Një dekadë pasi Britania votoi për t'u larguar nga blloku tashmë me 27 vende anëtare i BE, tensionet janë zbutur dhe të dyja palët kanë njohur nevojën për një aleancë më të ngushtë, në një kohë kur rendi botëror po merr formë të re nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, tarifat doganore amerikane, dominimi i Kinës në zinxhirët e furnizimit me minerale kritike dhe lufta në Iran.

Kryeministri britanik Andy Burnham në një konferencë për shtyp pas samitit në Bruksel, e vlerësoi marrëveshjen, si një që do të sjellë përfitime edhe për Londrën edhe për Brukselin.

“Mendoj se të gjithë mund të themi me bindje se kjo është një ditë e mirë për Britaninë dhe një ditë e mirë për Evropën. Marrëveshja që kemi arritur së bashku është një përfitim për të dyja palët“, tha Burnham.

Burnham, deklaroi se Britania duhet të shqyrtojë mundësitë për marrëdhëniet e saj të ardhshme me BE-në, përfshirë edhe rikthimin në Union. Të hënën, ai tha se ishte një "e vërtetë e pamohueshme" që Britania kishte humbur më shumë sesa kishte fituar nga Brexit-i. Ai kërkoi zhvillimin e një diskutimi joformal, rreth një vit më vonë, me BE-në, për të shqyrtuar se çfarë mund të arrihet në të ardhmen.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se mirëpriste gatishmërinë e Burnham për të zhvilluar një debat të gjerë mbi marrëdhëniet e ardhshme me BE-në.

“Mund të them vetëm se jemi të hapur për diskutime dhe e mirëpresim këtë proces, ndaj mund të mbështeteni tek ne“, u shpreh Von der Leyen.

Në samit, i cili ishte shtyrë nga korriku pas dorëheqjes së paraardhësit të Burnham, Keir Starmer, palët folën shumë pak për humbjet ekonomike të shkaktuara nga Brexit-i.

Samiti përfundoi me marrëveshje për kontrollet e produkteve ushqimore, mobilitetin e të rinjve dhe një skemë të tregtimit të emetimeve, ndërsa marrëveshja për uljen e tarifave të shkollimit universitar u shty për gjashtë muaj. Kjo është një kërkesë e BE-së, të cilës Britania i ka rezistuar deri më tani.

Marrëveshja e re mundëson tregtinë ndërkufitare të kafshëve, bimëve dhe produkteve të lidhura me to, si salsiçet apo farat, pa pasur nevojë për certifikatat dhe kontrollet që kërkohen aktualisht. Britania ka vlerësuar se kjo mund t'i sjellë ekonomisë së saj deri në 5.1 miliardë paund në vit.

Një marrëveshje tjetër do të lidhë sistemet e tregtimit të emetimeve të Britanisë dhe BE-së, duke përjashtuar produktet britanike dhe evropiane, siç është çeliku, nga taksat kufitare të njëra-tjetrës për emetimet e karbonit.

Secila palë gjithashtu do t'u mundësojë të rinjve të palës tjetër të hyjnë në territorin e saj për të punuar ose studiuar për një periudhë trevjeçare. Megjithatë, në këtë pikë dallimet mes tyre janë më të dukshme.

Britania, ku emigracioni ishte një nga faktorët që ndikuan në votën për Brexit-in, kishte propozuar pranimin e vetëm 50 mijë të rinjve, por ra dakord në fund për 100 mijë persona.