Papa Leone XIV gjatë meshës së mbajtur në Monumentin e Spanjollëve, në Buenos Aires, u ka bërë thirrje familjeve të mos humbasin shpresën përballë vështirësive ekonomike dhe sociale, duke paralajmëruar se pasiguria në punë, dhuna në familje dhe varësitë po dëmtojnë marrëdhëniet familjare.
Në kuadër të vizitës së tij në Amerikën e Jugut, Ati i Shenjtë foli për sfidat me të cilat përballen familjet në shoqërinë e sotme.
“Edhe familjet tona, në fakt, përjetojnë ndonjëherë situata komplekse: mungesë stabiliteti, vështirësi sociale, punë të pasigurt, dhunë në familje, ndarje të dhimbshme, varësi që shkatërrojnë dhe dëmtojnë marrëdhëniet familjare”, deklaroi Papa Leone XIV në homelinë e tij.
Sipas autoriteteve në këtë ceremoni morën pjesë rreth 2.5 milionë besimtarë, duke e bërë atë meshën më të frekuentuar të drejtuar nga Leone XIV që prej zgjedhjes së tij në krye të Kishës Katolike.
“Mos u dorëzoni përballë zërave që përsërisin se familja e krishterë është e tejkaluar: përkundrazi, sot më shumë se kurrë, ajo përfaqëson një pikë të fortë mbështetjeje mes pasigurive të shumta të epokës sonë”, u shpreh ai.
Papa vlerësoi gjithashtu rolin historik të familjes në formimin e identitetit kulturor dhe shoqëror të Argjentinës.
Sipas Papës, familja ka qenë hapësira ku janë përcjellë besimi, virtytet njerëzore, kultura e punës, respekti për të moshuarit, mbrojtja e jetës dhe besnikëria ndaj fjalës së dhënë.
Në përfundim, ai kujtoi edhe paraardhësin e tij, Papa Françeskun, i cili kishte shërbyer si ipeshkëv i Buenos Airesit.
“Papa ynë i dashur Françesku, i cili ishte ipeshkëv i këtij qyteti, e ka shprehur këtë me pasion: ‘Familja është e thirrur të ndajë lutjen e përditshme, leximin e Fjalës së Zotit dhe kungimin eukaristik, për të rritur dashurinë dhe për t’u shndërruar gjithnjë e më shumë në një tempull ku banon Shpirti’”, tha Papa.







Komente
Komento