Këshilli i Lartë Gjyqësor ka rrëzuar një kërkesë të dhjetë ish-anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, të cilët kërkuan të emëroheshin gjyqtarë Apeli pas përfundimit të mandatit të tyre si shkalla e parë e vettingut.
Në mbledhjen e kësaj të premteje, KLGJ vendosi unanimisht të mos pranojë kërkesën e Suela Zhegut, Firdes Shulit, Alma Faskajt, Brunilda Bekteshit, Pamela Qirkos, Olsi Komicit, Valbona Sanxhaktarit, Xhensila Pines, Etleda Çiftjas dhe Roland Ilisë. Jashtë këtij shqyrtimi mbeti Genta Bungo, e cila tashmë ushtron detyrën e Komisioneres për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe ish anëtarit Lulzim Hamitajt, të cilët nuk kishin paraqitur kërkesë.
Ish-komisionerët kanë pretenduar se ligji nuk ka përcaktuar se cili duhet të jetë statusi i anëtarëve të KPK-së pas përfundimit të mandatit, ndonëse gjatë ushtrimit të detyrës ata gëzonin të njëjtin status kushtetues me anëtarët e Gjykatës së Lartë. Për këtë arsye, ata kërkuan të emëroheshin gjyqtarë të Gjykatës së Apelit.
Por Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerësoi se kërkesa nuk gjen mbështetje as në Kushtetutë dhe as në ligj. Vetëm pak javë më parë, Këshilli miratoi emërimin e anëtarëve të KPA -së si gjyqtarë në Gjykatën Administrative të Apelit pas përfundimit të mandatit 9-vjeçar, pasi kjo e drejtë parashikohet shprehimisht në nenin 179/b të Kushtetutës. Një parashikim i tillë kushtetues nuk ekziston për anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, çka, sipas KLGJ-së, e bën të pamundur pranimin e kërkesës së tyre.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit u krijua në vitin 2017 si institucioni i shkallës së parë i procesit të vettingut, në kuadër të reformës në drejtësi. Mandati i anëtarëve të tij ishte parashikuar fillimisht për pesë vjet, por në vitin 2021 u zgjat me ndryshime kushtetuese deri më 31 dhjetor 2024, me qëllim përfundimin e procesit të rivlerësimit për 805 subjekte.
Njoftimi i plotë
Sot, më datë 10.07.2026, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi Mbledhjen Plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si më poshtë: Në përmbushje të detyrimeve ligjore, Këshilli miratoi raportin e vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtares znj. Brunilda Kadi, për vitin 2024. Këshilli vendosi të shtyjë shqyrtimin e projektvendimit “Për vlerësimin etik dhe profesional të gjyqtarit z. Adrian Shega për periudhën 2021-2023”. Këshilli vendosi për caktimin me short të relatorit për procedimin disiplinor nr. 1/2026, të filluar ndaj magjistrates znj. Suela Dashi, me funksion gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër.
Këshilli vendosi për zgjatjen e afatit të caktimit në skemën e delegimit të gjyqtarit z. Sokol Ibi.
Në vijim, Këshilli miratoi vendimin për ricaktimin e gjyqtarit të skemës së delegimit z. Sokol Ibi, në Gjykatën Administrative të Apelit.
Këshilli vendosi rrëzimin e kërkesave, për caktimin në pozicionin gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm për:
- znj. Suela Zhegu;
- znj. Firdes Shuli;
- znj. Alma Faskaj;
- znj. Brunilda Bekteshi;
- znj. Pamela Qirko;
- z. Olsi Komici;
- znj. Valbona Sanxhaktari;
- znj. Xhensila Pine;
- znj. Etleda Çiftja;
- z. Roland Ilia.
Pas hedhjes së shortit, Këshilli vendosi për zëvendësimin e nëpunëses përgjegjëse për vlerësimin znj. Merita Karaj në procedurat e vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtarëve.
Më tej, Këshilli vendosi për deklarimin e përfunduar pa një vendim përfundimtar të procedurës së verifikimit të pasurisë dhe figurës për kandidaten për në programin e formimit fillestar, në Shkollën e Magjistraturës, viti akademik 2026-2027, profili ndihmës ligjor, znj. Kledjana Llalla.
Këshilli vendosi të shtyjë shqyrtimin e projektvendimit “Mbi rishpërndarjen (transferimin) e fondeve buxhetore në programin 03310, buxheti i gjykatave, në shpenzime korrente, për vitin buxhetor 2026”.
Në përfundim, Këshilli vendosi për miratimin e procesverbaleve të mbledhjeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor të datave 29.04.2026 dhe 06.05.2026.
Komente










