TIRANË- Spitali privat International Medicare në Zogun e Zi në Tiranë, u sekuestrua, një objekt me vlerë rreth 3 milionë euro. Hetimet nisën që në vitin 2024, pas denoncimit të një pacienti portugez ndaj spitalit pjesë e Sante Plus Group. Sipas denoncimit ai pagoi 5200 euro për 3 shërbime të cilat nuk i kreu kurrë, pasi doktorët u larguan nga spitali.

Hetimet nxorën në pah edhe krimet ekonomike në këtë spital, i cili operonte me mandate dore dhe jo kuponë tatimor. Më 4 shtator të këtij viti, kur autoritetet ndërhynë te International Medicare u gjetën 1 milionë euro fatura jo tatimore, si dhe medikamente të skaduara.

Mjekët, kryesisht shtetas turq, sipas prokurorisë janë të palicencuar në Republikën e Shqipërisë, ndërkohë që një pjesë e stafit punonin të pasiguruar.

International Medicare ka të njëjtët pronarë, që ka pasur më herët, klinika Sante Plus. Por ata ndryshuan emrin e spitalit, për shkak të borxheve të mëdha ndaj shtetit,.

Sipas organit të akuzës, “Sante Plus” gjatë viteve 2018-2023 nuk ka deklaruar pagat reale të punonjësve për të mos paguar sigurimet e plota dhe nuk paguante taksa dhe tatime, me dëm financiar 400 mijë euro.

Me këto borxhe mbi kurriz, të njëjtët ortakë të Sante Plus, turqit babë e bir Bilal dhe Bexhet Kara dhe Gerjana Arapi, regjistruan në QKB, International Medicare, me qëllimin sipas prokurorisë, për të mos kryer pagesat e tatimeve dhe taksave në favor të shtetit

“Nisur nga faktet e parashtruara në kallëzimin e shtetasit C.S. dhe nga deklarimet e marra të punonjëseve, u provua se ky spital operonte me mandate dore dhe jo kupona tatimorë. Gjatë kontrollit u gjetën 1 milionë euro fatura jo tatimore, të padeklaruara, ndërsa dyshohet se si mjekë punonin persona kryesisht shtetas turq, të palicensuar si mjekë në Republikën e Shqipërisë. U mbajt procesverbal për kqyrjen e vendit të ngjarjes ku u gjetën dhe u fiksuan si provë materiale, në sallat kirurgjikale medikamente të ndryshme të skaduara, si dhe medikamente që ndalohet shitja dhe lejohen për përdorim vetëm në spitale private.

Në funksion të hetimit të procedimit penal, u administrua akti i kontrollit i mbajtur nga organet tatimore dhe rezultoi se subjekti ”Sante Plus” ka detyrime të lindura për mosdeklarim të pagës reale. Ky subjekt ka fshehur dhe nuk ka deklaruar pagën e saktë të punonjësve, si rrejedhim ka fshehur vlerën e saktë të kontributeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Kontrolli tatimor ka vlerësuar si tatim të padeklaruar nga shoqëria me efekt në TVSH shumën 12.826.573 Lekë. Po nga i njëjti kontroll rezultoi se ky subjekt duhet të lëshonte autofaturë për 11 fatura me vlerë 112.736.764 lekë, me një tatim të padeklaruar të TVSH në vlerën 22.547.353 lekë. Sipas këtij akti, subjektit ”Sante Plus” i kanë lindur detyrimet tatimore nga fshehja dhe mosdeklarimi i pagave për vitet 2018-2023 në vlerën 4.510.786 lekë, si dhe për tatim të padeklaruar me efekt TVSH-je në vlerën 35.373.926 lekë.

Po kështu, ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se nga ana e subjektit International Medicare shpk, është vepruar në kundërshtim me ligjin duke fshehur të ardhurat e përfituara nga pacientët, nëpërmjet mosdeklarimit të këtyre të ardhurave në organet tatimore në sistemet përkatëse fiskale, por duke i marë këto të ardhura me mandate arkëtimi jo fiskale.

Në këto kushte ka të dhëna te mjaftueshme se nga ana e personave nën hetim dhe e subjektit International Medicare,  janë fshehur të ardhurat ne vlera te konsiderueshme duke bërë që për këto të ardhura të mos kryhen pagesat në favor të buxhetit të shtetit, duke i sjelle dëm të madh ekonomik interesave të shtetit shqiptar”, thuhet në njoftim.

Organi i akuzës thotë se ndaj Sante Plus Group, ishin vendosur një sërë sekuestrosh konservative nga zyra përmbarimore për ekzekutime të vendimeve të gjykatave. I arrestuar për këtë skemë të krimit si me efekte në shëndetin e pacientit ashtu edhe financiare, është vetëm administrator i International Medicare Edmond Zaja. Në fakt ai është i tillë vetëm në letra, pasi në të vërtetë, në klinikë, ishte kuzhinier.