Reportazh/ ‘Ambjentalistët’ që vranë ullinjtë shekullorë të Salentos/ FOTO

Reportazh/ ‘Ambjentalistët’ që vranë ullinjtë shekullorë të Salentos/ FOTO

Foto nga protestat e bëra nga ambjentalistë e shoqëri civile për bllokimin e prerjes dhe kurimit të ullinjve të infektuar nga viti 2013 deri në 2015 (foto të marra nga kronikat e mediave të ndryshme italiane)

Ata janë të veshur trendy, flokët disa i bëjnë si të Bob Marleyt, bëjnë festa, pijnë marijuanë apo të tjera drogëra, flenë me orë të gjata e kur zgjohen... bëjnë protesta. Janë nga ato protesta që në Shtetet e Bashkuara, apo në Gjermani, bëhen nga 10 në çdo sekondë, por si mediat serioze, ashtu dhe shoqëria, nuk i jep rëndësi. Janë përherë vetëm disa dhjetëra vetë, temat i gjejnë nga më të ndryshmet: nga bllokimi i një gazsjellësi, te bllokimi i ndërtimit të një ure, të një hekurudhe, të çdo gjëje që shërben me shkencë dhe inteligjencë të respektojë njerëzit që në 2018 banojnë në Planetin Tokë. Por këta, pseudo ambientalistë, apo individë të mbirë nga rrjetet sociale, këta parazitë pa profesione e pa një aftësi për të bërë qoftë edhe një punë, në Italinë e Jugut, në të bukurën Salento, takën e çizmes së gadishullit, fqinjës tonë Itali, janë fajtorë të masakrës më të madhe dhe më të tmerrshme: Bllokimin e kurimit të prekjes së ullinjve shekullorë nga paraziti i Xylella-s, kjo “murtajë” e tmerrshme që koha e globalizmit e solli nga Amerika LAtine, në Itali, duke tharë deri më sot miliona pemë, monumente arti.


Alba Malltezi, në Salento të Italisë

ULLINJTE E SALENTOS  SI  NE SKENA APOKALIPSI
Isha mësuar përherë të admiroja me një respekt të thellë pemët shekullore, - disa jetojnë prej 2000 vitesh në këtë tokë - trungjet magjike të ullirit që mbushin plantacione të tëra në Salenton përballë Vlorës, Shqipërisë. Por këtë verë një pamje e papritur e tmerrshme, godet kë udhëton drejt Galipolit, zonës ku nisi e gjitha kjo tragjedi. Fusha të tëra me ullinj të vjetër të tharë plotësisht, shfaqen si një skenë e një filmi fantastikoshkencor, kur pas një apokalipsi, ti, i vetëm i mbijetuar, sheh tmerrin mbi tokë. Sëmundja që ka goditur ullinjtë e Salentos, tharja e plotë e tyre dhe vazhdimi i pandërprerë i kësaj epidemie që rrezikon të shpërndahet në gjithë Mesdheun, përfshi edhe Shqipërinë, kalon përmes fazash të tmerrshme indiference, manipulimesh, frike, paaftësie, që kur mendon se kanë ndodhur në një vend si Italia, të sjell në mendje një shprehje të vetme: “Shkenca nuk pranon demokraci”. Shkenca kërkon vetëm fakte dhe me fakte veprohet për të arritur një përmirësim. Në rastin e epidemisë së Xylella-s, një shpëtim.

Foto të bëra nga gjendja e ullinjve të tharë në korrik 2018


Foto të bëra nga gjendja e ullinjve të tharë në korrik 2018

ALARMI I DHENE NE 2013
Specialistët dhe autoritetet kompetente italiane dhanë në 2013 e largët alarmin se në qytetin e vogël të Tavianos, pranë Galipollit, disa pemë ulliri ishin prekur nga një sëmundje e paparë më parë. Një tharje e degëve që niste nga lart, prekte pastaj gjithë pemën. Specialistë nga qyteti i Barit, pasi bënë disa kërkime zbuluan se pemët ishin prekur nga Xylella fastidiosa ( e bezdisshme), një sëmundje që nuk njihej më parë në Mesdhe e në Europë, e sjellë nga bimë kafeje të eksportuara nga Amerika Latine. Me bakterin e Xylella-s, infektohej një insekt i vogël i zakonshëm në Puglia i familjes se cercopoidea-ve, dhe ky insekt fluturues (la sputtachina- pështymsja), infektonte pa u ndalur të gjithë pemët afër.

