TIRANE- Marrëdhëniet e rregullta diplomatike midis Shqipërisë dhe ShBA-së u institucionalizuan në vitin 1922. Ato u ndërprenë në pranverën e vitit 1939 kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste dhe e humbi statusin e shtetit të pavarur.

Botimi kohët e fundit në përkthimin shqip i kujtimeve të ministrit amerikan, në atë kohë përfaqësues diplomatik i ShBA-së në Tiranë Hugh G. Grant, përmban të dhëna interesante, disa nga të cilat të panjohura deri tani.

Në punimin e tij botuar shqip me titullin “Pushtimi”, përkthyer nga Ilir Ikonomi (Tiranë, Shtëpia botuese Universitare “UET. Press”, 2014, ff. 192), flitet gjerësisht mbi zhvillimin e ngjarjeve që ndodhën në Shqipëri në pragun e pushtimit italian të 7 prillit 1939.