100-vjetori/ Moisi Zaloshnja shkrimtari që luftoi për lirinë dhe diturinë

 100-vjetori/ Moisi Zaloshnja shkrimtari që luftoi për lirinë dhe diturinë

Moisi Zaloshnja me familjen ne vitet '40

Poeti dhe shkrimtari Moisi Qazim Zaloshnja, i lindur në fshatin Zaloshnje të Skraparit do të ngelet në arkivat e shekujve. Eshtë  e vështirë të shkruash për Moisiun e nderuar, kur nuk e njeh, por ndryshe ndodh kur i gjen jetën e veprën e tij në arkivin e tij personal në shtëpi në Tiranë, a në Arkivin Shtetëror dhe veprën që ai botoi sa qe gjallë, të cilën ua  la shqiptarëve. Jemi në shekullin e lindjes së tij. Data 28 shkurt 1919 , do t’i sillte atdheut një djalë të ri energjik dhe mbi të gjitha një veprimtar për lirinë e vendit kundër armiqëve dhe një shkrimtar. Moisiu i ka hedhur hapat e para të letërsisë që në bangat shkollore. Eshtë kënaqësi e veçantë për mua, zaloshnjarin, që në këtë 100- vjetor  të lindjes së tij të shkruaj disa radhë për artistin e pushkës atdhetare , për  vjershëtorin , shkrimtarin e fjalës  së  artë, botuesin e mijra librave në shqip e gjuhë të huaj, në shtypshkronjën “Mihal Duri” Tiranë për mbledhësin e  folklorit, për gazetarin e ditëve që ai jetoi e punoi.  Shkrimin po e përgatis në emigracionin e Turqisë, por më duket sikur Moisiun po e takoj në Tiranë, në vendin e punës, ku punoi mbi 30 vjet.

Në këto çaste mendja e zemra ime, 75-vjeçare fluturon në Vendlindjen e vjetër, ku lindi Moisi Qazim Dosti më 28 shkurt 1919 në Zaloshnje të Tomorricës, të rrethit të Skraparit. Vinte nga një familje, nga një  fis dhe nga një vendlindje me tradita patriotike, për nderin e atdheut , në luftë të gjatë, kundër Perandorisë Osmane  e deri në çlirimin e  vendit. Fisi i tij “Dosti“ e kishte prejardhjen nga  fshati i Grëmshit të Tomorricës, nga fshati i  origjinës së mendimtarëve të mëdhenj  të Rilindjes sonë Kombëtare. Në këtë rrjedhë historike , u lind dhe u rrit Moisiu. Prindërit e tij, Qazimi dhe Neimja, ishin njërëz të dashur, të thjeshtë, të pritshëm, bujarë . Kahremani, gjyshi i Moisiut ishte pjesëtar i çetës së Mahmut dhe Servet Dostit Zaloshnjes. Vite të shkuara, në kohën e Turqisë u ishte dhënë titulli “bej” nga sulltani. Ky titull u kundërshtua nga  Hysen Zaloshnja në deklaratën e tij  dhënë gazetës  “Shqiptari i Amerikës” dhe botuar më 26 maj 1923. Origjina e Qazimit ishte nga Grëmshi i Tomoricës, por ai kishte ardhur në Zaloshnje në vitet  e luftrave të fuqishme të Turqisë në këtë fshat trimash, rreth viteve : 1717,1842.

Neimja, nëna e Moisiut  , ishte  nga Moglica e Korçës, nga familja me mbiemer Lenja . Porta e shtëpisë së tyre, ishte në formë harku, me gurë të mëdhenj, të gdhendur, të marrë nga gurët e Zdrëmshtës. Pas Çlirimit, në shtëpinë e tij, u vendos muzeu i fshatit dhe armët e popullit, në rast gatishmërie. Nënë Neimja ose Mineja, siç e quanin nënat e fshatit, ishte e dashur me ato. Qazimi dhe Neimja, kishin 5 fëmijë. Këta ishin: Skënderi, Feriduni, Moisiu, Kahremani dhe vajza Batjaren. 

Ata nuk donin të iknin nga fshati, por dhe Moisiu nuk i linte dot vetëm në Zaloshnje. Ai vinte  me mall në fshat për t”i parë ata, vendlindjen e popullin, ku u lind. Më në fund, prindërit shkuan në Tiranë, me kokën pas për vendlindjen. Këta qenë të fundit e fisit “Dosti”, që u larguan nga fshati , pa dëshirën e tyre.

