100-vjetori s'bashkon politikën
Berisha, Rama festojnë të ndarë

100-vjetori s'bashkon politikën<br />Berisha, Rama festojnë të ndarë
TIRANE / VLORE - Qyteti i Flamurit sot feston. Qindra shqiptarë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe  diaspora, kanë mbushur rrugët e qytetit për të festuar 100 Vjetorin e Pavarësisë Kombëtare. Në Vlorë  janë përqëndruar dhe personalitete të larta të vendit, përfaqësues diplomatikë të akredituar në Tiranë. Ajo që të bie në sy është se opozita dhe mazhoranca po zhvillojnë festime të ndara.

As jubileu dhe festimet për 100-vjetorin e pavarësisë nuk kanë mundur dot të bashkojnë politikën shqiptare. Gjatë paradites së sotme në Vlorë ka qenë duke festuar kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, kurse gjatë mbrëmjes ka mbërritur në qytetin e flamurit Kryeministri Sali Berisha.

Lideri i së majtës është pritur nga kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika dhe ka qenë i shoqërua nga ish-ambasadori amerikan John Withers dhe akademiku kosovar Rexhep Qosja. Zonja Linda Basha ka qenë e pranishme në këto festime.

Ndërkohë që Kryeministri Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij është pritur nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike për qarkun e Vlorës. I rrethuar nga bodigardët e tij, ka shijuar pritjen që i kishte rezervuar Grupi Polifonik i Vlorës.


Në orën 13:00 në teatrin "Petro Marko" u nderua me titullin  "Qytetar Nderi" akademiku Rexhep Qosja dhe ish-ambasadori amerikan Withers. Në ceremoni ishin të pranishëm kryetari i PS-së dhe deputetë të tjerë socialistë, por nuk kishte asnjë përfaqësuar nga qeveria dhe mazhoranca. Festimet vazhdojnë edhe në Tiranë e qytete të tjera.

 Scroll down for english version

VLORE, MBERRIN KRYEMINISTRI BERISHA
16:50 Mbërrin në Vlorë Kryeministri Sali Berisha, i shoqërua nga bashkëshortja Liri Berisha dhe një numër i madh bodigardësh. E pranishme në festimet e pavarësisë Në Vlorë është edhe kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli. Kryeministri është pritur nga këngëtarët e grupit Polifonik të Vlorës, të cilët kanë kënduar një parodi labe në nder të ardhjes së tij.

Në fjalën e tij përshëndetëse Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për pritjen dhe uroi edhe njëherë pavarësinë.
“Mirëmbrëma Vlora, mirëmbrëma Shqipëri. Përshëndetje nga Vlora e flamurit dhe Ismail Qemalit. Mirënjohjen më të thellë për këtë pritje paqësore. Më 28 nëntor 2012 u shpall pavarësia e Shqipërisë etnike nga babai i pavarësisë së Shqipërisë Ismail Qemal Vlorës dhe burrave që votuan aktin e pavarësisë. Gëzuar 100-vjetorin e pavarësisë”, u shpreh Berisha.

VLORE, PERUROHET SHTATORJA E ISMAIL QEMALIT

Ora 14:30 U përurua shtatorja e "Ismail Qemalit" në sheshin përpara godinës së Universitetit që mban të njëjtin emër. Kreu i PS-së është i pranishëm në këtë ceremoni, mungon kryeministri Berisha. Shtatorja u zbulua nga ish-ambasadori amerika John Withers dhe akademiku Rexhep Qosja. Monumenti është bërë nga skulptorët Alizoti dhe Pëllumb Halili.

GJIKA: QEVERIA DONTE TE SPOSTONTE QENDREN E PAVARESISE
Kryetari i bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika në fjalën e tij theksoi se qeveria donte të spostonte qendrën e pavarësisë.
“Ajo që bëri këto ditë qeveria duke marrë një bust nga muzeu dhe duke e fshehur në një lulishte është më shumë se sa e turpshme. Të nderosh lloj-lloj monarku e satrapi, e të harrosh babain e kombit është e palejueshme. Qeveria donte të spostonte qendrën e pavarësisë. Të gjithë shqiptarët e kanë ruajtur me fanatizëm, jemi sot të gjithë bashkë, do të jemi nesër për të festuar 100 vitet e para të shtetit tonë. Kosova është sot e pavarur edhe e lirë, ëndrra e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit është realizuar. Pas afro 100 vjetësh arritëm të ndjehemi të lirë. Mirënjohje për popullin amerikan, sidomos për ish-presidentin Clinton dhe Bush. Shtatorja e Ismail Qemalit, një vepër e denjë për Vlorën dhe Shqipërinë, autorët janë nga çamëria jonë. Sot jemi të gjithë bashkë, nuk dëshirojmë turbullira dhe ngatërresa. Kërkojmë me gjithë zemër bashkimin e farës shqiptare, këtë porosi na la Ismail Qemal Bej Vlora. Mirësevjen ati ynë. Gëzuar 100-vjetorin e pavarësisë”, u shpreh Gjika.

