1 vit pandemia e COVID/ Ekonomia nën 'pushtetin' e  'armikut të padukshëm'

365 ditë nën pushtetin e armikut të padukshëm, COVID-19, i cili diktoi çdo vendim social dhe ekonomik, e që ende vijon.

Që prej shfaqjes së rastit të parë në vendin tonë në 8 mars 2020, vendi u përball me një valë vendimesh drastike të paprecedentë aspektin financiar edhe në atë të përditshmërisë ku edhe kjo e fundit ndikoi në xhepat e shqiptarëve por dhe në të ardhurat që grumbullon shteti.

Të parët që u mbyllën ishin bizneset në sektorin e shërbimeve, duke nisur nga baret, restorantet, diskot, clube-t e natës palestrat. Vendimi u bë i ditur në mbledhjen e qeverisë në 10 mars 2020, dhe do të zbatohej fillimisht vetëm në Tiranë dhe Durrës.

Deri më datë 17 mars, kufizimet ishin të plota vetëm gjatë fundjavave, derisa kryeministri njoftoi karantinën e përgjithshme në të gjithë vendin, ku me mijëra biznese ulën qepenat, ndërsa në vend ishte pllakosur nga panorama e shtetrrethimit, e në rrugët e vendit dëgjoheshin  vetëm sirenat e ambulancave dhe të policisë.

Izolimi zgjati deri në 20 prill 2020, e pse vetëm rreth një muaj të mbyllur pasojat ekonomike ishin të rënda. 87 mijë të papunë ishte efekti i menjëhershëm i virusit për shkak të mbylljes së aktivitetit ekonomik, e me dhjetëra biznese u mbyllën përgjithmonë.

Ndihma e parë për bizneset dhe qytetarët ishte nga Banka e Shqipërisë. Guvernatori Gent Sejko dhe Kryeministri Edi Rama firmosën një urdhër të përbashkët për shtyrjen e afatit të pagimit të kësteve të kredisë për biznese dhe individë, të cilët do të hasin vështirësi në këtë periudhë si pasojë e COVID-19. Nga kjo lehtësi përfituan 25 mijë klientë bankar dhe u shtynë e ristrukturuan 2 miliardë euro këste kredish.

Më pas qeveria doli me paketën e parë për të mbështetur qytetarët me 27 mars pas rishikimit të parë të buxhetit ku përcaktuan 12 miliardë lekë për përballimin e pasojave emergjente. Nga ky rishikimin 6.5 miliardë lekë u vendos që do të përdoreshin për 3 pagat e luftës nga 26 mijë lekë për ata që dolën të papunë si pasojë e mbylljes së bizneseve me vendim të qeverisë, ku u përfshin kryesisht të punësuarit e biznesit të vogël. Nga ky vendim përfituan rreth 300 mijë qytetarë. Pjesë e kësaj pakete ishte edhe dyfishim i ndihmës ekonomike dhe i personave që trajtoheshin me pagesë papunësie.

“Janë duke shkuar afro çerek milionë qytetar që kanë marrë pagat e luftës”, tha Rama.

Nuk kaluan shumë ditë dhe erdhi ndihma tjetër nga qeveria. 11 miliardë lekë ishte garancia e parë sovrane e miratuar në 6 prill me fokus tek mbajtja në punë e punonjësve. Me këtë paketë që erdhi një muaj pas shfaqjes së rastit të parë me COVID-19 në vend iu dha mundësia subjekteve që të merrnin kredi pa normë interesi deri në 3 paga për punonjësit, ku shteti dilte garant 100%.

Mjaftoi një muaj pandemi që nevoja për financim të kërkojë një rishikim të dytë të buxhetit me 15 prill 2020. Këtë herë për të mbështetur punonjësit e ish-punonjësit shkuan 7 miliardë lekë, dhe pjesë e paketës u bënë edhe naftëtarët e Ballshit, si dhe punonjësit e sektorit të turizmit të larguarit nga puna dhe punonjësit e biznesit të madh që do të merrnin vetëm një herë bonusin prej 40 mijë lekësh.

Plagët që hapi karantina 1 mujore ishin të paimagjinueshme. Qeveria doli me mbështetjen tjetër prej 15 miliardë lekësh. Ishte garancia e dytë që u miratua më 13 maj, nga këshilli i ministrave, por si pasojë e interesit 5% dhe kushteve që duhet të plotësoheshin ajo nuk u përdor shumë nga sipërmarrja.

“Garancitë sovrane janë një mundësi që edhe me mbështetjen e qeverisë të mund të merrni kredi”, tha Denaj.

“Kredia sovrane ishte e mirë për shumë të pa-plagosur”.

“Shumë biznese kanë ngecur tek analiza e riskut”, thotë biznesi fason.

Në total nga buxheti i shtetit për të përballuar emergjencën u përcaktuan 365 milionë e 981 mijë 960 euro.

Përpos këtyre paketave, qeveria vendosi të shtyjë edhe detyrimet e bizneseve. Ishin rreth 19 miliardë lekë këste të tatim-fitimit që duhet të paguanin bizneset që u shtynë për në 2021, ndërsa një pjesë u falën.