 Shkolla dhe Moisiu

Shkollën fillore e mbaroi në Zaloshnje me mësues Petref Therepelin . Klasën e V (e pestë) e bëri tek një i kushëriri i tij, në Lushnje, ndërsa klasën e gjashtë dhe të shtatë e mbaroi në shkollën “Qytetëse” në Berat . Sipas të moshuarëve të fshatit dhe vetë babait Qazimit, shkollën e mbaroi me nota shumë të mira. Këtë e tregon më së miri edhe  vetë krijimtaria, talenti i poetit dhe i  shkrimtarit të ardhshëm, nga vjersha me titull “Flamuri ”, etj. Më vonë, babai e dërgoi në shkollën Normale, në qytetin e Elbasanit, të cilën edhe atë e mbaroi me nota shumë të mira. Mbas përfundimit të kësaj shkolle me tradita të shkëlqyera, ai filloi punën si mësues në Kapinovë të Beratit. Në vitin shkollor 1945 – ‘46, Moisiu ynë, ishte mësues në vendlindje me 30 nxënës . Si në Kapinovë dhe në Zaloshnje, i mësoi nxënësit me dashamirësinë për dijen dhe atdheun . Nuk e vazhdoi gjatë këtë punë sepse atdheu  ishte i robëruar dhe donte çlirimin e tij. Prandaj, trimi i fshatit, mori pushkën për lirinë e vendit. Formimi i Partisë Komuniste Shqiptare, më 8 Nëntor 1941, në Tiranë, bëri që edhe në Zaloshnjen e Skraparit të përhapeshin idetë komuniste . Këto mësime ishin përhapur në fshat nga komunisti Shkëlqim Hysen Dosti  dhe Veri Dosti, që nga vitet,1941 - ‘42 . Ata qenë komunistët e parë të fshatit. Shkëlqim Dosti ishte pranuar anëtar partie në Nëntor 1941 në Grupin  Komunist  të Korçës dhe Veri Veli Dosti u pranua si anëtar i Partisë Komuniste që më 15 shkurt 1942 nga shkolla Teknike e Korçës . Këto ide u përhapën në të gjithë fshatin. Më datën 23 .06.1942,u formua në këtë fshat Aktivi i Parë i Rinisë së Zaloshnjes. Moisiu, sipas historikut të fshatit,ndodhet në faqen 53, numri 12.  Më 14 korrik 1942, mbas 22 ditësh  formohet në oborrin e shkollës fillore çeta e fshatit, me komandant Sako Agush Shimi, pjesëtar i së cilës qe dhe Moisiu, ka marrë pjesë në rrethimin e çarmatimin e milicisë fashiste  në 29-31 gusht 1942 në Mëlovë. Moisiu ka marrë pjesë në zgjedhjet e këshillave nacionalçlirimtare në Tomorricë, në vitin 1942, në fshatrat: Ujanik, Gradec, Shpatanj dhe në Trebël. Më 15 shkurt 1943, Moisiu zgjidhet sekretar i krahinës së Tomorricës. Më 10 prill 1943, në lagjen e Sojatit të fshatit të Zaloshnjes, në shtëpinë e Zenel Sojatit , bëhet mbledhja e parë e Grupit të Edukimit Komunist , ku merrnin pjesë: Shkëlqim Zaloshnja, përgjegjësi i grupit, Moisi Dosti, Mete Zhiti, Shkëlqim e Veri Dosti, Xhevit e Gramoz Dosti, N.Sulaj, Zenel Sojati, dhe të tjerë, ku në shtëpinë e tij, bëhet mbledhja. Në korrik 1943,në Tomorricë ,krijohet organizata e partisë. (shih listën më lartë) me përgjegjës ,Kamber Cerova  dhe me sekretar politik, Moisi Zaloshnja . Më 10 shtator, 1943, Moisiun do ta shohim në një detyrë të re të asaj mbledhjeje komuniste. Ai zgjidhet sekretar i celulës. Si pjesëmarrës i batalionit territorial të Zaloshnjes merr pjesë në luftime, kudo që shkoi ky batalion ,deri dhe në Sotirë e Sulovë, në Vodicë e në korrik 1943, në Qafën e Kiçokut . Ka qenë në shërbim të punimeve të Konferencës së Rinisë Komuniste Shqiptare, që u bë në 9- 13 qershor 1943 në fshat për shpërndarjen e letrave në terren .

