Nga planet e para urbanistike të vitit 1925 te ndërtimi i bulevardit qendror, ministrive dhe institucioneve simbol të kryeqytetit, historia e Tiranës ndër vite u rikthye në një ekspozitë, në ditën e 106-vjetorit të shpalljes kryeqytet. Dokumente e fotografi pasqyrojnë zhvillimin urban, jetën administrative dhe transformimin e qytetit deri në periudhën e Luftës së Dytë Botërore.

“Ekspozita përmban fotografi dhe dokumente që nga planet e para urbanistike pas vitit 1925, kontrata ndërtimi, vendime për zgjerimin e rrugëve, deri te ndërtimet e bulevardit dhe institucioneve kryesore të Tiranës.”, thotë për “Report TV” Myrteza Sharra nga Arkivi Qendror Shtetëror.

Qytetarët festuan me një ditë kushtuar historisë, traditës dhe identitetit tiranas, nën moton “Lule t’bukra ka Tirona” në sheshin “Mimoza”. Të pranishmit u bënë pjesë e “Këndit të Traditës” - Sofra Tiranase, një panairi lulesh dhe performancave muzikore-artistike nga Ansambli Tirana, ndërsa vëmendje e veçantë iu kushtua veshjes tradicionale të zonës.

“Ne mundohemi të prezantojmë te të rinjtë dhe fëmijët trashëgiminë e Tiranës. Nëse e ruajmë dhe e prezantojmë bukur, ajo do të trashëgohet brez pas brezi.”, thotë Edlira Sulaj, drejtuese e “Tradita popullore”.

Veshja tradicionale tiranase, me jelekun, bluzën prej pambuku dhe përparësen karakteristike vjen sipas modeleve origjinale, duke ruajtur çdo detaj në ngjyra dhe materiale.

Për qytetarët, kjo ditë ishte edhe një rikthim në Tiranën e dikurshme, duke sjellë në vëmendje traditat e gatimit dhe mikpritjen.

“Tirana përpara ka qenë me shtëpi të ulëta dhe me pazarin e vjetër që ishte simbol i saj. Sot është zhvilluar shumë, por traditat duhen ruajtur. Ëmbëlsira tradicionale e Tiranës është bakllavaja. Por tiransit i kanë pas thënë me gjuhën e vet samsa. Dhe kjo ëmbëlsirë ka dalë nga ky qytet. Nuk ka ardhur nga Turqia siç thonë disa.”, kujton një qytetar i vjetër i Tiranës.

“Tiransit duhet të jenë të bashkuar dhe të ruajnë traditën. Tirana gjithmonë ka hapur derën për të gjithë.”, thotë një tjetër qytetar tiranas.

106 vite pas shpalljes kryeqytet, Tirana vijon të ndërtojë të ardhmen, ndërsa kujtesa historike, tradita dhe fryma e mikpritjes janë elemente që duhen ruajtur dhe që i japin qytetit formën e tij të veçantë.