Speciale/Viti 2016 i opozitës
betejat në parlament e jashtë tij

Speciale/Viti 2016 i opozitës<br />betejat në parlament e jashtë tij
Viti i fundit para zgjedhjeve parlamentare pritej të ishte më agresiv nga partia demokratike në aksionin e saj të protestave dhe të denoncimit të aferave të qeverisë.

Ishte paralajmëruar një vit protestash, por rezultoi e kundërta pasi ato kanë qenë më të shumta të organizuara nga shoqëria civile apo forumet e kësaj partie.

Lidershipi demokrat e nisi 2016 dhe mbylli me takime intensive me qytetarët në çdo cep të Shqipërisë, ndërsa spikati ftesa e Lulzim Bashës për t’iu bashkuar PD-së, të majtë e të djathtë që janë kundër krimit, korrupsionit dhe keqqeverisjes. Madje disa here Basha u duk sikur ftesën e kishte edhe për ish-aleatin e PD në 2009-2013,  LSI e Ilir Metës.

Analistët politikë Roland Lami e  Aleksandër Çipa  e shohin në këtë mënyrë  turin e Lulzim Bashës në takimet me qytetarët duke e lexuar si një përpjekje për konsolidimin e  tij si lider i së djathtës  dhe i opozitës.

Akuzat ndaj qeverisë nuk munguan asnjë ditë për korrupsionin, kanabizimin e  vendit apo kriminalizimin, e madje këto akuza u përkthyen edhe me deklarata të forta për largimin e qeverisë  dhe krijimin e një kabineti teknik qeveritar.

Kësaj fryme u duke se iu bashkua për pak ditë edhe kreu i LSI Ilir Meta, i cili kërkoi kompromis politik të të gjithëve për reformën në drejtësi në të kundërtën do jepte dorëheqjen nga posti i kryetarit të kuvendit. Kjo situatë i bëri negociatat të vështira, por jo të pamundura, pasi u konkluduan me marrëveshjen historike për miratimin e ndryshimeve kushtetutese në 22 korrik. 

Por beteja nuk u mbyll këtu, ligjet që vënën në zbatim këtë reformë ishin një tjetër përballje politike mes maxhorancës dhe opozitës  e cila akuzoi kryeministrin se ligjet e reformës janë në shkelje me konsensusin për kushtetutën e madje ligji i Vettingut që do të bëjë vlerësimin e gjyqtarëve e prokurorëve, ndoqi një kalvar të gjatë institucional nga gjykatat kushtetuese tek komisioni i Venecias.

Ndërsa ka nisur numërimi mbrapsht i muajve për mbatjen e zgjedhjeve parlamentare, të cilat presidenti  Nishani  dekretoi me datën 18 qershor , sfida për partinë demokratike nuk është aspak e lehtë. Përballë partisë demokratike  me aleatët, parti aleate këto që kanë një peshë të vogël në realitetin politik në vend, është një maxhorancë tashmë e konsoliduar  ku përkrah PS rreshtohen LSI e PDIU, ku kjo e fundit ka pritshmëri në rritje  në zgjedhjet e ardhshme. 

Gjatë këtij viti pd pati rastin të testonte veten në dy raste ku u zhvilluan zgjedhjet e pjesshme lokale në Dibër  e Kolonjë,  ku akuzat e lidershipit demokrat adresoheshin qeverisë për  blerje të votave përmes parave të kriminalizuar dhe hashashi. 

Me shumë gjasa  ky do të jetë edhe formati i koalicioneve në zgjedhjet e 18 qershorit, ndërsa analistët përjashtojnë opsionin e një ribashkimi në koalicion të PD me LSI, kjo thonë ata do të dëmtonte më së shumti Partinë Demokratike. Ndërkaq  Lulzim Basha ka deklaruar se aleancën e ka me qytetarët  dhe hapja e Partisë Demokratike për të gjithë është objektivi për të cuar sa  më shumë vota në kuti për të djathtën në zgjedhjet e qershorit. Por a do të arrijë Lulzim Basha ta bindë elektoratin se është  alternativa më e mirë për shqiptarët?

Ndërsa flasim për zgjedhjet,  ndryshimet në ligjin që garanton procesin  electoral janë ende propozime politike të padiskutuara në komisionin e posaçëm  dhe koha për të ndërhyrë në kod është e limituar.  Për këtë çështje analistët mendojnë se kjo është një taktikë e të gjitha forcave politike e cila në fund të fundit u shërben për të justifikuar rezultatin zgjedhor të përballjes politike të 18 qershorit të 2017.

Në këto kushte mes dilemave për të fituar besimin e qytetarëve për alternativën e djathtë, lidershipi demokrat  e nisi dhe e mbylli vitin kalendarik të 2016. Por a do t’ia arrijë Lulzim Basha ti bindë ata? Kjo pyetje mund të marrë përgjigje vetëm pas 6 muajsh, me 18 qershor të 2017.

Deri atëherë Lulzim Basha ka ende kohë për të trokitur në dyert e shqiptarëve  për ti bindur se është alternativa më e mirë për ta.

(d.b/Shqiptarja.com)


 

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Franca dhe Gjermania arrijnë marrëveshje për “tanket e së ardhmes”

Franca dhe Gjermania arrijnë marrëveshje për “tanket e së ardhmes”