POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Vrasja në ish-Bllok, Apeli ndryshon masën e sigurisë: 'Burg pa afat' për Ervis Martinajn

Ervis Martinaj

Gjykata e Apelit të Tiranës ka pranuar kërkesën e prokurorisë duke ndryshuar masën e sigurisë për Ervis Martinajn nga 30 ditë burg  në burg pa afat. Kryetari i Gjykatës së Apelit Hysni Demiraj rrëzoi vendimin e gjyqtarit të Shkallës së Parë Artan Gjermeni duke e lënë në burg pa afat Martinajn deri në përfundim të hetimeve. Seanca ka qenë me dyer të mbyllura, pa praninë e mediave, pasi prokuroria ka theksuar se përbën sekret hetimor. Nuk dihet nëse prokuroria ka paraqitur prova të reja, por deri tani një nga provat më të forta që kanë në dorë është telefoni i Ervis Martinajt. 

Ervis Martinaj nuk ka qenë i pranishëm në seancën e sotme, por është përfaqësuar nga avokati i tij. Tani pritet që të shikohet nëse mbrojtja do të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë, e cila është në ngërç. Prokuroria e akuzon Martinajn si të përfshirë në konfliktin me armë brenda lokalit 'Monopol', në zonën e ish-Bllokut, në Tiranë, mbrëmjen e 4 tetorit, ku humbi jetën Fabiol Gaxha dhe u plagosën dy të tjerë. (Lexo këtu). Prokuroria ka siguruar pamje filmike dhe përgjime telefonike që e përfshijnë drejtpërdrejt Martinajn në këtë ngjarje. 

Misteret e telefonit të Ervis Martinajt
Pak ditë më parë, Gjykata Penale e Tiranës dhe një masë të dytë me 30 ditë burg për Martinajn, ndërsa gjyqtari Artan Gjermeni vendosi në dyshim provat për mesazhet telefonike, pasi sipas tij kishte mospërputhje të numrit të telefonit, të cilin Martinaj e mohon se është i tiji. Por, treshja e prokurorëve Kreshnik Ajazi, Artan Lulaj dhe Anisa Qilimi kërkuan ndryshimin e masës së sigurisë nga 30 ditë burg që dha gjyqtari Artan Gjermeni në burg pa afat, që u pranua sot.

Deri tani, argumenti më i fortë që prokurorët kanë në dorë është pikërisht ajo çfarë është gjetur brenda telefonit të Ervis Martinit, një celular I-Phone X të gjetur mbyllur me passëord por që është hapur në kohë rekord nga ekspertët izraelitë pas kërkesës për të vepruar për llogarinë e prokurorisë shqiptare.

Prokurorët thonë se janë evidentuar të dhëna të plota më rëndësi për faktet objekt hetimi në celular. Sipas prokurorisë në procesverbalin e sekuestrimit pasqyrohet saktësisht fakti që aparati telefonik i sekuestruar të hetuarit Ervis Martinaj në ambientet e spitalit të traumës është pikërisht ai me IMEI qe perfundon me numera ''587''.

Ky celular është i rëndësishëm sepse sipas prokurorëve të çështjes nga ai aparat telefoni nëpërmjet applikacionit ''Telegram'' është dërguar një mesazh për të thirrur disa persona ''që të vinin  menjeherë në lokalin e Redi Pupeskut të armatosur''. Por pikërisht ky element (një nga ata të përdorur për të kërkuar arrest në burg të Martinaj) u vendos nën dyshim nga gjyqtari Artan Gjermeni i cili pretendoi që prokuroria në fakt e ka paraqitur si celularin  e Elvis Martinaj një tjetër aparat celulari, që ka Imei  një numër që përfundon me ''580'' (Lexo këtu).

Prokurorët e apeluan vendimin, ndërsa gjyqtari Hysni Demiraj, që është kryetar i gjykatës së Apelit e pranoi kërkesën duke e lënë në burg pa afat. Ervis Martinaj është nën hetim për 6 akuza, mes tyre vrasje e mbetur në tentativë, pastrim parash dhe zhvillimi i aktivitetit të lojërave të fatit pa leje. Ndërkohë që vijojnë kërkimet për arrestimin e autorit të vrasjes në Bllok, komandos Merviol Bilo, por edhe biznesmenit Ervin Mata, që është i dashuri i këngëtares Elvana Gjata dhe shokëve të tij.

Report Tv pak ditë më parë publikoi pamjet e momentit të përplasjes me armë zjarri në Bllok (shiko këtu). Për ngjarjen e Bllokut, ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha, janë në burg Ervis Martinaj, Eljon Hato dhe Geldo Hoti, ndërsa në kërkim janë Ervin Mata, Fabio Allushi, Meviol Bilo dhe Ajaks Boshnjaku.

d.ba./r.k.
Komento