Lëkundjet e tërmetit që përfshinë sot Tiranën kanë shkaktuar çarje të soletës edhe në godinën e Teatrit Kombëtar. Në momentin e rënies së tërmetit brenda godinës kanë qenë disa aktorë për prova të një shfaqjeje, por fatmirësisht aktorët kanë qenë te pjesa shtesë që është bërë kohët e fundit dhe nuk kanë pasur rrezik për jetën.


(Aktorët te Teatri Kombëtar)

Në pjesën e rrezikuar kanë qenë vetëm punonjësit e institucionit, të cilët dolën menjëherë nga godina, por nëse gjatë lëkundjes sizmike do të kishte qenë duke u dhënë ndonjë shfaqje në skenë, aty mund të rrezikohej seriozisht edhe jeta e qytetarëve.

Nëse kemi një ngjarje këtu duhet dyfishi i kohës që të dalin qytetarët jashtë. Është në nivele minimale mbrojtja nga zjarri.

Shkëlqim Goxhaj, drejtor i Zjarrfikëses në Tiranë

Pas lëkundjeve, në godinë u konstatua një shkëputje e soletës nga kolona, karakteristikë e tërmetit, si dhe plasaritje të freskëta që përbëjnë problematikë për rënien e strukturave.

Gjithashtu, janë vërejtur edhe çarje në arkitrarë, çarje në gjatësinë e kolonave, të cilat sipas ekspertëve, ndodhin ekskluzivisht për efekt të amplitudave të ndryshme të tërmetit.

Por, ajo çka e bën edhe më të frikshme situatën është fakti se nëse lëkundjet e sotme të tërmetit do të kishin ndodhur gjatë një shfaqjeje, situata do të ishte edhe më alarmante, për shkak të panikut që përfshin spektatorët në raste të tilla.

Teatri Kombëtar ka vetëm një derë kryesore, ndërkohë që dyert e emergjencës mungojnë. Po ashtu, edhe mungesa e sinjaleve orientuese drejt daljes, në të tilla situate e bëjnë edhe më kritike situatën.