Institucionet kulturore në vendin tonë kanë nisur punën për ruajtjen dhe restaurimin e veprave të aktorës së njohur Violeta Manushi e cila ka lindur një shekull më parë.

Në përvjetorin e 100-të të ditëlindjes së saj, Ministri i Turizmit Blendi Gonxhja njoftoi se gjatë vitit 2026, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit dhe Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit do të punojnë që interpretimet dhe materialet filmike të aktores të ruhen dhe të përcillen me cilësinë më të mirë për brezat e ardhshëm.

Në fjalën e tij, Gonxhe  e cilësuoi një nga figurat më emblematike të skenës dhe ekranit shqiptar.

"Me talentin e saj të rrallë, me humorin e ngrohtë dhe me humanizmin e thjeshtësinë që përcillte në çdo rol, ajo krijoi personazhe që mbeten të gjalla në kujtesën e publikut ende edhe sot. Arti i saj ishte i thjeshtë në dukje, por i thellë në ndjenjë; plot jetë, fisnikëri dhe dashuri për njeriun. Në çdo interpretim, Violeta Manushi sillte një prani të veçantë, një kombinim të elegancës, spontanitetit dhe shpirtit popullor që e bëri atë të paharrueshme për breza të tërë" tha Gonxhe. 

E vlerësuar me titullin “Nderi i Kombit”, Violeta Manushi mbetet një nga aktoret më të dashura për publikun. Me stilin e saj të veçantë, humorin dhe thjeshtësinë që sillte në çdo rol, ajo krijoi personazhe që edhe sot mbeten të gjalla në kujtesën e publikut.

Një nga rolet më të njohura të saj është Ollga në filmin “Zonja nga qyteti” të vitit 1976, një personazh që u kthye në ikonë të kinemasë shqiptare dhe vazhdon të mbetet ndër më të dashurit për publikun shqiptar. Manushi u shua më 27 korrik të vitit 2007