‘Pavarësia’ bën bashkë Ramën dhe Metën në Vlorë/ PD feston e ndarë në Tiranë

Dita e sotme është një ditë feste për të gjithë shqiptarët. Si sot, 106 vite më parë, më 28 nëntor 1912, u shpall Pavarësia e Shqipërisë në Vlorë. Autoritetet e larta shtetërore kanë zhvilluar homazhe te "Ushtari i panjohur" në Vlorë. Ceremonitë zyrtare kanë bërë bashkë kryeministrin Edi Rama, kryeparlamentarin Gramoz Ruci dhe presidentin Ilir Meta të cilët kanë vendosur kurora me lule, ndërsa kanë marrë pjesë edhe anëtarë të kabinetit qeveritarë e deputetë. Pjesë e homazheve ka qenë edhe zv/kryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli. 

Nga ana tjetër opozita nuk ka udhëtuar në qytetin e Pavarësisë, por ka festuar e vetme në Tiranë. Kryetari i PD, Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha, ish-presidenti Bujar Nishani si dhe deputetë e mbështetës të opozitës, kanë zhvilluar homazhe te "Varrezat e Dëshmorëve" në kryeqytet. Ndasitë e thelluara politike mes maxhorancës dhe opozitës janë reflektuar edhe te festa kombëtare e shqiptarëve e cila duhet të shërbente si ditë unifikimi. 

Urime të shumta kanë ardhur edhe nga liderë botërore si: presidenti rus Vladimir Putin, presidenti amerikan Donald Trump, presidenti italian Sergoi Mattarella, presidenti turk Recep Tajip Erdogan, etj. 

106 vjet shtet i pavarur
Ismail Qemali, bashkë me patriotë të tjerë dhe atdhedashës zgjodhën këtë datë për të ngritur flamurin dhe për të shpallur Pavarësinë e Shqipërisë. Kjo datë është quajtur si “nëntori i dytë”, pasi këtë datë zgjodhi edhe Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu për Clirimin e Krujës në 28 nëntor 1443.

Ditën e sotme, janë parashikuar një sërë aktivitetesh, ndërkohë që presidenti Meta dhe Kryeministri Rama do të jenë në Vlorë në një aktivitet për festimin e 28-nëntorit.

Me rastin e kësaj feste, ka reaguar i pari kryeministri Edi Rama, i cili ka uruar shqiptarët me një foto nga takimi me kryeministrin kosovar Ramush Haradinaj me duart mbi flamurin kuqezi. Pas Ramës ka reaguar edhe presidenti Meta, i cili ka uruar shqiptarët me rastin e kësaj feste.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:34
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo për festën e flamurit: SHBA, krenare për lidhjen e fortë midis popujve

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka uruar Shqipërinë për 106 vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Ai shprehet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndihen krenarë për lidhjen e fortë midis popujve dhe se mirëpret në vitet vijuese partneritetin dhe bashkëpunimin midis vendeve.

Deklarata e Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo është përcjellë nga Ambasada Amerikane, përmes rrjetit social "Twitter".

Deklarata e Sekretarit amerikan të Shtetit Mike Pompeo, publikuar nga Ambasada Amerikane
Ora 17:17
'Kemi histori të përbashkët dhe lidhje vëllazërore', urimi i Erdogan për 106-vjetorin e Pavarësisë

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan në mesazhin e tij shumë miqësor për festën e 106-vjetorit të Pavarësisë shkruan se vendi i tij i kushton një rëndësi të madhe zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe që burojnë nga lidhjet e miqësisë dhe të vëllazërisë. 

"Lidhjet janë të mbështetura në historinë tonë të përbashkët. Janë për t’u vlerësuar sukseset e vendit tuaj në integrimin evropian dhe në zhvillimin ekonomik. Ne e ndjekim me kënaqësi kontributin e këtyre sukseseve, si për vendin Tuaj ashtu edhe për stabilitetin në Ballkan,”-thotë Erdogan.

Ora 17:07
'Shqipëria, partner i besuar', presidenti i Gjermanisë bën premtimin: Do t'ju mbështesim në rrugën drejt BE

Urimeve të presidentëve botërorë për 106-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë i është bashkuar edhe presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në mesazhin e tij, ai thekson se Shqipëria është për Gjermaninë një partner i ngushtë dhe i besuar në Ballkanin Perëndimor duke siguruar se vendi i tij do të vazhdojë të mbështesë vendin tonë në mënyrë aktive në rrugën e saj drejt Bashkimin Evropian.