QOSJA: NA UDHEHOQI IDEALI I ISMAIL QEMALIT
Në fjalën e tij Rexhep Qosja u shpreh se popullin shqiptar ndër vite e ka udhëhequr ideali i Ismail Qemalit për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare.
“Sot zbuluam shtatoren e një nga figurave më të mëdha, me të lidhet fundi i një kohe në historinë shqiptare dhe fillimi i një kohe të re. Lidhet fundi i një robërie 500-vjeçare dhe fillimi i një Shqipërie të re. Jashtë asaj Shqipërie mbetën më shumë se gjysma e trojeve shqiptare, por populli shqiptar jashtë kufijve arriti të mbahej dhe të ruante identitetin e vet.
Ismail Qemali formoi idenë që lëvizi historinë shqiptare, bëri shumë në Kosovë. Ideali i Ismail Qemalit nxiti krijim e UÇK-së, e cila me SHBA dhe NATO-n i solli Kosovës lirinë. Ideali i Ismail Qemalit dhe delegatëve të tij bëri Shqipërinë dhe na dha idealin se në të gjithë trojet populli shqiptar do të bashkohet”, u shpreh Qosja.

WITHERS: I PRANISHEM NE 3 NGJARJE HISTORIKE
John Withers në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh se ishte shumë më fat që kishte marrë pjesë në tre ngjarje të rëndësishme për Shqipërinë.
“Gjatë kohës time në Shqipëri unë isha me fat që kam qenë dëshmitar i tre ngjarjeve të mëdha. Së pari ishte anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, së dyti ishte pavarësia e Kosovës, që duhet të kishte ardhur më parë dhe së treti ishte sot të festoja 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.
E konsideroj veten me shumë fat, jam thellësisht mirënjohës që qyteti i Vlorës më dha këtë çmim. Është nderi më i madh që kam marrë ndonjëherë dhe nderi tjetër ishte të merrja pjesë në zbulimin e shtatores së Ismail Qemalit. Ai 100 vjet më parë pa ushtri dhe i armatosur vetëm me një ideal të madh, u bë ati i Shqipërisë moderne. Kur mendoj për Ismail Qemalit mendoj për një poezi shqiptare që dikush ma ka thënë disa vite më parë: “Kur stuhia vjen zogjtë e vegjël futen në fole, vetëm shqiponja i hap krahët kundrejt erës” dhe sot dua të them urimet e mia më të thella ndaj juve fëmijëve të shqiponjës, ju bijtë e Vlorës aty ku u themelua pavarësia, ju fëmijët e Shqipërisë, sot ashtu si shqiponja shpresoj të fluturojë në qiell”, u shpreh Withers.

RAMA: TE NDERTOJME TE ARDHMEN EUROPIANE
Në fjalën e tij kryetari i Partisë Socialiste theksoi se në këtë 100-vjetor ne kemi detyrim t’u japim të rinjve të ardhmen europiane sepse e meritojnë.
“Shpreh kënaqësinë që patëm sot duke përshkruar bulevardin e kryeqytetit të pavarësisë, takuam qytetarë nga të gjithë trevat shqiptare. Ata i bashkoi kryeqyteti i pavarësisë. Në 100-vjetor kur ne në fakt festojmë shqiptarët e bashkuar pa kufij, falë Kosovës së pavarur, falë Ismail Qemalit dhe atyre pas tij që u sakrifikuan për t’i dhënë popullit kënaqësinë për të qenë bashkë dhe flamurit kënaqësinë për t’u valëvitur i lirë. Rruga e flamurit ka qenë e mundimshme dhe akoma s’ka mbaruar. Fakti që flamuri është po ai, fusha e kuqe me shqiponjën dykrenare, pa shenja kurore, pa asgjë tjetër përveç fluturimit të lirë të shqiponjës, një fluturim që vazhdon, me një vizion të përbashkët për të ardhmen. Të ndërtojmë kushtet që në të gjitha trojet të ndërtohet gjenerata e re e rinisë europiane. Ne kemi detyrimin t’u japim mundësinë të jenë qytetarët e dorës së parë të BE-së. Kjo është besoj unë aspirata e atyre që dhanë jetën që nga ngritja e flamurit deri në luftën heroike të Kosovës. Këto jetë të reja të rriten dhe të zhvillohen në botën e Europës së bashkuar, përmes një Shqipërie të re për një Shqipëri që u jep krenari të gjithë shqiptarëve. Faleminderit të gjithëve ju, të gjithë atyre që i kanë dhënë sot Vlorës së Ismail Qemalit statusin e kryeqytetit të pavarësisë. Faleminderit gjithë qytetarëve vlonjatë që kanë hapur dyert për çdo shqiptar që dëshiron ta festojë këtë pavarësinë”, u shpreh Rama.



