Mustafa Martinaj kërkon zyrtarisht nga Gjykata e Lezhës shpalljen si të zhdukur të të birit, Ervis Martinaj, fati i të cilit nuk dihet prej gushtit të vitit 2022.

"Shtetasi Mustafa Martinaj kërkon  pranë Gjykatës  së  Shkallës  së  Parë  të  Juridiksionit  të Përgjithshëm Lezhë  shpalljen të zhdukur të shtetasit Ervis Martinaj i datëlindjes  6.10.1982, lindur në Burrel dhe banues në Fushë-Kuqe, Patok, Kurbin",- thuhet në kërkesë.

Sipas ligjit, një person mund të shpallet i zhdukur me vendim gjykate nëse mungon nga vendbanimi i tij dhe nuk ka pasur asnjë lajm për të për më shumë se dy vite.

Nëse gjykata vendos për shpalljen e tij të zhdukur dhe për Ervis Martinajn nuk do të ketë asnjë informacion në harkun e 4 viteve të tjera, plotësohet kufiri ligjor kur familjarët mund t’i drejtohen gjykatës për një tjetër hap, shpalljen e tij të vdekur.

Më 28 janar 2025 SPAK kërkoi konfiskimin e 35 pasurive të Ervis Martinaj disa prej të cilave edhe në emër të familjarëve të tij, prindërve, motrave dhe bashkëshortes. Pasuritë, për momentin të sekuestruara kapin vlerën miliona euro dhe hetuesit kanë dyshimin se janë vendosur me burim parash që rrjedhin nga veprimtaria kriminale.

Por a ka lidhje kjo lëvizje e familjarëve për ta shpallur zyrtarisht të zhdukur Matinajn, edhe me pasuritë e tij?

Kodi përcakton se për pasuritë e një personi të zhdukur caktohet një kujdestar për menaxhimin e tyre kur nuk janë të sekuestruara. Hetimi pasuror nuk pushohet. Edhe nëse pas 4 vitesh, sic parashikon ligji, Martinaj do të njihej zyrtarisht i vdekur, familja mund të kërkojë heqjen e tyre nga sekuestro, por gjithnjë në fund është gjykata që vendos

Bosi i lojërave të fatit, Ervis Martinaj, rezulton i zhdukur që prej 8 gushtit 2022 dhe për fatin e tij nuk dihet asgjë. Policia ka kryer disa operacione në kërkim të 40-vjeçarit, por ende pa sukses, përfshirë këtu edhe fortesën e tij në Fushë Kuqe. Kontrolle për Martinajn janë kryer në Durrës, Shijak e deri në Vlorë.

Më 28 janar të këtij viti SPAK kërkoi konfiskimin e 35 pasurive të bosit të lojërave të fatit, Ervis Martinaj dhe familjarëve të tij. Pasuritë që kapin vlerën miliona euro janë të sekuestrua me vendim të GJKKO më 15 shkurt 2023 dhe tashmë SPAK kërkon që t’i kalojnë përfundimisht shtetit. Sipas Prokurorisë së Posaçme, lista me 35 pasuri e Ervis Martinajt dhe familjarëve të tij, është vënë përmes veprimtarisë kriminale të ‘mbretit’ të kumarit.

Pjesa më e madhe e pasurive për të cilat kërkohet konfiskimi janë në emër të familjarëve të Martinajt, prindërve Mustafa dhe Vasilika, motrave Erjona dhe Drenica, si edhe në emër të bashkëshortes së tij Roberta Martinaj.