Specialistët dhanë versionin e tyre të prerë: “Duhen izoluar, vënë në karantinë urgjente pemët e infektuara, për të shmangur katastrofën. Duhen prerë pemët e prekura dhe disa përreth”. Atëherë bëhej fjalë për disa qindra që do të priteshin për të shpëtuar miliona të tjera.  Sot, pas një bllokimi dhe mosveprimi, flasim për miliona pemë ulliri të thara e vazhdimin e pandërprerë të tharjes së tyre me një rrezik të pashmangshëm: Në gadishullin e Salentos do të ndryshojë pamja përgjithmonë: Ullinjtë shekullorë të kohës së Cezarit, po vdesin sot.

PROTESTAT BLLOKUAN NDERHYRJEN SHKENCORE PER ELIMINIMIN E VATRES SE INFEKSIONIT
Dhe në këtë emergjencë, kuptuan se do të gjenin punë, vëmendje “ambjentalistët” dhe politikanët e rrjeteve sociale... për të bllokuar çdo gjë.  Ndërsa autoritetet pyjore në bashkëpunim me grupet kërkimore të Universitetit të Barit nisën planin e emergjencës për të izoluar zonën, çrrënjosur ullinjtë e infektuar e për të reduktuar masakrën e Xylella-s në gjithë ullinjtë, “ambjentalistë” e politikanë “opozitarë” nisën të hedhin në rrjet e në mendjet e të painformuarve shumë komplote: “Xylella nuk ekziston, duan të na trembin që të shkulin ullinjtë”, “duan të shkulin ullinjtë që të ndërtojnë”, “Tap-i është preteksti për të shkulur ullinjtë e Salentos”, “Ngujohemi të ullinjtë, asnjë të mos preket”. Ata pak protestues agresivë, të përzier me aspirantë politikanë, bënë që një hetim i prokurorisë së Lecces të bllokonte çdo veprim e të padiste institucione e kërkues shkencorë se “synonin të shkatërronin ullinjtë e Salentos e të bënin komplot”.

Foto nga protestat e bëra nga ambjentalistë e shoqëri civile për bllokimin e prerjes dhe kurimit të ullinjve të infektuar nga viti 2013 deri në 2015 (foto të marra nga kronikat e mediave të ndryshme italiane)

Ndërsa çdo gjë u pezullua, ndërsa çdo ditë që kalonte ishte përherë e më shumë vonë, sot në korrik të 2018, u arrit në një katastrofë: tepër vonë të merren masa për gati 20 milionë rrënjë ullinj të prekur e të destinuar me tharje të pashmangshme. Masakra e ullinjve nuk shmanget dot më.

Në një reportazh të pak ditëve më parë të gazetarit të mirënjohur Piero Angela, bëhet një reflektim mbi gabimet e mëdha, pengesat, thashethemet mbi komplote inekzistente dhe kohën e humbur për të ndërhyrë e për të shmangur epideminë më të rëndë që ka prekur ndonjëherë një pemë në Europë e Mesdhe, por tashmë asnjë zgjidhje nuk ka.

Pamja e ullinjve shekullorë të tharë, është grushti në ndërgjegjen e banorëve të Salentos, autoriteteve italiane dhe europiane, që nuk mundën ta shmangnin këtë në kohë. Dhe një reflektim se në Demokraci nuk mund të shndërrohet në Diktaturë arroganca e një grushti njerëzish që në jetë nuk kanë bërë asgjë. Vendet me demokraci të zhvilluar këta individë i lenë në periferi të vëmendjes, pasi është provuar se vetëm shumica, ligji dhe shkenca, janë ata që në raste emergjence kanë zë dhe veprojnë.

Rasti tragjik i ullinjve shekullorë të Salentos nuk ka përfunduar këtu. Këto bimë shekullore sot të thara, që panë e shoqëruan Cezarin e Augustin të kalonin në këto anë, janë një ogur i keq e një dëshmi se nëse nuk hapim mirë sytë, të çmendurit, ata që jetën e tyre e kanë ndërtuar keq, mund të na imponohen për të shkatërruar apo bllokuar gjërat më të shtrenjta që qytetërimi e natyra na ka falur me zemërgjërësi.