ismail qemali, qose
(Në foto: Përurimi i bustit të Ismail Qemalit në Vlorë)

WITHERS: JU DO PERMBUSHNI IDEALIN E NJE SHQIPERIE TE BEGATE
Ora 14: 00
Në fjalën e tij ambasadori Withers vlerësoi si një nder të madh në karrierën e tij dhe falenderoi qytetarët e Vlorës e kryetarin e bashkisë. “Kjo është hera e parë që jam kthyer në Shqipëri pasi u largova në 2010 dhe tani kthehem si një qytetar amerikan, por kur erdha sot në Vlorë dhe pashë të gjithë ju, këta njerëz të mrekullueshëm nëpër rrugë ndihem sikur erdha në shtëpi....Nuk jam i sigurtë nëse e meritoj këtë, si akademiku Rexhep Qosja të jem me të njëjtën shkallë me 100 vjetorin e Pavarësisë... Për të shprehur mirënjohjen nuk kam asnjë fjalë, por premtoj që do të bëj çmos që tju bëjë ju, qyteti i Vlorës, krenarë.”- tha Withers.
Duke ngritur lart rolin e firmëtarëve të deklaratës së pavarësisë, Withers shtoi se vizioni i sotëm është për një demokraci të konsoliduar. “Shqipëria sot ka të tjera rreziqe, por ka një vizion të ri. Sot ky vizion nuk është thjesht për të qenë i lirë dhe i pavarur, por vizioni i një demokracie të plotësuar, i një shoqërie të qeverisur me ligje të barabarta, dhe sistem drejtësie të pavarur. Unë i di sfidat që janë përpara jush por besoj tek Shqipëria e shqiptarët. “

Para se të vija në Shqipëri unë dija për Skënderbeun por kur erdha këtu zbulova se fisnikëria e tij ishte mes jush. Mësova se mirësia e Nënë Terezës ishte me ju. Dija për Isa buletinin dhe mësova se kurajoja ishte në mesin tuaj. Dija për Qosen e Kadaren dhe mësova se intelekti i tyre është me ju... Për shkak të trimërisë, nuk kam dyshim se do të ketë një rilindje të re. Dhe ashtu si vizioni i Ismail Qemalit i udhëhoqi ata, vizioni i Shqipërisë moderne do ju udhëheqë përmes cdo sfide. Ju do të përmbushni vizionin tuaj idealin e një Shqipërie të begatë e të lirë. ”

QOSJA:ROLIN HISTORIK TE VLORES NUK IA MARRIN KURRE
Ora 13:41 Në fjalën e tij akademiku Qose tha se rolin historik të Vlorës ia ka dhënë gjeografia dhe historia."Më 28 nëntor shqiptarët nuk mblidhen si republikanë, socialistë a demokratës sitosktë a gegë, katolikë, në Vlorë për kujtim e nderim shqitparët kremtojnë si shqiptarë të bashkuar që pa shmangshëm do ta bëjnë Shqipërinë e bashkuar, që ishte ideali i delegatëve në 1912 dhe që ne sot i themi Shqipërisë etnike. Kështu do të jetë gjithmonë. Këtë rol të madh historik Vlorës nuk do të mund tia marrin kurrë sepse ia ka dhuruar historia e gjeografia. Këtë rol historik e kanë në mendje e në zemër të gjithë atdhetarët"- tha akademiku Qosja në fjalën e tij

