VELIPOJË- Një 17-vjeçare e cila kishte shkuar për të pushuar në plazhin e Velipojës në vendin e quajtur "Vilun" është gjetur dje e pajetë rreth 700 metra larg bregut të detit. Fillimisht u dyshua se ajo të ishte mbytur, por sot raportohen për detaje të tjera.

E mitura, Enisa Doda kishte shkuar në plazh me pushime me familjen e saj. Rreth orës 14:00 të ditës së djeshme, së bashku me 25-vjeçarin Indrit Bajraktari, ata kishin marrë një motor uji me qira. Pas më shumë se 2 orësh, rreth 16:30, në breg ka dalë vetëm 25-vjeçari, duke lënë të mbytur në ujë vajzën.

Dyshimet për ngjarjen e rëndë kanë lindur nga pronarët e motorit të ujit të cilët nuk i lënë më shumë se 30 minuta motorët dhe kanë nisur kërkimet në det. Ato janë nisur me varkë për të gjetur motorin, por aty kanë takuar të riun i cili në dëshminë e tij ka gënjyer. Ai po kthehej me not në breg dhe kur është pyetur nga pronarët e skafit ka deklaruar se "vajzën e ka marrë xhaxhai i saj".

Një burim nga mjekësia ligjore i tha Report Tv se vajza ka shenja dhune, por nuk i specifikon. Po sipas të njëjtit burim, 17-vjeçarja ka një të nxirë në pjesën e pasme të trupit. Një nga pistat që dyshohet është se vajza ka rënë nga motori duke u përplasur nga mjeti në tentativë për ta shpëtuar. Djali është shprehur se që vajzën e mori xhaxhai dhe se nuk mban mend se çfarë ka ndodhur.  

Trupi i saj i pajetë është gjetur nga peshkatarët pas rreth 15 minutash. Doda është me origjinë nga Burreli, por ishte banuese në Bathore. Dy të rinjtë ishin njohur në rrjetet sociale dhe ishin takuar gjatë pushimeve në Velipojë. Për ngjarjen nga policia është ndaluar i riu Indrit Bajraktari nga Postriba ku po merret në pyetje.

Vijojnë hetimet për të zbardhur të plotë, nëse bëhet fjalë për aksident apo ngjarje kriminale. Referuar njoftimit të policisë, ndaj të riut rëndojnë akuzat për veprat penale "Shkaktimi i vetëvrasjes”, "Moskallëzimi i krimit" dhe "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës".

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:58
Ngjarja e rëndë në Velipojë/ Pezullohet lundrimi i mjeteve ujore

Pas ngjarjes së rëndë ne Velipojë, është pezulluar lundrimi i mjeteve lundruese. Lajmi është konfirmuar nga gazetari i Report Tv, Ergys Kavaja.

Ora 13:50
Report Tv në familjen e Enisa Dodës/ Familja hap dyert e mortit

Report Tv ka shkuar në banesën e 17-vjeçares Enisa Doda, ku familja ka hapur dyert e mortit. Të shumtë kanë qenë personat që kanë shkuar për ngushëllim në familje, edhe pse ndodhemi në një pandemi botërore për shkak të COVID. Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta ka kontakuar me babanë, Lezan Dodën, por ai ka kërkuar privatësi.

Ora 13:01
FOTO/ Kush ishte 25- vjeçari që drejtonte motorin e ujit në Velipojë

Report Tv ka siguruar foton e 25-vjeçarit, Indrit Bajraktari i cili së bashku me Enisa Dodën kishim marrë motorin e ujit për të bërë xhiro në Velipojë. Bajraktari arriti të dilte në breg, ndërsa 17-vjeçarja u gjet e pajetë nga disa peshkatarë.

Ora 12:40
'Zemra e babit, Zoti të mori shpejt fizikisht, por jo shpirtërisht', fjalët prekëse të babit të 17 vjeçares së mbytur në Velipojë

Babi i 17-vjeçares, Enisa Doda, Lezan ka gjetur forcë dhe ka shkruar një mesazh prekës për ndarje nga jeta të vajzës së tij të vogël. "U prefsh në paqe zemra e babit zoti të mori shpejt fizikisht por jo shpirtërisht. Qofsh e xhenetit",  shprehet Lezan Doda.

Ora 12:33
Kjo është Enisa Doda, 17-vjeçarja që u gjet e mbytur në Velipojë (FOTO)

Kjo është Enisa Doda, 17-vjeçarja që u gjet e mbytur në Velipojë një ditë më parë. Ajo kishte shkuar me motor uji me 25-vjeçarin Indrit Bajraktari, por nuk u kthye më në breg.

Ora 12:26
Mbytja e 17-vjeçares në Velipojë/ Si gënjeu 25-vjeçari në dëshminë e tij, të rinjtë ishin njohur në rrjetet sociale

Dyshimet për ngjarjen e rëndë në Velipojë ku u gjet e mbytur 17-vjeçarja, kanë lindur nga pronarët e motorit të ujit të cilët nuk i lënë më shumë se 30 minuta motorët dhe kanë nisur kërkimet në det. Ato janë nisur me varkë për të gjetur motorin, por aty kanë takuar të riun i cili në dëshminë e tij ka gënjyer. Ai po kthehej me not në breg dhe kur është pyetur nga pronarët e skafit ka deklaruar se "vajzën e ka marrë xhaxhai i saj" dhe se nuk mbante mend se çfarw kishte ndodhur. Sipas gazetarit të Report Tv, Ergys Kavaja të rinjtë ishin njohur së bashku në rrjetet sociale.

Ora 11:01
Detaje nga mbytja e 17-vjeçares në Velipojë/ E reja ishte me pushime me familjen! Djali doli në breg pas 2 orësh xhiro me motor uji, vajzën e la në det

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga mbytja e 17-vjeçares në Velipojë. Burime zyrtare bëjnë me dije se 17-vjeçarja e identifikuar si Enisa Doda kishte shkuar me pushime në Velipojë së bashku me familjen e saj. Së bashku me Indrit Bajraktarin, kanë marrë një motor uji me qira rreth orës 14:00, por vajza nuk është kthyer më në breg. I vetmi që ka dalë ka qenë djali, pas 2 orë e gjysmë.

"Vihet në pranga një 25-vjeçar për ngjarjen e ndodhur në Velipojë ku humbi jetën si pasojë e mbytjes në det një 17-vjeçare. Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër në bashkëpunim me Shërbimet e Policisë Velipojë, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur ku humbi jetën si pasojë e mbytjes në det një 17-vjeçare, organizuan punë nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shodër për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit: - I. B., 25 vjeç, banues në fshatin Kullaj, Njesia Administrative Postrribë Shkodër. Nga tërësia e veprimeve hetimore rezultoi se më datën 19.08.2020, rreth  orës 14:00, në vendin e quajtur Vilu, plazh Velipojë Shkodër, ky shtetas ka hyrë në det me motor uji të marrë me qira së bashku me shtetasen E. D., 17 vjeçe, banuese në Bathore.

Rreth orës 16:30, ky shtetas ka dalë në breg pa motorin e ujit duke lënë të mbytur në ujë shtetasen E. D., e cila kishte ardhur për pushime së bashku me familjen e saj. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua çelësi i motorit. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallë së Parë Shkodër për veprime të mëtejshme për veprat penale "Shkaktimi i vetëvrasjes”, "Moskallëzimi i krimit" dhe "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës", njofton policia.