Në vitin 2025 Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka kërkuar procedim disiplinor dhe marrja masash ndaj 8 magjistratëve në vend, 3 gjyqtarë dhe 5 prokurorë, duke kërkuar shkarkim në vetëm një rast, dhe masa më të lehta ndaj 7 të tjerëve.

Në raportin e paraqitur nga vetë Artur Metani në Kuvendin e Shqipërisë thuhet se vetëm një kërkesë ka përfunduar me masë konkrete, një vërejtje publike për një gjyqtar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Vetë ILD ka kërkuar në KLGJ një masë ulje të pagës 40%, çështje që është në proces vendimmarrjeje dhe 2 ‘vërejtje’, një rasti i pranuar dhe tjetri i rrëzuar.

Nga 5 kërkesa për masa ndaj prokurorëve, Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk ka ndëshkuar askënd. Kërkesa e paraqitur për shkarkim ka mbetur pa vendim përfundimtar për shkak të humbjes të statusit të magjistratit të proceduar, ndërsa të tjerat kryesisht janë rrëzuar. 


 

Tabelë nga raporti i ILD

Duhet evidentuar se kërkesat për masë disiplinore kanë pësuar një rënie të ndjeshme. Në 2024-n Inspektori i Lartë i Drejtësisë kishte kërkuar ndëshkim për 11 magjistratë, 6 gjyqtarë dhe 5 prokurorë, duke kërkuar shkarkim për të gjashtë gjyqtarët dhe masa të tjera për përfaqësuesit e akuzës. Nga këto i ishin pranuar mes të tjerash 2 shkarkime mes togave të zeza.

Shkeljet e vërejtura nga ILD gjatë hetimeve për gjyqtarët dhe prokurorët janë vonesa të përsëritura ose që sjellin pasoja të rënda apo zvarritje të pajustifikuara të proceseve, mospërmbushja e pajustifikuar ose e përsëritur e funksioneve gjatë gjykimit ose hetimit; sjellja emagjistratit që sjell përfitime të padrejta ose dëme për palët; shkelje të rënda ligjore; shkelje e rregullave të solemnitetit; shkelja e rregullave të konfidencialitetit dhe të mospërhapjes së informacionit etj. 

Në raportin e ILD thuhet se në vitin 2025 vihet re një numër ndjeshëm i shtuar i ankesave të depozituara, krahasuar me vitin e mëparshëm, me 1792 ankesa të reja, nga të cilat 1718 ankesa të depozituara nga qytetarë si dhe 74 nga persona juridikë. Nga 2024-shi u mbartën 1480 ankesa, duke e bërë kështu totalin 3272 ankesa për t’u trajtuar. 


Tabelë nga raporti i ILD

Gjatë 365 ditëve të 2025, zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka shqyrtuar 1635 ankesa, nga të cilat 1211 të tilla janë arkivuar pas shqyrtimit fillestar, 372 të tjera janë arkivuar pas një procesi verifikimi, dhe vetëm 52 ankesa kanë përfunduar në hetim disiplinor. Nga 2025-a mbeten 1,637 ankesa të mbartura për vitin 2026. 

Por ndaj kujt ankohen shqiptarët?

Sipas raportit të ILD nga 1635 ankesat e shqyrtuara, rezulton se 672 të tilla ose 41% kanë qenë për gjyqtarët, 470 ose 29% për prokurorë, 375 ankesa për gjyqtarë e prokurorë së bashku (23% e tyre), ndërsa 7% e ankesave ose 118 të tilla nuk e identifikojnë subjektin ndaj të cilit ngrihen pretendimet. 

Sa i përket llojit të ankesës ILD thotë në raport, se pjesa më e madhe e qytetarëve, 40% e tyre, pretendojnë për vendimmarrje të padrejtë, 33% për zvarritje të gjykimit dhe hetimit, ndërsa 29.5% thonë se gjyqtari ose prokurori ka gabuar kur ka zbatuar ligjin. Pretendime të tjera, me numër më të vogël, lidhen me vonesat në shpalljen dhe arsyetimin e vendimeve (6%), shkelje të etikës dhe konflikt interesi. 


 

Tabelë nga raporti i ILD

Në ILD kanë ardhur gjithsej 20 ankime për magjistratët nga ato që quhen institucione të posaçme. Për vitin 2025 ka qenë vetëm një drejtues gjykate që ka përcjellë 1 ankim në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Ndërsa nga drejtues të prokurorive janë depozituar 8 ankime. Ministria e Drejtësisë ka depozituar 6 kërkesa për hetim, Gjykata e Lartë 3 dhe Prokurori i Përgjithshëm 2. Duhet evidentuar se nga 8 procedimet disiplinore që ka kërkuar gjithsej në vitin 2025 ILD, 4 prej të cilave rrjedhin nga ankimet e institucioneve të posaçme. 


Tabelë nga raporti i ILD

 

Kliko këtu për të lexuar raportin e plotë