Pas arratisjes së Altin Ndocit qetësia ka marrë fund në burgun ‘hotel’ të Durrësit. 206 të dënuarit dhe të paraburgosurit që ndodhen aktualisht në këtë institucion do të futen në “sitë” për të vlerësuar rrezikshmërinë e tyre.
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari ka urdhëruar Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve të hartojë një plan të ri dhe të rishpërndajë nëpër seksione të burgosurit, bazuar në rrezikun shoqëror që kanë.
Pika më e rëndësishme e urdhrit, transferimi i të gjithë personave me rrezikshmëri, që deri tani qëndronin në burgun e dalluar për ‘komoditetin e tij’, në një prej shtatë burgjeve të sigurisë së lartë në vend.
Report Tv mëson se në një seksion të veçantë në Durrës, aktualisht ndodhen 27 personazhe të botës së krimit, të konsideruar të rrezikshmërisë së lartë, mes 54 të dënuarve dhe 152 të paraburgosurve gjithsej. Altin Ndoci ishte një prej tyre, ndërsa dallon edhe Lulzim Berisha.
Burgu i Durrësit njihet edhe si “burgu i VIP-ave”. Në këtë institucion kanë vuajtur masën e sigurisë dhe denimin ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, ish-deputeti Alqi Bllako dhe ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, të cilët tashme ndodhen në liri. Aktualisht, në Burgun e Durrësit vijojnë të qëndrojnë ish-deputeti Jurgis Çyrbja, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, si edhe ish-zyrtarë të tjerë të lartë të akuzuar nga SPAK dhe në proces gjykimi.
Gjatë kontrolleve të zhvilluara herë pas here në këtë institucion janë gjetur edhe telefona celularë, të fshehur në ambientet e jashtme të burgut. Aktualisht, në të gjithë vendin ka 20 institucione të vuajtjes së dënimit, ndërsa 7 kanë seksione të sigurisë së lartë, si në Peqin, Fier, Korçë, Burrel si edhe institucionet 313 dhe 325 në Tiranë.
Komente












Kriminelët e rrezikshëm dhe vrasës serjal mbahen në kushte qejfi dhe çohen nëpër spitale për mbjellje flokësh apo për "dhimbje barku"ndërsa Erjon Veliaj mbahet në kushte ekstreme si në kohën e diktaturës.Duke filluar që nga drejtori deri te i fundit duhen shkarkuar dhe penalizuar.
Përgjigju