Ai shtoi se rolin historik të Vlorës ia ka dhënë gjeografia dhe historia dhe kujtoi ngjarjen e 28 nëntorit 1912
“Pozita gjeografi e bënte më të përshtatshme për ngjarjen e madhe, visoret, kështjella dhe bregdeti e bënin më të mbrojtur prej rreziqeve që mund t’i kanoseshin. Trimëria e labëve të lavdishëm ishin premtimi më i sigurtë për mbrojtjen e personaliteve dhe veprës historike që do të krijojnë aty. Gjeografia e historia përzgjodhën Vlorën dhe për arsye se ishte qyteti ku kishte lindur burrshteti më i madh i historisë së re shqiptare Ismail Qemali. “Nëna natyrë e kishte përgatitur për tu bërë prijës i lindur.” - tha Qosja, duke shtuar se “ishte zotërues i situata dhe zotëria i kohës.” Fjala e plote e Rexhep Qoses në Vlorë
foto vlore
(Foto nga ceremonia sot)
 
Akademiku Qosja falenderoi kryetarin e bashkisë për ftesën dhe e përshëndeti historianin Xhufi për fjalët e bukura dhe më të mira se i meritoj. Ai përshëndeti dhe kreun e PS-së Edi Rama. “Ju përshëndes të gjithëve dhe ju e të gjithë bashkëkombësave tonë u uroj ditën e madhe të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Ndihem i privilegjuar për nderimin që më betë. Çdo shqiptar kudo qoftë që e do popullin e Shqipërinë, nuk mund të ketë nderim sesa prej vlonjatëve të jetë i shpallur Qytetar Nderi. Ky është nderim që e obligon të nderuarin me këtë titull.”

CEREMONIA E NDERIMIT
Ora 13:08
Nis ceremonia e nderimit me titullin "Qytetar Nderi" për akademikun Rexhep Qosja, shkrimtarin Ismail Kadare dhe ish ambasadorin Withers.Po mban fjalën kryetari i bashkisë Shpëtim Gjika.  “Janë miq të sinqetë të Vlorës e vlonjatëve. Ju përfshijmë në librin e artë si bashkëqytetarë të shquar”- tha Gjika.

ATMOSFERA FESTIVE
Ora 12:00
Atmosfera festive mbizotëron kudo në Vlorë qindra shqiptarë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, nga diaspora, nga SHBA e Argjentina, nga Australia, ndodhen në këtë qytet për të festuar 100 Vjetorin e Pavarësisë Kombëtare, si dhe presin të vizitojnë Muzeun e Pavarësisë Kombëtare.
atmosfere festive ne vlore
(foto nga rrugët e Vlorës )

Në mesditë do të zhvillohet ceremonia e dhënies së Titullit “Qytetar Nderi i Vlorës”, për shkrimtarin Ismail Kadare, akademikun Rexhep Qose dhe ish-Ambasadorin e SHBA në Tiranë, John Withers. Ndërsa në orën 19:30 kryetarja e Parlamentit do të shtrojë darkën zyrtare me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë. Ajo që të bie në sy është se opozita dhe mazhoranca do të zhvillojnë festime të ndara. Aty ku do të jetë opozita nuk do të jetë qeveria, dhe e kundërta. Festime do të ketë edhe në Tiranë e qytete të tjera.

CEREMONIA E QYTETARIT TE NDERIT, MERR PJESE RAMA, MUNGON BERISHA
Ceremonia do të zhvillohet në orën 13:00 në teatrin "Petro Marko". kryetari i Bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika do të nderojë me titullin “Qytetar Nderi i Vlorës”, shkrimtarin Ismail Kadare, akademikun Rexhep Qose dhe ish-Ambasadorin e SHBA në Tiranë, John Withers. I  pranishëm do të jetë kreu i opozitës, Edi Rama ndërkohë që Kryeministri Berisha do të jetë në inaugurimin e rrugës së Kosovës, në Gjurgjevice. Ish ambasadori Withers, së bashku me ish ambasadorin William E. Ryerson, i cili ka shërbyer në Tiranë nga dhjetori i vitit 1991 deri në tetor të vitit 1994, ndodhen në Tiranë që prej ditës së djeshme. Ata dje ishin të pranishëm në Ambasadën Amerikane ku u organizua një pritje për nder të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Akademiku Rexhep Qose pritet të jetë sot në Vlorë, ndërsa do të mungojë shkrimtari i madh,  Ismail Kadare



TOPALLI, BERISHA E NISHANI PASDITE NE VLORE

Pasdite në qytetin e Flamurit do të mbërrijnë dhe krerët më të lartë të shtetit Presidenti i Republikës Bujar Nishani, kryeministri Berisha dhe kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli. Në orën 16:00 kreu i Partisë Demokratike të këtij qyteti Ardian Kollozi ka ftuar  simpatizantët të presin ardhjen e kryeministrit Berisha në një ceremoni madhështore përpara shkollës “Halim Xhelo”. Në mbrëmje, ora 18:30 në Sheshin e Flamurit do të jepet koncerti festiv zyrtar me praninë e drejtuesve më të lartë të Shtetit.
 
