Mbrëmjen e së hënës, Tirana u vesh me tingujt e traditës në aktivitetin “Sofra Tiranase”, e cila bashkoi personalitete nga fusha të ndryshme të jetës publike në një atmosferë të rrallë.

Koncerti me muzikë tradicionale qytetare ishte zemra e kësaj nate.

Tingujt e këngëve të vjetra tiranase u interpretuan me mjeshtëri nga ikonat e muzikës shqiptare.

Pjesë e kësaj atmosfere ishte edhe prefekti i ri, Shkëlqim Hajdari, i cili premtoi realizimin e plotë të Muzeut Historik të Tiranës, si një projekt që do të shërbejë për të dokumentuar dhe përcjellë brez pas brezi historinë dhe rrënjët e kryeqytetit.

“Sfida e dytë që ka Tirana dhe shoqata është plotësimi i Muzeut historik të Tiranës. Unë i garantoj gjithë qytetarët e Tiranës autokton që si prefekt i Tiranës, që në bashkëpunim me bashkinë atë banesë autoktone Tiranase ne do ta kthejmë në Muzeun historik të Tiranës”, ka thënë Hajdari.

Në hollin e Pallatit të Kongreseve u ekspozuan veprat e piktorëve më të njohur, nga Sadik Kaceli, Sali Shijaku, Besim Tabaku, apo Ibrahim Kodra.

Aktiviteti i organizuar nga Shoqata Tirana përkon me 106-vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet.