Kryeministri Rama ka publikuar sot në rrjetet e tij sociale një video se si do duken banesat ku do strehohen banorët të cilët preken nga projekti i transformimit të lumit Lana.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama u shpreh se do të ndërtohen edhe apartamente për strehim social, shërbime e parkim në administrim shtetëror.

“Dhe me pamjen e godinave që do të ndërtohen për strehimin e banorëve që shpërngulen për kapitullin e ri të transformimit të Lanës në Tiranë, por edhe apartamenteve për strehim social, shërbime e parkim në administrim shtetëror, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në Facebook.

Ky projekt përfshin zgjatjen e dy bulevardeve kryesore, "Gjergj Fishta" dhe "Bajram Curri" paralel me rrjedhën e Lanës dhe do të kushtojë 29 milion euro.

Segmenti i ri 1.8 kilometra, do të përfshijë ndërtimin e një shtrati të ri për lumin, për eliminimin e përmbytjeve të shpeshta në zonë. Do të ndërtohen dy ura të reja mbi lumin Lana, të cilat do të shërbejnë për qarkullimin e automjeteve, biçikletave dhe këmbësorëve.

Urat, me një gjatësi prej 24 metrash, do të lidhen me bulevardet e zgjeruara që do të përfshijnë gjithë infrastrukturën, si sinjalistika, ndriçimi, peizazhi, dhe telekomunikacioni.