Gjykata e Sarandës ka shqyrtuar ditën e sotme ankimimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit për mbylljen e hetimeve nga ana e Prokurorisë Sarandë për dosjen ndaj zyrtarëve të Bashkisë Sarandë, ku sipas KLSH abuzimet shkojnë në rreth 1 milionë euro dhe ka vendosur që ta detyrojë Prokurorinë e Sarandës që ta rihapë çështjen.

Në muajin prill KLSH kishte dorëzouar në Prokurorinë e Sarandës një dosje ku pretendonte se zyrtarët e lartë të Bashkisë Sarandë kishin bërë shkelje ligjore në tendera me një dëm ekonomik rreth 1 milionë euro.

Së bashku me dosjen, KLSH dorëzoi në Prokurori edhe kallëzime penale ndaj kryetares së Bashkisë dhe disa zyrtarëve të tjerë.

Prokuroria nga ana e saj e pushoi çështjen në muajin korrik, me pretendimin se nuk ka gjetur shkelje. Por KLSH në muajin shtator bëri ankimin në Gjykatën e Sarandës ndaj vendimit të Prokurorisë për pushimin e hetimeve.

Kontrolli i Lartë i Shtetit i paditi zyrtarët e bashkisë dhe kryetaren për shkelje me tenderat, buxhetin, apo lidhur me likuidimin e pagesave për punë të pakryera.

Impakti negativ në buxhet vlerësohet nga KLSH në vlerën 481 milionë lekë, ndërkohë që dëmi në arkën e shtetit llogaritet 129.4 milion lekë, afërsisht 1 milionë euro.

Floriana Koka në cilësinë e Titullarit të Autoritetit Kontraktor, sipas KLSH është përgjegjëse për pagesa dhe investime të pakryera por të sajuara dhe likuiduara në vlerën 64.4 milion lekë (punime fiktive).

Investimet e përmendura i takojnë 2 objekteve të prokurimit: “Zëvendësimi i tubacionit të ujësjellësit nga stacioni i pompimit Vrion deri në rezervuarin e qytetit”; dhe “Përmirësimi i rrjetit të ujërave të zeza, zona nga Hotel Butrinti deri tek Kanali i Çukës”, me vlerën 30 milion lekë, likuiduar vetëm 5 ditë pas lidhjes së kontratës.

Gjykata e Sarandës, pas shqyrtimit të ankesës së KLSH ditën e sotme vendosi të detyrojë Prokurorinë e Sarandës për rihapjen e kësaj dosjeje.

Ndërkohë juristi i bashkisë Sarandë Eleron Gjoni, duke reaguar ndaj këtij lajmi, ka bërë të ditur se sipas tij “Vendimi i gjykatës së shkallës së parë nuk është i formës së prerë, pra është i ankimueshem, kjo do të thotë që çështja nuk është rihapur. Kur te mari vendimi forme te prere atehere vendoset se do te rihapet nje ceshtje ose jo”. 

s.k/Shqiptarja.com