Ylli i muzikës ‘Pop’ feston 60-vjetorin, një rrugëtim në jetën e Madonna-s

Ylli i muzikës ‘Pop’ feston 60-vjetorin, një rrugëtim në jetën e Madonna-s

Artstja botërore, Madonna

Madonna Louise Veronica Ciccone, e cila njihet shkurt me emrin Madonna ka festuar sot 60-vjetorin e lindjes së saj. Gjatë gjithë karrierës, ylli i muzikës “Pop” ka performuar në 10 turne koncertesh. Madonna ka shitur mbi 300 milionë albume, duke u bërë kështu artistja femër me më shumë albume të shitura në të gjitha kohërat, dhe duke hyrë gjithashtu në librin e rekordeve botërore “Guinness”.

Artistja ka lindur në 16 gusht në vitin 1958 dhe është rritur në Rochester të Michiganit. Ajo u zhvendos në Nju Jork në vitin 1977, ku studioi për kërcim e punoi si modele. Që në moshë të re ylli i suksesshëm ka treguar një përkujdesje ndaj pamjes dhe sigurisht edhe ndaj stilit të saj të veçantë.

Në fillimet e karrierës muzikore, Madonna regjistroi disa “demo” me të dashurin e saj Stephen Bray. Por, “demo”-t e saj ranë shumë shpejt në duart e bosit të “Sire Records”, Seymour Stein, në një kohë kur ajo po kurohej në spital. “Holiday” ishte hiti i parë që la gjurmë në karrierën e saj në tregun amerikan, duke hyrë në klasifikime në fundin e vitit 1983 dhe duke u ngjitur deri në vendin e 16 në janar të vitit 1984.

Madonna njihet gjithashtu me hitet e hershme si “Like A Virgin” apo “Material Girl”. Viti 1985 do të ishte historik për këngëtaren e re. Turi i saj muzikor i mbiquajtur “Virgin” korri sukses, u mbështet nga “Beastie Boys”, ndërsa Madonna performoi në një koncert “Live Aid”, në përpjekje për të grumbulluar të ardhura për të varfërit në Etiopi. Këngëtarja gjithashtu ju fut karrierës në aktrim duke marrë pjesë edhe në filmin e saj të parë, dramën-komedi “Desperately Seeking Susan”, në vitin 1985, ku mori vlerësime përgjithësisht pozitive nga kritikët dhe frekuentuesit e kinemave.

Artistja u martua më pas me aktorin Sean Penn në një skaj të Kalifornisë, në vitin 1985. Çifti luajti gjithashtu në filmin e vitit 1986 “Shanghai Surprise”, i vendosur në kohë në Kinën e pushtuar nga japonezët gjatë vitit 1938. Por, do të ishte albumi i saj i tretë “True Blue”, i publikuar në 1986-n, ai që do të përcaktonte ngritjen e saj në nivelin e yllit të popit. Pasi kapi vendet e para në top 12-shen, prej atij albumi dolën plot 5 hite. Njëri prej tyre ishte “Papa Don’t Preach”, një këngë që i dedikohej shtatzënisë në adoleshencë.

Në vitin 1989, Madonna do të ndahej nga Penn, ndërsa po atë vit do të publikonte këngën “Like A Prayer”, videoklipi i së cilës shfaqje djegien e kryqit dhe këngëtaren teksa puthte një shenjt me ngjyrë. Pavarësisht debateve e kundërshtive, albumi kapi menjëherë vendin e parë. Albumi u ndoq nga publikimi i këngës “Vogue” dhe turi “Blond Ambition”, me një ndryshim të theksuar të imazhit të Madonnës.

Në vitin 1992, Madonna nisi të shkruante. Ajo botoi një libër ilustrativ të titulluar “Sex”, ku shfaqej vet Madonna në një seri pozash tejet të nxehta, disa prej të cilave me personazhe të njohur të modës, si Naomi Campbell dhe Vanilla Ice.  Në vitin 1996, karriera kinematografike e Madonnës do të pasurohej me rolin kryesor të Evitës, Evita Duarte, gruaja e presidentit argjentinas Juan Peron.

Në vitin 1996 Madonna solli në jetë vajzën e saj të parë Lourdes, pas lidhjes me trajnerin e fitnesit, Carlos Leon. Madonna iu rikthye muzikës në vitin 1998 me albumin “Ray Of Light”. Regjisori Guy Ritchie do të ishte personi tjetër që do të hynte në jetën e Madonnës në vitin 1998, pasi u njohën gjatë një feste të zhvilluar nga gruaja e Sting, Trudie Styler. Me Ritchien, Madonna solli në jetë djalin Rocco, i cili u pagëzua më 21 dhjetor të vitit 2000. Ditën tjetër çifti u martua, me ceremoninë martesore të zhvilluar në kështjellën “Skibo” në Inverness të Skocisë.

Viti 2003 do të sillte një tjetër gjest të çuditshëm të Madonnës, teksa u puth me gjuhë me Britney Spears dhe Christina Aguilerën në mesin e një performance në “MTV Video Music Aëards”. Madonna e zgjeroi familjen e saj teksa adoptoi foshnjen 13-muajshe David nga Malavi, duke marrë miratimin përfundimtar në vitin 2008. Po atë vit, Madonna e Ritchie do të divorcoheshin, duke i dhënë fund martesës 8-vjeçare.

Në vitin 2012, Madonna u bë e para femër e një finaleje “Super Bowl”-i që rrëmbeu titujt kryesorë të medieve. Performanca e saj vendosi një rekord për audiencën më të lartë të shikueshmërisë. Në vitin 2014, Madonna u shfaq në tapetin e kuq me djalin David Banda Mëale Ciccone Ritchie në përvjetorin e 56 të Çmimeve “Grammy”, në Los Angeles të Kalifornisë.

Së fundmi në vitin 2017, “Forbes” përllogariti pasurinë e Madonnës. Me një shifër prej 580 milionë dollarësh, ylli i popit u bë femra më e pasur artiste në tokën Amerikane.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

CRIME STORY: Sabotimi i dytë i 21 janarit, publikohen dokumentet e panjohura të hetimit, krerët e policisë nuk zbatuan urdhrat e ndalimit për gardistët

CRIME STORY: Sabotimi i dytë i 21 janarit, publikohen dokumentet e panjohura të hetimit, krerët e policisë nuk zbatuan urdhrat e ndalimit për gardistët