Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur të dënojë 13 vite burgim biznesmenin Kacjolin Zefi nga Shkodra, por për shkak të gjykimit të shkurtuar ky dënim është ulur me gati 5 vite, duke bërë që Zefi përfundimisht të dënohet me 8 vite e 8 muaj burgim. Zefi është një emër i njohur në Shkodër, pasi është hetuar edhe më parë për akuza të ndryshme. Zefi u deklarua fajtor nga gjyqtarja Miliana Muça, për akuzën e “Trafikimit të narkotikëve” kryer në bashkëpunim.
Së bashku me Zefin, Gjykata e Krimeve të Rënda ka dënuar me 7 vjet e 4 muaj burgim edhe bashkëpuntorin Ferid Halili, i cili këtë dënim e përfitoi nga gjykimi i shkurtuar, pasi fillimisht u dënua 11 vite burgim. Biznesmeni Shkodran Kacjolin Zefi së bashku me një person tjetër kamioni të ndaluar me 700 kg drogë në Durrës, janë marrë të pandehur,nga prokuroria e Krimeve të Rënda. Zefi dhe Ferid Halili që të dy nga Shkodra, rezultojnë sipas prokurorisë të jenë bashkëpuntorë në trafikimin e 700 kg hashash nga porti i Durrësit në drejtim të Italisë.
Kacjolin Zefi është arrestuar nga policia në datë 26 nëntor 2016, pasi akuzohet si pronari i 700 kg kanabis, që u sekuestruan në portin e Durrësit, me destinacion Italinë. Zefi u arrestua në Aeroportin e Rinasit dy ditë pasi u sekuestrua droga, teksa po kthehej nga Italia për në Shqipëri. Biznesmeni i konfesioneve Kacjolin Zefi, 51 vjeç u akuzua nga policia se kishte porositur lëndën narkotike, ndërsa shoferi që po e transportonte me kamion drejt Italisë u lirua.
Shoferi i kamionit nxori emrin e Zefit
Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë në automjetin tip kamion “Iveko” me targa AA 475 LO që drejtohej nga shoferi L.S., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 497 pako me peshë rreth 700 kg lëndë narkotike e dyshuar e llojit kanabis sativa. Kamioni transportonte materiale fasonerie, ku nga kontrolli me skaner është zbuluar lënda narkotike. Gjatë marrjes në pyetje drejtuesi i mjetit ka thënë se nuk ka qenë në dijeni për lëndën narkotike, duke bërë që të lihet i lirë, ndërkohë që tha se ishte i punësuar nga Zefi, pronari i një firme konfeksionesh dhe mbi të u përqendruan dyshimet se ishte organizatori i trafikut të ngarkesës së kanabisit. Tashmë Zefi po përballet dhe me një hetim tjetër që ka të bëjë me pastrimin e parave, dhe Krimet e Rënda kanë vendosur një masë sekuestroje ndaj pronave në emër të tij dhe familjarëve.
“Pasurinë e kam nga biznesi i fasonerisë”
Megjithëse është marrë i pandehur për tentativën e trafikimit të drogës nga Prokuroria e Krimeve të Rënda,biznesmeni Kacjolin Zefi gjatë fazës së hetimit ka pretenduar se paratë e siguruara prej tij dhe pasurinë që ai disponon, e ka falë biznesit familjar të përpunimit dhe eksportimit të konfeksioneve dhe veshjeve me shumicë. Sipas të dhënave që disponon gazeta “Shqiptarja.com” shoqëria “Felix M“ sh.p.k është një kompani fasonerie në Shkodër, regjistruar në vitin 1998 (në vitin 2007 ka blerë shoqërinë “Generale Made”) dhe ka si objekt të veprimtarisë së saj prodhimin e konfeksioneve dhe ka tre ortakë.
Përkatësisht shtetasja italiane Luiza Tili 80 për qind të kuotave, (motra e Kacjolin Zefit) Madalena Zefi 10 për qind të kuotave dhe Kety Michelessi 10 për qind të kuotave. Shtetasja Luiza Tili, ka deklaruar se paratë janë transferuar prej saj në llogarinë personale të shtetasit Kacjolin Zefi për llogari të shoqërisë “Felix M” shpk me qëllim blerjen e kapanonit apo kryerjen e pagesave të ndryshme. Mirëpo nga hetimet e kryera ka rezultuar se ky deklarim është në kundërshtim me provat e administruara sipas të cilave rezulton se vetë shoqëria “Felix M” shpk ka patur 3 llogari bankare të hapura në emrin e saj.
Tërheqjet e bëra nga shtetasi Kacjolin Zefi, sipas deklarime të bëra prej tij në bankë, kanë qënë për “nevoja familjare” etj si dhe një pjesë e madhe e parave të derdhura në llogarinë e shtetasit Kacjolin Zefi janë transferuar prej tij në një tjetër llogari bankare po në emrin e tij dhe janë përdorur për shpenzime të ndryshme si psh: blerje automjeti, apartamente etj.
Pasuritë e sekuestruara
Gjatë 27 shtatorit 2017 me urdhër të gjykatës së Shkodrës, u bë sekuestro e pasurisë së biznesmenit Kacjolin Zefi, i cili sipas policisë së shtetit është i arrestuar për trafik droge në 29 nëntor 2016, teksa donte të kalonte nga porti i Durrësit 700 kg drogë. Kacjolin Zefit i janë sekuestruar 246 m2 pasuri e paluajtshme dhe 3 automjete luksoze me vlerë 310 mijë euro makina dhe apartamente Automjetet i përkasin tipave luksoze si "Ferrari", "Porsche", "Peugeot" me vlerë 10 mijë euro.