TIRANE - Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi ka bërë sot publike axhendën e qeverisë për aktivitetet e 100-vjetorit të Pavarësisë..

Në këtë axhendë parashikohet se kremtimet për festën e Pavarësisë do të nisin në Vlorë ku do të zhvillohet dhe ceremonia e ngritjes së Flamurit dhe homazhet më pas do të vijojnë në Tiranë deri në orët e vona të natës

“Data 28 fillon me çeljen e ceremonive në Vlorë, siç ka ndodhur përherë, siç ka ndodhur çdo vit, ashtu siç e parashikon protokolli i shtetit. Kremtimet fillojnë më datë 28 nëntor në Vlorë me ngritjen e flamurit dhe homazhet. Pas dreke vijojnë në Tiranë deri në orët e vona të natës"- tha sot ministri i Kulturës Bumçi.

Në axhendë përfshihet vendosja e disa momumenteve të personaliteteve si Ismail Qemali, mbreti Zog, Hasan Prishtina, Azem Hajdari, Petro Marko, etj. MTKRS konfirmoi se në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë do të vijnë në Shqipëri shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut.

"Ka ngjarje të shumta, kemi përurimin e përmendorës kushtuar 100-vjetorit të Pavarësisë, koncertet festive, mbëmjen solemne akademike dhe aktivitete të tjera që do zhvillohen gjatë ditës”- shtoi ai.

Sipas ministrit të Kulturës, Aldo Bumçi në këtë axhendë i është dhënë më shumë prioritet festimeve në Vlorë, ku do të jenë të pranishëm personalitetet më të larta të vendit. Duke folur për koston financiare të kësaj axhende, Bumçi tha: “Ka një faturë financiare për çdo aktivitet të kryer, nga fundi i vitit të kaluar kur u çelën festimet, derisa të përfundojnë në fund të dhjetorit. Deri tani shpenzimet janë rreth 300 milionë lekë”.

(eç/shqiptarja.com)