Gjithashtu edhe një person tjetër nga Përmeti me inicialet B.K është pjesë e këtij rrjeti. Emiljano Kola dhe Alban Baxheri kanë qenë në skafin ku transportohej 1.6 ton drogë, ndërkohë që edhe Ervis Caushi ka pasur rol kyç në trafikun e saj.
Për të 4 shqiptarët, Policia e Shtetit ka kryer kontrolle në banesat e tyre, por nuk janë gjetur prova që i lidhin me trafikun e drogës. As në Vlorë, as në Sarandë dhe as në Përmet nuk është arritur të sekuestrohen materiale me vlerë për shqiptarët e arrestuar në Greqi.
Policia e Shtetit konfirmoi se janë kryer kontrolle në disa banesa, për emrat që kanë ardhur nga Greqia, por nuk dha detaje të tjera për rolin e shqiptarëve të arrestuar në shtetin helen, si pjesë e një bande që merrej me trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Greqisë, Italisë dhe Turqisë.
Ervis Caushi bonon prej vitesh në Greqi, ndërkohë që Alban Baxheri dhe Emiljano Kola jetonin në Sarandë dhe Vlorë. Te shtëpia e Alban Baxherit familja është tronditur kur ka mbërritur policia e Sarandës, ndërkohë që tek familja e Emiljano Kolës është gjetur në banesë një i afërm i tij, që nuk kishte informacion për arrestimin e tij.
Gjithashtu këta persona nuk kanë qenë të dënuar më parë, përveç Alban Baxherit që është shoqëruar disa herë në komisariatin e Sarandës, thonë burime të Report Tv nga Policia e Shtetit.
Gomonia e kapur me 1.6 ton kanabis mbrëmjen e së shtunës, zbuloi një rrjet të gjerë trafikantësh, ku janë të përfshirë biznesmenë shqiptarë dhe grek. Mediat në Greqi kanë shkuar edhe pranë gomones së sekuestruar, ku dallohen qartë shenjat e plumbave të policisë greke.
Deri më tani janë arrestuar 11 persona, 6 shqiptarë, 2 grek, 2 italianë dhe 1 bullgar. Sipas mediave greke kreu i këtij grupi kriminal fshihet në një vilë luksoze në Shqipëri. Mediat e shtetit helen kanë theksuar se kjo bandë ka lidhje me vëllezërit Habilaj. Hetimet për këtë grup vijojnë, pasi dyshohet se drejtuesit e organizatës kriminale janë në Shqipëri dhe Greqi.
dy.b/shqiptarja.com












