Speciale/ Bilancet e Bashkisë
së Tiranës për vitin 2016

Speciale/ Bilancet e Bashkisë<br />së Tiranës për vitin 2016
Në një vit pune dhe bilancesh të një institucioni, ka duartrokitje, ka kritika, ka lodhje, gëzime por edhe vërejtje.

Qytetarët e Tiranës në këtë vit do të mbajnë mend disa investime dhe disa protesta. Në listën e investimeve, ku janë rreth 100 projekte, shumë të diskutuara kanë qenë ajo në Unazën e Madhe, si dhe parku i lojërave në Parkun e liqenit artificial. Po në vitin që lamë pas, Tirana kaloi edhe një përmbytje të madhe në fillim të muajit nëntor, e cila nxori në pah edhe defektet disa vjeçare me kanalizimet e qytetit. Por, po në këtë vit, për herë të parë Tirana bën ndarjen e diferencuar të mbetjeve që në burim. 

Zyrtarisht, buxheti i 2016 ishte 15. 5 miliardë lekë, pra 14 për qind më tepër se ai i një viti më parë. Ndër lajmet e gëzueshme pr qytetarët ishte rikthimi i pagesës së Bonusit të bebeve, ku nga ky rikthim përfitojnë prindërit që kanë sjellë në jetë fëmijë në vitin 2015, ndërsa ata të 2014 nuk mund ta marrin këtë bonus. Po pas 3 vitesh u rikthye edhe stimulimi financiar për nxënësit ekselentë. 

Por çfarë ka ndodhur në një vit në kryeqytetin e Shqiptarëve?!
Janë drejt përfundimit punimet e strukturës se re ikonike të Pazarit. Ka përfunduar Tregu i Fruta – perimeve dhe rikualifikimi i të gjithë zonës deri tek Merkata. Njëkohësisht, po përfundon edhe Tregu i Mishit dhe i Peshkut 

Bulevardi dhe Parku Qëndror i Tiranës
Bulevardi i Ri bashkë me Parkun Qendror dhe Parkun e Lumit të Tiranës do të jetë një nga zonat më me vlerë të Tiranës. Gjatë këtij viti janë bërë më shumë se 80% e shpronësimeve dhe puna ne Bulevard ka vijuar me ritme të larta. Momentalisht është drejt përfundimit parkimi Nëntokësor, që në fillim të vitit 2017 do t’i shtojë qytetit 305 vendparkime të reja, të cilat do të menaxhohen prej Bashkisë Tiranë. Sigurisht që fatura që ka shoqëruar këtë investim ka qenë shqetësimi në trafikun e Tiranës, i cili përveçse i ngarkuar vazhdon të jetë kaotik. 

Në Lumin e Tiranës, është realizuar në masën 80% volumi i punimeve dhe ne masën 90% rrjeti i kanalizimeve; Kanë mbaruar plotësisht 17 pritat shuarëse të Lumit; Kanë përfunduar argjinaturat mbrojtëse kryesore dhe dytësore në pothuajse të gjithë gjatësinë e Lumit. Edhe ky projekt ka pasur shqetësimet nga ata që jetonin në bregun e tij. 

Unaza e Vogël e Tiranës
Më në fund është hapur tërësisht hapësira në ndërtimin e Unazës së Vogël, ku më në fund është larguar edhe zhvendosja e nënstacionit. Në fillim të vitit ishte premtuar realizimi I procesit për shpronësimet të rreth 15 godinave do të fillonte puna edhe për demolimin e këtyre ndërtesave. 