"Vendi juaj ka ndërmarrë vitin e shkuar përpjekje të mëtejshme të spikatura për të ardhur më pranë anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Tani është e rëndësishme që Shqipëria të vijojë të ndjekë këtë objektiv në mënyrë të vendosur, duke u mbështetur në bashkëpunimin konstruktiv të të gjithë aktorëve politikë të vendit në interes të së mirës së përgjithshme”, presidenti Steinmeier.

Ora 16:56
Presidenti italian uron 106-vjetorin e Pavarësisë: Përkujtimi i Skënderbeut forcoi marrëdhëniet dypalëshe

Presidenti Italian Sergio Mattarella, në mesazhin e tij të urimit për festën e 106-vjetorit të Pavarësisë shkruan se përkujtimi i Skëndërbeut forcoi marrëdhënien dypalëshe mes dy vendeve. 

“Përkujtimi i përbashkët së fundmi i figurës së Gjergj Kastriotit Skënderbeu, forcoi më tej jo vetëm marrëdhëniet dypalëshe por edhe ndjenjën e ndarjes bashkërisht të faqeve të rëndësishme të historisë – siç u dëshmua konkretisht nga pakica arbëreshe mjaft aktive – si dhe të horizonteve të përbashkëta në gjirin e familjes evropiane dhe të komunitetit euro-atlantik,”-Sergio Mattarella.

Ora 16:48
''Shqipëria, një aleate e vyer. Krenarë për marrëdhënien që kemi', urimi i Trump për festën e flamurit

Me rastin e festave të nëntorit, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump i ka dërguar një mesazh urimi homologut të tij shqiptar, Ilir Meta.

"Jemi krenarë për marrëdhënien e fortë që dy kombet tona kanë zhvilluar dhe arritjet domethënëse që kemi realizuar së bashku. Shqipëria është një aleate e vyer, që ka dhënë një kontribut domethënës për sigurinë rajonale dhe atë globale,”-shkruan Trump.

Ora 13:22
 Dita e Pavarësisë, Ambasadori i BE-së uron shqiptarët: Mbështesim Shqipërinë në rrugën e reformave

Urimeve për 28 nëntor ditë e shënimit të Pavarësisë së Shqipërisë i është bashkuar edhe Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca i cili u ka shprehur  të gjithë qytetarëve shqiptar urimet më të mira në këtë ditë historike.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social në  “Tëitter”, Soreca krahas mesazhit të urimit shprehet se BE do të vijojë të mbështesë Shqipërinë në kryerjen e reformave për realizimin e integrimit të vendit.

 “Gëzuar Ditën e Pavarësisë Shqipëri!Urimet më të mira për të gjithë shqiptarët në këtë ditë të veçantë! Bashkimi Evropian është i angazhuar të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në kryerjen e reformave të nevojshme për realizimin e ëndrrës evropiane të popullit shqiptar. #BEpërShqipërinë”, shkruan Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca.

Ora 12:50
Dita e Flamurit, Putin mesazh Metës: Bashkëpunimi ruso-shqiptar në interes edhe të Europës

Presidenti rus, Vladimir Putin ka uruar presidentin Ilir Meta për ditën e pavarësinë së Shqipërisë. Në një postim në “Facebook”, ambasada ruse ka publikuar mesazhin që Putin i ka nisur presidentit Meta. Në mesazhin e urimit, Putin shprehet se zhvillimi i marrëdhënieve konstruktive dhe bashkëpunimit dy palësh në fusha të ndryshme do të ishte në interes të të dy vendeve. 



Urimi i Putin për Metën:
I nderuar zoti President,

Pranoni urimet e mia me rastin e festës kombëtare të Shqipërisë, Ditës së Flamurit. Jam i sigurt se zhvillimi i marrëdhënieve konstruktive dhe bashkëpunimit dypalësh ruso-shqiptar në fusha të ndryshme do të ishte në interes të popujve të dy vendeve tona, si edhe të gjithë Evropës. Ju uroj Juve shëndet dhe suksese, ndërsa të gjithë bashkëqytetarëve Tuaj u uroj mirëqenie dhe begati.

