Një shekull më parë, në qytetin e Shkodrës lindi Tish Daija, kompozitari që la gjurmë të pashembullta në historinë e muzikës shqiptare.

Themeluesit e muzikës profesioniste shqiptare dhe autori i baletit të parë në vend, “Halili dhe Hajria”, Tish Daija është vlerësuar në një aktivitet në Akademinë e Shkencave.

Studiues dhe artistë ndanë kujtime e analizuan krijimtarinë e tij, ndërsa i biri i artistit, Gust Daija sjell një portret intim të të atit.

“Ai nuk ishte nga ata kompozitorë që ulej çdo ditë në tavolinë për të punuar. Frymëzimi i vinte papritur. Kthehej nga rruga duke fishkëllyer një motiv, ulej në piano dhe aty lindte vepra.”, thotë Agustin Daija.

I biri kujtoi spontanitetin krijues të të atit, duke ndarë edhe momentin e lindjes së këngës së njohur “Gajdexhiu”, një krijim që sot këndohet si këngë popullore, shpesh pa iu njohur autorësia.

“Ishte pesë nota, kaq. Dhe ai thoshte: do dalë diçka e bukur. Dhe doli.”, rrëfen i biri.

Por përtej kompozitorit, Gust Daija ndalet te njeriu Tish Daija, i njëjtë në skenë dhe në familje.

“Ishte gazmor. Ashtu siç ishte jashtë, ashtu ishte edhe në shtëpi. Kishte humor, gëzim dhe dashuri për jetën.”

I pyetur nëse Tish Daija ishte një artist rebel për kohën në të cilën jetoi, i biri thekson se muzika e tij ishte optimiste dhe se ai nuk e shihte artin si përplasje, por si shprehje shpirtërore.

“Ai nuk kishte kohë të merrej me sistemin. Ishte i fokusuar te muzika.”

Tish Daija krijoi në të gjithë zhanret e muzikës. Ai është autor i veprave madhore të muzikës shqiptare, ndër të cilat spikasin opereta “Lejlaja”, opera “Pranvera”, baleti i parë shqiptar “Halili dhe Hajria”, si dhe “Bijtë e Peshkatarit” etj. Ai u dallua për frymëzimin nga motivet shqiptare, duke krijuar këngë që u bënë pjesë e fondit të artë të muzikës sonë, si “Me lule të bukura”, “Natën vonë”, “Flakë e borë” etj., krijime, që mbeten edhe sot ndër më të më të dashurat për publikun.