Ndërsa turma e vajtuesve mbushi oborrin gjigant të një xhamie në Teheran për të parë për herë të fundit trupin e Udhëheqësit Suprem të vrarë të Iranit, Ali Khamenei, një burrë misterioz me rroba kleriku qëndronte në distancë, duke vëzhguar nga një ballkon zhvillimin e ceremonisë historike, raporton CNN.
Burri, i cili qëndronte pranë një grupi të vogël njerëzish, u shfaq në një video me cilësi të dobët që u bë virale në rrjetet sociale, duke nxitur dyshime se ai ishte djali i ajatollahut dhe udhëheqësi i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei.
Fytyra e tij nuk dukej qartë në video dhe, përtej rrobave fetare që ngjanin me ato të shumë klerikëve të tjerë shiitë të pranishëm në ceremoni, nuk kishte asgjë që të tregonte se bëhej fjalë për Khamenein. Reza Mousavi Vaez, një klerik iranian, më vonë deklaroi në rrjetet sociale se personi në video ishte ai vetë.
Por fakti që pamjet u bënë virale tregon një realitet më vete: shumë mbështetës ishin më të përqendruar te kërkimi i shenjave për Mojtaba Khamenein sesa te ceremonia madhështore për nderimet ndaj udhëheqësit që ka shërbyer më gjatë dhe ndoshta më të rëndësishmit, në historinë 47-vjeçare të Republikës Islamike.
Besohet se ai u plagos në sulmin e shkurtit nga Izraeli dhe SHBA-të, ku u vranë babai, nëna dhe bashkëshortja e tij. Udhëheqësi i ri Suprem ka qëndruar i fshehur që nga fillimi i luftës, duke komunikuar me mbështetësit e tij vetëm përmes deklaratave të shkruara, pa shfaqur kurrë fytyrën dhe pa zë.
Ndërkohë, zyrtarët iranianë janë përpjekur të minimizojnë plagët e tij dhe të krijojnë një imazh të shërimit të plotë, duke pretenduar se Khamenei drejtoi negociatat e Teheranit me Uashingtonin.
Disa orë para se babai i tij të varrosej në Mashhad, vajtuesit kërkuan praninë e udhëheqësit të ri suprem dhe brohoritën: "Ja ku jemi në shërbimin tënd, Mojtaba", në një deklaratë besnikërie ndaj tij.
Ministria e Jashtme e Izraelit reagoi për mungesën e Mojtabas përmes një postimi ironik ku krahas krah një fotografie të turmës që vajtonte dhe mbante një poster të udhëheqësit të ri suprem, shkroi:
"Prania e zjarrtë e Mojtabas në ceremoninë e varrimit të babait të tij në Irak."
Shfaqja e Mojtaba Khameneit në funeral do të kishte shënuar daljen e parë publike të tij. Izraeli e ka kërcënuar me vdekje liderin e ri iranian, por pavarësisht kësaj, mungesa e tij në funeralin e të atit, vetëm po ushqen misterin.
Komente