Ç’është xylella fastidiosa  dhe si shpëtoi Kosova prej saj
Eshtë një bakter që jeton dhe riprodhohet në linfën e bimëve dhe ushqehet me ujin dhe kripërat minerale të saj duke sjellë në tharjen totale të pemës. Xylella njihet në zonat e Amerikës Latine, në Brazil, Kosta Rika, Nikaragua dhe Shtetet e Bashkuara ku ka prekur bimë të hardhive, agrumeve, kafesë. Ndërsa nënspecia e saj, Xylella fastidiosa njihet si bakteri që sulmon në mënyrë agresive pemën e ullirit, siç po ndodh në gadishullin e vogël të Salentos, përballë Shqipërisë jugore.

Bakteri i Xylella-s është shënuar me shumicë pranie në Salento, por raste ka pasur edhe në jug të Francës, në Gjermani dhe një rast në Kosovë, por ku nuk ka gjetur përhapje për shkak të temperaturave të ulëta.

Në Shqipëri nuk është raportuar ndonjë rast i ullinjve të prekur nga Xylella fastidiosa,por kjo nuk do të thotë që autoritetet shqiptare të mos vihen në alarm dhe në kontakt të ngushtë me autoritetet italiane për këtë emergjencë që kërcënon tërë vendet e Mesdheut ku kultivohen ullinj e ndodhen pemë shekullore të kësaj bime të artë.

Insekti i Sputtachina-s mbartës e shpërndarës i bakterit të Xylella fastidiosa nga një pemë ulliri në tjetrën

IDIOTI NO-GLOBAL NGA MASSIMILIANO PARENTE*
Në fillim, në ag të shekullit të ri, ishin gati të gjithë të majtë, kundërshtarë të liberalizmit: no-global, no-logo, no-copyright, jo-asgjë.Teksti kryesor si pikë referimi ishte No Logo e Naomi Klein, një bestseller pak i lexuar dhe shumë i admiruar, ndërsa tani materialisht i harruar. Sot no-globalët janë përmbysur: janë bërë legistë në Itali dhe Donald Trump në Shtetet e Bashkuara (dhe ndërkohë Naomi Klein ka shkruar një tjetër libër, këtë herë kundër Donald Trump).

U paraprinë nga No-tav, kundër trenave me shpejtësi të lartë, pastaj dolën edhe no-Expot, kundër Expo-s së Milanos dhe no-urat, kundër ndërtimit të urës në ngushticën e Messinës. Karakteristika kryesore e këtyre lëvizjeve është se sapo të munden shkatërrojnë gjithçka, kantiere, vetrina, makina, monumente, por mbi të gjitha, të çajnë kokën.

Në fakt kanë ekzistuar gjithmonë, duke gabuar gjithnjë. Kur ndërtuan Kullën Eiffel, që e shihnin shumë të shëmtuar, e që u bë simboli i Parisit, dolën no-kullë Eiffelet, që në 1909 bënë një peticion të firmosur nga intelektualë që kërkonin shembjen.

Si përfundim, kur shihni ndonjë lëvizje no-diçka, të jeni të sigurtë se është gjithnjë no-inteligjente. Në përgjithësi, kur disa njerëz bëhen bashkë për t’i thënë Jo diçkaje, të jeni të sigurtë se e kanë hallin në një vend tjetër.

*Shkrimtar italian. (Marrë nga libri i tij i fundit Idiotokracia, botuar nga Bompiani, Itali)

/xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Fatja: 26/07/2018 23:35

    po a jane prona te dikujt keto ullishte, duken sikur jane mall pa zot. Por ne nje vend te vjetër kapitalist si Italia,keto rrefenja duken si perralla me mbret...

    Përgjigju
  • Kafsha: 26/07/2018 16:18

    Në Shqiperi nuk ka ndjesi për pemët që duhej të kishte ashtu sic stergjyshet tanë na e kanë lënë porosi pasi vendi eshte i shkelqyer per pemë frutorë dhe jo vetëm.. Por ne jemi kthyer ne neandërtalë . Masakrat mjedisore qe kemi kryer këta 28 vjet, nuk kanë emër të emërtohen!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale