Banorët e zonës së qendrës dhe Tiranës së Re do të kenë më shumë ujë në shtëpitë e tyre. Kjo falë një investimi të rëndësishëm që ka ndërmarrë Bashkia e Tiranës dhe UKT për ndërtimin e një rrjeti të ri ujësjellësi në Bulevardin “Bajram Curri” dhe nga i cili do të përfitojnë më shumë se 100 mijë banorë në një sipërfaqe prej 120 hektarësh.

Pjesë e këtij investimi është dhe zëvendësimi i tubave kryesorë që kalojnë mbi Lanë, në afërsi të urës në rrugën e “Elbasanit”. Siç shihet edhe nga fotot punonjësit e UKT-së kanë vijuar punën për prerjen e tubacionit të vjetër që kalon mbi Lanë dhe për ta zëvendësuar atë me një tubacion tjetër të ri që do i përgjigjet nevojës së qytetarëve për më shumë ujë dhe shërbim më cilësor.

Me investimet e kryera gjatë vitit të shkuar në depon e ujit prej 6500 metra kub të ndërtuar në territorin e Depove të Tiranës dhe të tubacionit kryesor që del nga kjo depo, deri tek Parlamenti, u arrit një shtim presioni i ujit nga 2.2 deri në 4.4 atmosferë. Ndërkaq, përveç rritjes së presionit është shtuar edhe aftësia përcjellëse e tubacioneve që dalin nga kjo depo.

Por linja ekzistuese që kalon përgjatë Bulevardit “Bajram Curri” nuk i përgjigjet fuqisë dhe sasisë së ujit që del nga depoja dhe rrjeti kryesor. Ai është ndërtuar që në vitin 1964, dhe në shumë pjesë paraqitet i amortizuar dhe shpesh herë jep defekte të ndryshme, duke mos arritur t’i përgjigjet nevojave dhe ritmeve aktuale të zgjerimit dhe shtimit të presionit të ujit. Ndaj zëvendësimi i tij është bërë i domosdoshëm për ti dhënë më shumë efektivitet investimeve të mëparshme të UKT-së, si dhe për të rritur sasinë e ujit që mbërrin në rubinetet e qytetarëve dhe bizneseve të ndryshme.

Sipas përllogaritjeve të ekspertëve, linja e re që do të jetë e gjatë rreth 520 metra linearë, do të furnizojë një popullsi prej 160 mijë banorësh për një periudhë 25 vjeçare. Tubacioni i ri do të shtrihet  gjatë gjithë trasesë në trotuarin e rrugës dhe në pjesën ku përshkon Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” do të kalojë poshtë saj, i veshur me shtresë betoni.

UKT

d.b/shqiptarja.com