Me respekt,

Vladimir Putin

Moskë, Kremlin

Më 28 nëntor 2018

Ora 11:25
Protesta tek Unaza e Re, edhe banorët e Astirit shpalosin flamurin kuqezi (Foto)

Protesta e banorëve  të Unazës së Re, ka rinisur ditën e sotme në ditën e 25-të të saj. Në protestën e sotme, banorët kanë shpalosur flamuj kuqezi duke ‘lënë mënjanë’ protestën për disa minuta.

Në protestë ndodhen sërish deputetë të Partisë Demokratike, ndërkohë që banorët kanë bllokuar rrugën.

Flamuri kuqezi i shpalosur nga banorët e Astirit
Ora 11:19
Festimet për Ditën e Pavarësisë, Veliaj nga Sheshi Skënderbej: Të vazhdojmë punën me marshin e pestë

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, ka qenë i pranishëm në sheshin Skënderbej në një ceremoni me rastin e Ditës së Pavarësisë. Veliaj tha se kjo ditë shërben për të kuptuar progresin që duhet të vazhdojë dhe që zhvillimi i Tiranës të ecë me ritme të shpejta. (Lexo këtu për fjalën e plotë të Veliajt)

“Tirana në ato ditë nuk ishte kryeqytet, sot ka rol të rëndësishëm, e megjithatë, njerëz të shquar të këtij qyteti Toptani, qyteti i Tiranës. Sot do na duhet të marrim vendime të rëndësishme për të qenë Shqipëria e pavarur, sot lipset që të ketë progres, që të respektohet fjala e tyre. Nqs do dëgjojmë minoracën që thotë duam babanë nuk do kishim shumë gjëra. Prandaj miqtë e mi jemi më të vendosur se kurrë. Vendimet nuk janë të lehta, as Pavarësia as Çlirimi dhe sot as vendimet që Tirana të progresojë dhe zhillojë nuk  Brenda arsyes së këtij kombi besoj se Tirana i ka ditët më të mira përpara. Duhet të vazhdoj non stop me marshin e pestë.”-u shpreh Veliaj.

Ora 11:05
Dita e pavarësisë, Meta: Emocion që isha në Vlorë, kryeqytetin e Festës së Pavarësisë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka folur pak pas përfundimit të ceremonisë së homazheve për 106-vjetorin e Pavarësisë. Meta ka thënë se përkulet me respekt para veprës së Ismail Qemalit, themeluesit të shtetit shqiptar.

"Gëzuar Ditën e Flamurit Kombëtar të gjithë shqiptarëve kudo ndodhen. Emocion i veçantë të merrja pjesë sot në Vlorë, "kryeqytetin" e Festës së Pavarësisë, në ceremoninë shtetërore për nder të simbolit më përbashkues të shqiptarëve. Përkulem me respekt para veprës së përjetshme të themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemali.", - u shpreh Presidenti Meta për gazetarët.

Ora 10:56
Dita e Pavarësisë/ Kryeministri Ramush Haradinaj iu jep ëmbëlsira policëve në Kosovë

Me rastin e 106-vjetorit të Ditës së Pavarësisë, kryeministri kosovar Ramush Haradinaj iu ka shërbyer policëve disa ëmbëlsira.

Në fotot e shpërndara nga mediat kosovare shihet kryeministri Haradinaj duke iu dhënë policëve ëmbëlsira me rastin e kësaj feste.

Kryeministri Ramush Haradinaj duke iu shërbyer ëmbëlsira policëve me rastin e Ditës së Pavarësisë

Kjo nuk është hera e parë që Haradinaj iu shërben policëve. Me rastin e ditës së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të 2018, Haradinaj iu shërbeu kafe policëve.

Ora 10:25
PD në Tiranë për Ditën e Pavarësisë, Basha: Nderime, luftë e pandarë për liri-demokraci

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha bashkë me Sali Berisha dhe anëtarët e grupit parlamentar të PD, kanë zhvilluar festime të ndarë. PD ka zhvilluar homazhe tek “Dëshmorët e Kombit”, dhe kryetari Lulzim Basha theksuar se lufta për liri dhe demokraci vazhdon ende.

