TIRANË- Vetëm 10 .9% e deklaratave përzgjidhen për t'u kontrolluar fizikisht në doganë, tha të mërkurën Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali. Gjatë forumit të biznesit "Doganat dhe biznesi për vitin 2015" , Spiropali tha se tashmë kontakti me doganën bëhet në mënyrë elektronike duke shmangur kontaktin e drejtpërdrejt. Në këtë formë, theksoi ajo, luftohet korrupsioni dhe rritet transparenca. Në themel të kësaj marrëdhënie, u shpreh Spiropali, është besimi, por dogana ruan të drejtën e kontrollit. Thelbi, sipas saj, është që operatorët ekonomik që kanë një marrëdhënie të drejtë me administratën të ketë përfitime që të tjerët nuk i kanë dhe është një nxitje për formalizimin e biznesit.
Znj. Spiropali, shpjegoi edhe përzgjedhjen për kontrollet në dogana, ku sipas saj, në sistemin elektronik ndahen në kanale të ndryshme. Për profilet e riskut, ajo u shpreh se janë arritur të zhvillohen modalitete që përditësohen dhe monitorojnë të gjithë bizneset. "Nëse një kompani tregon që në tre kontrolle është e saktë, apo nuk ka asnjë shmangie të detyrimeve, i përditësohen të dhënat, që e mundëson atë të dalë nga profilet e riskut. Sistemi elektronik realizon përzgjedhjen vetëm në dy kanale aktualisht", tha Spiropali.
Sipas Spiropalit, kanali i verdhë, eshte përzgjedhja për kontroll dokumentacioni dhe kanali i kuq për t'u kontrolluar fizikisht në doganë, që ndodh vetëm në 10.9 % të rasteve.
Ndërsa në 26 janar, sipas drejtores se Doganave, do të bëhet edhe prezantimi i kanalit jeshil të përzgjedhjes në sistemin elektronik. Përsa i takon procedurave të tranzitit, sistemi mundëson edhe përzgjedhjen në kanalin rozë, që do të thotë kontroll me skaner. Sipas Spiropalit, ky lloj kontrolli nuk ka funksionuar që prej vitit 2012 . Ne tha, Spiropali, kemi vënë në punë në portin e Durrësit skanerin, një investim ky prej 2 milionë eurosh, i cili prej vitit 2012 qëllimisht apo për shkaqe teknike ishte jashtë funksioni. /ATSH/