Moisiu dha ndihmesë për mobilizimin e popullit të fshatit për të shkuar në shpellat e malit për mbrojtjen nga gjermanët në vitin 1944. Në muajin tetor 1944, Moisiu kryen detyrën e sekretarit të partisë,të Nënprefekturës – Skrapar,deri në dhjetor 1944. Gjithashtu,në tetor 1944, Moisi Dosti, me shokë skraparas dhe beratas, morri pjesë në çlirimin e Beratit, kundër  forcave  gjermane . Vërtetohet ekzaktësisht pjesëmarrja e Moisi Zaloshnjes dhe të vëllait , Kahreman  Dostit Zaloshnja me shokë të tjerë beratas , për çlirimin e qytetit të Beratit, më 22 tetor 1944 . 

Moisi Zaloshnja me kostum popullor

 Çlirimi i vendit  dhe Moisi Dosti             

Mbas çlirimit  të atdheut,Moisiu punon në Qarkun e Beratit në administratë dhe gazetari. Ai qe dhe shefi i arsimit në këtë qytet. Më vonë shkon në Tiranë me familjen e vet. Në vitin 1951, fillon punën në shtëpinë Botuese, “Naim Frashëri” si: redaktor, kryeredaktor, shef i shtëpisë botuese . Me këmbëngulje e vullnet të fortë, Moisiu ynë i dashur punoi gati 30 vjet, derisa doli në pension. Eshtë e pamundur, të shkruash sesa libra  të autorëve shqiptarë a të Letërsisë së Huaj, ka redaktuar. Gjithsesi, duhet të themi me plotë gojën se Moisiu qe motorri kryesor, personazhi më  i drejtpërdrejtë, i redaktimeve të librave të autorëve të huaj a shqiptarë, që botoheshin në  Tiranë . Kur isha në Institutin “A.Xhuvani” në Tiranë, mbas orës së mësimit të Letërsisë Shqipe, ku na i jepte, e shoqja e ish redaktorit  dhe e

drejtorit të  Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”, Drago Siliqit, që vdiq më 13 korrik 1963,  në një fatkeqësi të komunikacionit ajror bisedoj me mësuese Drita Siliqin. 

-A e njihni shkrimtarin, Moisi Zaloshnjen ?

Moisi Zaloshnja

-Po si nuk e njohim ?Atë e njeh i tërë atdheu. Është poeti dhe shkrimtari më i mirë për fëmijët, por dhe të moshave të rritura. Ai  ka punuar me Dragon,tim shoq, në Shtëpinë Botuese” N.Frashëri” dhe përsëri atje punon. Edhe mësuesja e Letërsisë së Huaj, Dhurata Xoxe, e shoqja e shkrimtarit, Jakov Xoxe, e njihte Moisiun. Që të dyja mësueset, kishin respekt për shkrimtarin Zaloshnja .

Më vonë e mora vesh se Moisiu, ishte edhe mbledhësi i fjalëve të rralla,i shprehjeve frazeologjike, i këgëve popullore . Ai qe mbledhësi i parë i folklorit në Skrapar. Edhe në dasmat, gostitë, në rrugë a në mbledhje të ndryshme,në takime me popullin,ai do të mblidhte pasurinë e të folurit të Gjuhës Shqipe. Shkrimet  dhe vepra e tij, janë një muze i gjallë edhe për Nesër . Ai , punoi  me mjeshtërit e përkthimeve : Skënder Luarasi , Sotir Caci, Mitrush Kuteli  dhe Sotir Paparisto .  Punonte aq shumë sa i harronte punët e shtëpisë . Cigarin, nuk e hiqte nga goja . Ai sikur e çlodhte dhe e frymëzonte . Moisiu , punonte gjer natën vonë , kur thuajse, dritat e Tiranës nëpër shtëpira, ishin fikur . Edhe vetë Moisiu, thoshte: “Kam punuar shumë,për letërsinë,si për veprat e mia,ashtu dhe për korrektimet  e autorëve të tjerë …”

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Opozita akuzon Ramën për sulmin ndaj Berishës, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sapo kishte parkuar dhe hap derën e makinës, kur një 21-vjeçar po lëvizte me biçikletë, arrestohet shoferi i mjetit! I riu dërgohet te Trauma                

Sapo kishte parkuar dhe hap derën e makinës, kur një 21-vjeçar po lëvizte me biçikletë, arrestohet shoferi i mjetit! I riu dërgohet te Trauma