Gëzuar nga zemra gjithë shqiptarëve në ditën e flamurit dhe atë të çlirimit. Sot përulemi para Skënderbeut flamuri kuq e zi që u ngir në shtëpinë e tyre në 28 Nëntor 1443, përulemi para Ismail Qemaliut, përulemi para Ushtrisë Nacional Çlirimatre që u flijuar për çlirimin, përulemi para komandantit Legjendar Adem Jashari i cili ka ditëlindjen sot. E konsideroj ditën e sotme si një ditë ftese për të gjithë shqiptarët në një betejë për të garantuar liritë e tyre siç shkruhet në kushtetutë.

Lulzim Basha, kryetar i PD

Ora 10:12
Rama dhe Meta bëhen bashkë në Vlorë, homazhe te ‘Ushtari i Panjohur’

Me rastin e ditës së Pavarësië, kryeministri Edi Rama dhe presidenti Ilir Meta, shoqëruar dhe nga kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruci, bashkë me personalitete të tjera të politikës shqiptare, janë bërë bashkë në Vlorë, në ceremoninë e ngritjes së flamurit.

Meta dhe Rama kanë zhvilluar homazhe tek monumenti i  ‘Ushtarit i Panjohur’.  Ata kanë vendosur kurora me lule tek ky bust.

Ora 09:45
Urimi i veçantë i Ambasadës Amerikane në ditën e Pavarësisë së Shqipërisë

Një urim i veçantë ka ardhur nga ana e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, në ditën kombëtare të Flamurit. Përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook Ambasada Amerikane i uron të gjithë qytetarët për përvjetorin e 106 të Pavarësisë së Shqipërisë. përmes statusit të publikuar në faqen e facebook-ut, Ambasada amerikane evidenton tiparet dhe shpreh virtytet më të larta të  si, besa, mikpritja, veshjet popullore, bukuritë natyrore dhe thjeshtësinë e shqiptarëve.

“Gëzuar Ditën e Pavarësisë Shqipëri! Ne i kërkuam personelit tonë amerikan të na tregonin me një fjalë apo frazë se çfarë u pëlqente nga Shqipëria. Ky poster përfaqëson një koleksion të disa prej gjërave tonë më të dashura të Shqipërisë dhe është mënyra jonë për të treguar vlerësimin tonë për këtë vend të mrekullueshëm. A i gjeni dot fjalët?, përpiquni të gjeni të gjitha fjalët, dhe shkruajini ato në hapësirën e komenteve mëposhtë. Le të shohim se sa do të gjeni!”, shkruhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane në Shqipëri. 

A i gjeni dot fjalët? Shkarkoni posterin me rezolucion të lartë këtu

 

Ora 09:06
Dita e Pavarësisë/ Meta uron me një poezi: Të zhdukim robërinë, liri e shtet gëzofshi përjetë

Presidenti Ilir Meta ka uruar me një poezi ditën e Pavarësisë. Meta ka publikuar në Facebook një pezi të recituar nga dy nxënëse shqiptare të shkollës 9-vjeçare në Dacaj të Rozhajës. Disa nga vargjet e poezisë:

Gjithmonë shqipja na mësoi si të mbrojmë gjuhë, komb e atdhe
Si ta zhdukim robërinë dhe të kemi ne lirinë
Shqiptarët me flamurin, liri e shtet gëzofshi përjetë
Me fat 28 nëntori viti 1912

Postimi i Metës në Facebook:

Gëzuar Ditën e Flamurit Kombëtar!
Një urim të veçantë për çdo shqiptar kudo ndodhet, me këtë poezi, të recituar me shpirt, shumë dashuri dhe emocion nga dy nxënëse shqiptare të shkollës 9-vjeçare në Dacaj të Rozhajës.

Postimi i Metës në Facebook
Ora 08:58
106 vite Pavarësi/ Rama uron shqiptarët me një foto të veçantë

Sot shënohet 106 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë dhe kjo ditë festohet nga shqiptarët në të gjithë botën kudo ndodhen. Urimi i parë ka ardhur nga kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale. 

Kreu i qeverisë e ka shoqëruar urimin e tij me një foto të veçantë nga takimi i dy qeverive në Pejë, teksa ai dhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj bashkojnë duart mbi flamurin kombëtar, në përfundim të nënshkrimit të marrëveshjeve të rëndësishme mes Shqipërisë dhe Kosovës. “MIRËMËNGJES dhe GËZUAR DITËN E FLAMURIT”- shkruan Rama.

Postimi i Ramës në Facebook
//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë