Protestuesit Eris Xhaja, i cili doli ditën e djeshme me vajzën e vogël në protestë dhe u bëri thirrje efektivëve që të hiqnin kapalet, por edhe protestuesve që të hiqnin maskat, ka reaguar pasi u ‘masakrua’ në rrjetet sociale, ku shumë qytetarë e quajtën patronazhist.
Përmes një video-mesazhi, Xhaja sqaroi se shkoi në protestë pasi situata ishte qetësuar. Ai shtoi se e pa detyrim ndaj kombit për të folur dhe për të thënë se dhuna nuk është zgjidhje.
Ai tha se me dhunë nuk fitojnë protestuesit, por kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij. Sipas Xhajas, e vetmja mënyrë për rrëzimin e qeverisë është dalja në protesta paqësore e prindërve bashkë me fëmijët e tyre.
“Për të gjithë komentuesit që kanë folur negativisht për mua dhe kanë thënë ‘patronazhist, i dërguari i Ramës që do të prishë protestën’. Përpara se të vija unë, protesta ishte e qetë. Unë s’jam budalla të vete me fëmijën kur protesta ishte e zhurmshme. Erdha sepse e pash detyrim ndaj fëmijës tim dhe kombit tim për të folur që dhuna nuk është zgjidhje. Nëse doni ta rrëzojmë këtë sistem, bojkotoni punën, ejani të gjithë me fëmijët tuaj. Është e vetmja mënyrë për ta shkërmoqur. Me dhunë ky fiton, ne humbim. Po vriten fëmijë, mos e harroni këtë gjë”, tha mes të tjerash protestuesi Eris Xhaja.











Komente
Komento