PS BOJKOTON DARKEN ZYRTARE
Deputetët socialistë nuk do të jenë të pranishëm në darkën që do të organizohet sot në orën 19:30 nga kryetarja e Kuvendit dhe ku do të jenë të pranishëm Presidenti dhe kryeministri Berisha. Ata janë porositur që asnjë të mos shkojë në darkë, duke treguar refuzimin e çdo festimi para datës 28. Darka do të zhvillohet në Hotel Internacional. 

FESTIMET NE TIRANE
Në Tiranë festimet vazhduan me panairin “Blej Produkte Shqiptare”, koncerte me këngëtarë të rinj po në pedonalen “Murat Toptani”. Ndërkohë që në teatrin e Metropolit u bë një prezantimi i përmbledhjes me këngë patriotike. Pasdite u zhvillua ceremonia e përurimit të shtatores së heroit Adem Jashari tek rruga e Durrësit. Më pas në orën 20:00 po në rrugën “Murat Toptani" u mbajtën koncerte me grupe rock dhe me këngë patriotike ku janë të ftuar Renis Gjoka; Kamela & Top Shoë Band; Valon Shehu;Grupi Na;Grifshat; Vedat Ademi.

festime ne tirane
(Foto nga festimet në Tiranë)

PRESIDENTI NDERON NJEREZ TE SHQUAR

Edhe Presidenti do të ketë një axhendë të ngjeshur sot paradite, gjatë së cilës do të zhvillojë ceremoninë e dekorimit të albanologut Peter Bartl, këngëtares së madhe nga Kosova Nexhmie Pagarusha, si dhe dekorimin e sopranos shqiptare me famë botërore Inva Mula.

-----------------------------------------------------------------------------
English Version
Albania celebrates 100-th anniversary of independence

Vlora continues today the 100th anniversary of independence celebrations with an awarding ceremony. “Citizen of Honor” title shall be awarded today to the writer Ismail Kadare, to the academic Rexhep Qosja and to ex-US ambassador Withers. Opposition leader Rama shall be the only one present during this ceremony while Prime Minister Berisha shall be a road inauguration ceremony. US State Secretary Clinton felicitates Albanian citizens in occasion of 100th anniversary of independence. In her message Secretary Clinton underlines that country’s integration demands remaining reforms approval and also fair and free elections next Spring while adding that US remains a partner and friend of Albania. Parliament Speaker Topalli honored the independence act signer on this 100th anniversary. Presidents Nishani and Jahjaga, Prime Minister Berisha and numerous Albanian personalities participated in the ceremony staged in parliament hall. Speaker Topalli donated the “Albanian State Foundations Acts” special edition to the independence signers’ relatives. The opening day of celebration was on 17 January 2012 when the solemn ceremony was organized in parliament of Republic of Albania and attended by representatives from Kosovo, Macedonia, Montenegro, Preševo and Bujanovac, who were together in Albanian Parliament without any distinctions like they were together in parliament of Independent Albania 100 years earlier. Kosovo Security Force formed special unit of 65 soldiers to participate in the military parade in Tirana on 28 November 2012, which will be organized to celebrate the anniversary. The government of Albania decided to bring back the remains of the king Zog of Albania from France where he died in 1961. The remains were exhumed and the return ceremony was organized on November 17th, ahead of celebrations for Albania's 100th independence anniversary. The program of celebration for 28 November includes military parade in Tirana, concerts of folk and popular music in Tirana and Vlorë, hoisting the flag by the president of the republic, laying wreaths of flowers at Ismail Qemali tomb, president's speech at a rally dedicated to the anniversary, ceremony of hoisting the flag and laying of the wreaths of flowers at the Martyrs’ of the Nation Cemetery and inaugurating of the Monument of Independence.

Redaksia Online
(sç/sg/eç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë