TIRANE - Kuvendi i Shqipërisë ka nderuar sot personalitete të letrave, artit e humanizmit në vitin jubilar të 100-vjetorit të Pavarësisë, ndër të cilët Ismail Kadarenë, Gjergj Fishtën, Eqerem Çabejt, e shumë personalitete të tjerë.

Në një ceremoni të veçantë Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli dhuroi për artistë, shkrimtarë, njerëz të letrave, mjekë që ndërtuan themelet e mjekësisë shqiptare, botimin special të Kuvendit të Shqipërisë ”Aktet e themelimit të shtetit shqiptar”, në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje.

“Artistët kanë qenë dhe janë miqtë e vërtetë të shqiptarëve. Ata u bënë njerëz të ndryshimit. Shqiptarët i besuan atyre dhe ata nuk i tradhtuan shqiptarët. Ne kemi nevojë për ta si për ajrin. Shkrimtarët dhe artistët janë njerëzit tanë të shtëpisë. E duke i pasur tanët shpesh edhe i kemi harruar, i kemi kaluar anash pa i përshëndetur, i kemi bishtnuar pa i dhënë dorën. Ne jemi borxhlinjtë. Lavdia e tyre nuk ka nevojë për asgjë. E jona ka nevojë për të”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit në fjalën e saj.

(eç/shqiptarja.com)