Nga të dhënat e para biznesmeni grek kishte rol financuesi dhe organizatori i mjeteve të lundrimit, ndërsa shqiptari cilësohet si koka e grupit. Të dy dyshohet se paratë e grumbulluara nga trafiku i lëndëve narkotike i pastronin nëpër bizneset e tyre në Greqi dhe Shqipëri. Policia greke kishte kohë që kishte rënë në gjurmë të këtij grupi trafikantësh, por mjetet detare shumë të shpejta dhe të shtrenjta që ata përdornin, profesionizmi i lartë i përdoruesve të tyre, si dhe rrjeti i madh mbështetës ka bërë që në disa raste ata të shpëtojnë.
Gjithsesi kapja e dy gomoneve me sasi të mëdha kanabis në muajt prill e shtator dha indicet e duhura për autoritet hetimore, të cilat arritën të bënin identifikimin e një pjese të rëndësishme të rrjetit të bandës shqiptaro-greke-italiane.
Në kërkim të ‘big boss’-it shqiptar
Sipas mediave greke, që i referohen burimeve hetimore në shtetin fqinj koka e grupit të trafikantëve që iu kap në Greqi të shtunën në mbrëmje 1.6 ton kanabis është një shqiptar. “Nga ajo që del prej hetimeve, grupi mafioz e kishte qendrën në Athinë, shkruan një nga mediat online më të mëdha greke protothema.gr. Bosi i grupit është një shqiptar, por në të rol të rëndësishëm kanë edhe disa biznesmenë të njohur grek. Grupi trafikonte tonelata me kanabis nga Shqipëria drejt Italisë, Greqisë deri edhe Turqisë. 1.6 ton drogë që u kapën të shtunën kishin destinacion Stambollin. Autoritet janë vënë në ndjekje të ‘big boss’ që është një biznesmen shqiptar, i cili jeton në Greqi, diku pranë Athinës, në një vilë luksoze në bregdet”.
“Hetimet mund të na çojnë shumë lart”
Autoritet e drejtësisë grek që po hetojnë çështjen shprehen se pavarësisht se i kanë dhënë një goditje të fortë grupit të trafikantëve, kanë ende shumë punë pasi disa prej kokave të grupit nuk janë kapur. Madje ata kanë dyshime se kjo organizatë ka shtrirje në sfera të larta të botës së krimit por edhe biznesit si në Greqi ashtu edhe në Shqipëri.
“Hetimet mund të na çojnë shumë lart. Kjo është një nga ato çështje që nuk kanë tavan”, ka deklaruar një nga hetuesit grek, i cili ka theksuar se hetimet do të varen shumë nga dokumentat që i janë kapur, por nga ajo çka do të thotë biznesemni grek që u arrestuar menjëherë pas kapies së gomones. “Kemi të bëjmë me një rrjet ndërkombëtar multietnik, i cili ka punuar shumë në Greqi, Shqipëri, Turqi e Itali. Roli i biznesmenit 63-vjeçar është nyja e gjithë çështjes”.
Biznesmeni i lokaleve në Mikonos e Kolonaqi
Një nga 10 personat e arrestuar nga organet e drejtësisë greke është biznesmeni Spiros Kardamis, 63 vjeç. Biznesmeni 63-vjeçar akuzohet se është një nga financuesit kryesor të trafikimit të drogës. Mësohet se ai ka qenë pronar i një restoranti në ishullin Mikonos, por e ka shitur, ndërsa kishte hapur edhe një restorant në zonën më të pasur të Athinës, Kolonaqi.
Po kështu ka rezultuar se ai ka pasur aksione në disa biznese të tjera, ku një ndër to e përdorte edhe për blerjen e gomoneve. 63-vjeçari akuzohet nga policia greke se ishte personi që investonte në blerjen e gomoneve. Gomonia e kapur të shtunën në mbërmje me 1.6 ton drogë, e dyshuar se ishte nisur nga Himara, e cila u kap nga policia bashkë me skafistët ishte blerë 300 mijë euro.
Arrestimi i biznesmenit me dokumentat
Pas zbulimit të 1.6 ton hashash, biznesmeni Spiros Kardamis ka braktisur shtëpinë e tij në lagjen Glifadha dhe është fshehur në një hotel në zonën bregdetare jugore të Athinës, ku edhe u kap nga policia në mbrëmjen e së dielës. Sipas hetuesve grekë të paktën 3 nga skafet e përdorura nga trafikantët ishin të këtij biznesmeni. Në makinën e biznesmenit Kardamis u gjet një kuti me dokumenta që ai i kishte marrë me vete për t’i asgjesuar. Edhe pse ai ka deklaruar se nuk ka lidhje me drogën, dokumentet e kapura nga policia greke kanë shumë informacion të vyer.
Dy dërgesat e kapura që e zbuluan grupin
Sipas informacioneve të mediave greke biznesmeni grek i arrestuar Spiros Kardamis ka lidhje edhe me dy tentativa të dështuara trafiku kanabis me sasi të mëdha nga Shqipëria në Greqi e më pas në Itali, në muajt Prill dhe Shtator 2017. Nga këto dy dërgesa të kapura policia greke mori indice që çuan më pas në zbulimin e grupit. Në të dy këto aksione ka marrë pjesë Roja Bregdetare greke dhe Guardia Di Finanza italiane. Në rastin e parë Roja Bregdetare greke e neutralizoi gomonen në det të hapur, diku midis ishullit grek Qefalonia dhe Italisë, e kapi 1,5 ton dhe u arrestuan 7 persona, 5 shqiptarë e 2 grekë, ndërsa në të dytin u kap 2.3 ton kanabis dhe u arrestuan një shqiptar e një italian.
Në të dy këto raste doli se ka qenë i përfshirë Spiros Kardamis. Gomonet e kapura i përkisnin një kompanie greke, ku biznesmeni Kardamis ishte aksioner. Që nga ajo kohë heturesit grekë e kishin në survejim biznesmenin 63-vjeçar dhe grupin e tij duke e neutralizuar atë menjëherë sapo u kap sasia prej 1.6 ton kanabis. Pas kapjes së dërgesës së fundit në një parkin skafesh në zonën e Athinës u zbuluan disa gomone që i përkisnin këtij biznesmeni, disa nga të cilat ishin të paisura me tre ose katër motorra të fuqishëm.
d.c./shqiptarha.com

VIDEO











