Një operacion i Policisë së Shtetit italian kundër 4 shqiptarëve të dyshuar për vjedhje dhe grabitje banesash u shoqërua me përleshje fizike në zonën e Kasertës në vendin fqinj, pavarësisht numrit të lartë të oficerëve të angazhuar në terren.
Rreth 100 efektivë policie rrethuan banesat e katër shqiptarëve në komunat San Marcellino dhe Cesak ku ata jetonin me familjet.
Por aksioni nuk shkoi sipas planit. Sipas mediave italiane, njëri nga shqiptarët tentoi të arratisej duke kaluar nga çatia në çati, duke vënë në alarm forcat speciale, ndërsa një tjetër reagoi dhunshëm dhe sulmoi policët gjatë arrestimit.
Momenti më dramatik ndodhi në San Marcellino, kur një i afërm i njërit prej të dyshuarve, gjithashtu shqiptar dhe me trup të fuqishëm, u hodh nga kati i parë drejt efektivëve të policisë, në përpjekje për të krijuar kaos dhe për të mundësuar arratisjen e njërit prej anëtarëve të bandës. Përplasja përfundoi me pesë policë të plagosur, fatmirësisht pa pasoja serioze.
Pavarësisht rezistencës dhe tentativave për arratisje, të katër shqiptarët u arrestuan, ndërsa personi që sulmoi policinë u neutralizua. Sipas autoriteteve italiane, grupi dyshohet se ishte i përfshirë në dhjetëra vjedhje banesash, duke përvetësuar nëpërmjet grabitjes shuma të konsiderueshme parash dhe sende me vlerë .
Hetimet vijojnë për të zbuluar rrjetin e plotë të bashkëpunëtorëve shqiptarë dhe për të verifikuar nëse banda kishte lidhje me grupe të tjera kriminale që veprojnë në Itali.
Komente










