroi i pari pamjet ekskluzive të momentit të shoqërimit të njëmbëdhjetë personave në fshatin Nikël të Krujës, ndërsa policia do i dërgojë në Tiranë. Në operacion morën pjesë mbi 20 mjetë të forcave speciale në aksion, autoblinda dhe furgona të FNSH dhe RENEA. Mësohet se policia ndërmori këtë operacion pas informacioneve se ata mund të arratiseshin nga Shqipëria.

f.g./l.q.
Komento