Rikonstruksion i Sheshit “Skënderbej”
Deri me tani është përgatitur kantieri i ndërtimit, janë spostuar me një ndërhyrje kirurgjikale e me makineri të veçante te gjitha pemët ekzistuese. Sheshi pritet te mbyllet brenda 6-mujorit te parë te vitit 2017 duke i dhuruar qytetareve te Tiranes 11 lulishte te reja si dhe hapësirën pedonale me te madhe ne Ballkan e cila do te shfrytëzohet nga Bashkia si një qendër fokale për sa i përket aktiviteteve artistike dhe kulturore te qytetit. Në po të njëjtën hapësirë është duke u punuar me ritme te shpejta edhe për krijimin e një parkimi nëntokësor publik në Sheshin “Skënderbej”. Për këtë të fundit disa ambientalistë kanë protestuar, duke e cilësuar parkingun publik si kërcënim për cilësinë e ajrit në sheshin e kryeqytetit. 

Parku i Madh i Liqenit
Një nga investimet më të debatuara për vitin që lamë pas ishte dhe ndërtimi i këndit të lojërave në parkun e madh të qytetit. Qytetarët protestuan për disa muaj që të mos bëheshin punimet me beton në këtë park, duke i prishur statusin, park natyror. Realiteti ishte që më 1 qershor parku u bë i aksesueshëm për fëmijët dhe aktualisht është duke u punuar për ndërtimin e 2 fushave sportive prej 2000 m2. Gjithashtu po në këtë park u pastruan parkun nga ndotja dhe zaptimet e hapësirave. Projektet e radhës ku do të investohet janë parku i Kasharit, parku i Vaqarrit, Farkës, si tre valvula të tjera shkarkimi për hapësirat e gjelbra në qytet.

Mensa sociale
Bashkia e Tiranës ka hapur 3 mensa sociale. Mensa e parë u hap në Kombinat 25 dhjetor 2015. Më pas mensa e dytë u hap në zonën e Laprakës 29 mars 2016. Mensa e tretë sociale u hap në Shkozë, pjesë e Njësisë Administrative Nr 1, 30 nëntor 2016.

Të pastrojmë Tiranën 29 Maj, 2016
Aksioni i Bashkisë së Tiranës “Të pastrojmë Tiranën” u ndal në Njësinë Administrative nr. 11 të kryeqytetit. Punonjësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Promovimit të Qytetit, të Ndërmarrjes Nr. 1 të Punëtorëve të Qytetit, të Njësisë Administrative Nr. 11, por edhe komuniteti i zonës, u bënë pjesë e këtij aksioni pastrimi. Pjesë e këtij aksioni ka qenë edhe pastrimi I lumit të Lanës. 

Transporti publik 
Në 26 maj 2016, Këshilli Bashkiak miratoi shtimin e linjave të reja të autobusëve duke lehtësuar transportin e qytetarëve duke synuar mbulimin e të gjithë territorit urban të Tiranës.

Linja që pësoi ndryshim të madh ishte ajo Kristal-Qendër e cila tashmë ka një zgjatje të madhe duke filluar nga Selita dhe për të përfunduar në Allias. Një tjetër linjë që është zgjatur është ajo Qendër-Sauk, duke pësuar një zgjatim në dy pikat e saja fundore dhe bëhet Stacioni i Trenit-Sauk i Vjetër-Teg, Kopshti Zoologjik. Gjithashtu një linjë e re është edhe ajo që përfshin gjithë zonën industrial të Tiranës, City Park- Megatek-QTU- Terminal-Qendër.

Tirana ka 15 linja urbane dhe 25 linja rrethqytetëse për të kryer transportin publik. Në total janë 500 vendstacione.

Argëtimi
Sigurisht nuk ka mbetur jashtë vëmendjes së bashkisë edhe argëtimi. U krijua SportZonë, u mbajt edicioni I 8 I moto fest, festivali i Mini-Volley dhe një serë aktivitetesh të tjera.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com



 
 

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Mik i të gjithëve dhe idhull i tifozërisë, Sylvinho, trajneri i Kombëtares që shkëlqen përtej fushave

Mik i të gjithëve dhe idhull i tifozërisë, Sylvinho, trajneri i Kombëtares që shkëlqen përtej fushave