“Janë akorduar paga për 300 mijë individë, sikurse janë marrë masa fiskale për të lehtësuar dhe barrë fiskale të vitit të kaluar. Në buxhet në 2020 na kanë munguar 19.1 miliardë lekë dhe kjo për të gjitha bizneset sidomos ato të vogla”, përgjigjet ministrja Denaj.

Por çfarë pasojash i la ekonomisë së vendit, në një vit pandemia COVID-19?

Viti 2020 u mbyll me një rënie të ardhurat me 7.5%, ose rreth 281,2 milionë euro humbje krahasuar me të ardhurat totale të vitit 2019.

Por dëmet nuk janë kaq. Nëse do të krahasojmë të ardhurat në fund të dhjetorit 2020 me pritshmëritë fillestare, humbja në buxhet është 681,295,751 euro. Konkretisht në buxhetin fillestar u parashikua të mblidhej 509.6 miliardë lekë, ndërsa u realizuan vetëm 425.9 miliardë lekë, me një rënie prej 83.7 miliardë lekë. Kjo rënie nuk krahasohet as me vitin 97 sipas ekspertëve, ndërkohë që për rimëkëmbjen do të duhen 3-5 vite.

“Kjo lloj rënie ekonomike nuk krahasohet sa me rënien e vitit 1997. Kjo rënie nuk ishte vetëm punë e bllokimit nga pandemia, por ishte një ekonomi që duhet të ri-gjente vetveten, për shkak të mbarimit të investimeve të mëdha, dhe rifillimit të investimeve të tjera që hapin vende pune. Ende nuk janë hapur rrugët e eksportit për shkak se ekonomia jonë në një pjesë të caktuar, është e varur nga tregtia. Këto faktorë bëjnë që ato tregues optimist të rishikohen”, u shpreh eksperti Fiskal Eduart Gjokutaj.

Ana tjetër e medaljes ishte deficiti buxhetor, nga 39.6 miliardë lekë që u parashikua arriti në fund të vitit në 110.3 miliardë lekë, duke u rritur me 70.6 miliardë lekë ose 574.7 milionë euro. Rritje kjo që vijon të justifikohet me nevojat që vijon të shkaktoj pandemia COVID-19.

Rekord historik arriti edhe borxhi publik. Pandemia COVID-19 vitin e kaluar e rriti me 11.6%, borxhin publik në vend dhe stoku në fund të dhjetorit ishte 77.8% nga 66,2% që ishte në fund të 2019-ës. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave borxhi në fund të 2020 ishte 9.9 miliardë euro duke u rritur me mbi 906 milionë euro, krahasuar me vitin paraardhës. Por pavarësisht kësaj rritje ministrja Anila Denaj tha se borxhi do nis reduktimin që në fund të këtij viti.

“Ne kemi bërë një ndryshim në ligjin organik të buxhetit në korrik të vitit të kaluar, ku kemi shtuar një nen për 2023, që do të kemi konsolidim fiskal dhe ulje borxhi. Sigurisht që në ulje do të ndikoj edhe rritja ekonomike, por angazhimi ynë është juridik dhe formal”, u shpreh Denaj në konferencë. 23 shkurt 2021

Turizmi ishte ndër aktivitetet më të goditura, pasi më shumë se 70% e prenotimeve u anuluan, ndërsa në tokën shqiptare hynë 60% më pak shtetas të huaj, duke bërë që humbjet të kalojnë 1 miliardë euro. Edhe pse qeveria e konsideroi sfidë të fituar betejën me virusin në aspektin turistik, operatorët e sektorit gjendjen e konsiderojnë të rëndë.

Sektori prodhues (fasoneria) nuk mundi ti shpëtoj këtij armiku. Të gjendur përball vështirësive fabrikat u munduan të përshtaten me kërkesat e tregut, por varësia ndaj kompanive Italiane, Gjermane, Kineze dhe më gjerë ndikuan negativisht në aktivitetin e tyre.

Vendi eksportoi në vitin e kaluar 24.8 miliardë lekë më pak se në 2019 dhe importoi 22.8 miliardë lekë më pak.

Por a kemi nxjerr mësime nga pandemia?

Edhe pse optimizmi 2021 është i lartë treguesit ekonomik mbeten në rënie. Në janar të ardhurat u tkurrën me 2.3%, edhe pse këtë vit presim një rimëkëmbje prej 5.5%. Çfarë pritet për këtë vit? Së pari shpresa është vaksinimi masiv, më pas intensifikimi i punimeve për rindërtimin e vendit si dhe rritja e investimeve. Të gjithë këto komponentë pritet ti rikthejnë vendit shpresën e ri-ngritjes pas disfatës me COVID-in.

K.T./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

AMF mbledh sektorin financiar për festat! Kaçi: Prioritet zbatimi me transparencë i rregullores së faktorëve të riskut!

AMF mbledh sektorin financiar për festat! Kaçi: Prioritet zbatimi me transparencë i rregullores së faktorëve të riskut!