Euro po këmbehet me 96.6 lekë dhe rënia nuk ndalet pavarësisht masave të institucioneve financiare. Sipas ekspertit Eduard Gjokutaj, shkak mbetet prania e madhe e parasë informale e cila vjen në oferta dhe flukse të mëdha.
Në emisionin ‘Sot, Live në Shqipëri’ në Report Tv me gazetarin Nertil Agalliun, eksperti tha se ndërhyrjet masive të Bankës së Shqipërisë, të cilat synojnë të mbajnë të ulët inflacionin dhe të ruajnë konkurrueshmërinë e eksporteve, po krijojnë pasoja të tjera shqetësuese.
“Ndërhyrjet masive që ka bërë Banka e Shqipërisë kanë filluar të mbrojnë qoftë konkurrueshmërinë e eksporteve, por të mbajnë të ulur edhe inflacionin, por në fakt kemi një rënie të fitimeve të eksportuesve. Kemi ulje të vlerës së të ardhurave në euro, se një pjesë e mirë i kanë kursimet në të tilla, por edhe një forcim të perceptimit për mungesë të ekuilibrave të tregut që ka të bëjë me besimin e konsumatorit,” deklaron Gjokutaj.
Ai thekson se politika e blerjes së valutës nga Banka e Shqipërisë nuk ka arritur të stabilizojë kursin, por përkundrazi ka nxjerrë në pah mungesën e mekanizmave të brendshëm për të përthithur ofertën e madhe të euros.
“Në vend që të stabilizojë kursin me një blerje historike, politika e blerjes së valutës ka nxjerrë në pah mungesën e mekanizmave të brendshëm për të përthithur një ofertë të madhe të euros. Nga ana tjetër ka nxjerrë dhe varësinë strukturore të ekonomisë nga flukset e jashtme, që do të thotë që ekonomia jonë ka euro me bollëk në treg dhe nuk arrin t’i përthithë. Kjo krijon atë problem që ka të bëjë me një zhvlerësim të qëndrueshëm të euros karshi lekut, apo një forcim të lekut,” shpjegon eksperti.
Gjokutaj nënvizon se forcimi i lekut përkthehet në rritje të importeve dhe ulje të çmimeve, por edhe përforcon informalitetin, një nga problemet më serioze të ekonomisë shqiptare.
“Me uljen e euros, forcohen importet, do të uleshin çmimet, por ka dhe një tjetër ndikim, për arsye se problematika më e madhe e ekonomisë shqiptare, e mban gjallë informalitetin. Kjo vijon të konkurrojë çdo lloj politike. Ajo çfarë është më e dukshme, është prania e parasë fizike në treg dhe kjo është në rritje. Ekonomia jonë funksionon me rregulla informale. Dhe këto luajnë rol mbi atë që ne analizojmë,” vijon ai.
Ai ndalet edhe te ndikimi i turizmit dhe flukseve të mëdha monetare. Gjokutaj tha se kemi një përhapje të pastrimit të parave jo në të gjithë vendin, por në zona të caktuara.
“Paratë e turizmit shkojnë në ekonominë formale dhe rrisin sistematikisht atë lloj presioni, jo vetëm në zonat periferike, por kryesisht në Tiranë dhe këto përhapen në gjithë Shqipërinë. Kemi një përhapje të pastrimit të parave apo të qarkullimit të euros jo në të gjithë vendin, por në zona të caktuara. Paratë më të mëdha vijnë nga instrumente të ligjshëm, që në pamje të jashtme duken formale por që i vijnë sistemit me flukse të mëdha,” thotë Gjokutaj.
Në fund, ai thekson se qeveria duhet të marrë përgjegjësi dhe të reagojë me masa të koordinuara, përndryshe ekonomia do të vazhdojë të mbetet e zhytur në informalitet.
“Qeveria tashmë duhet të japë një përgjigje të prerë e të koordinuar, pasi është një detyrë që duhet të bëhet se s’bën. Mbajtja e ekonomisë tek informaliteti do të ketë po të njëjtin efekt. Mekanizmat e bashkimit të monedhës vijnë pas anëtarësimit ose në një proces që zgjat. Por tani është jashtë realitetit. Ajo që duhet të ndodhë është bërja e atyre lloj detyrave të cilat nuk po bëhen aq sa duhet. Duhen prerë rrugët që pastrohen paratë,” përfundon Eduard Gjokutaj.
Komente











