108-vjetori i Pavarësisë/ Urime dhe festë në të gjitha trevat, mesazhet e krerëve shqiptarë në Kosovë dhe Maqedoni e Veriut. Vishet kuqezi memoriali 'Adem Jashari'

108-vjetori i Pavarësisë/ Urime dhe festë në të gjitha trevat, mesazhet e krerëve shqiptarë në Kosovë dhe Maqedoni e Veriut. Vishet kuqezi memoriali 'Adem Jashari'

Ashtu si çdo vit 28 Nëntori është festuar edhe në të gjitha trevat shqiptare. Drejtues të rëndësishëm në shtetet e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut kanë uruar 108-vjetorin e Pavarësisë.

Kryeministri i Kosovës e ka quajtur 28 nëntorin një ditë feste për të gjithë kombin shqiptar. Ushtruesja e detyrës së presidentit Vjosa Osmani, e ka konsideruar një ditë krenarie për çdo shqiptar kudo ndodhet. Ndërsa kreu I lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti, e ka konsideruar ditën më të rëndësishme për kombin shqiptar. Ndërkohë në Maqedoninë e veriut janë organizuar festime të shumta, të kryesura nga kreu I BDI-së Ali Ahmeti. Ahmeti është shprehur se është një vërtetë e madhe që shqiptarët kanë luftuar për t’u bashkuar dhe çdokush që mundohet ta mohojë nuk e thotë të vërtetën dhe e fsheh atë.

Edhe Kosova është veshur kuqezi për festë. Biblioteka Kombëtare e Kosovës është ndriçuar me ngjyrat kuqezi, duke marrë një pamje tepër të bukur. Ndërkaq edhe ndërtesa e Qeverisë së Kosovës ndriçohet Kuq e Zi.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:54
Festa e pavarësisë, edhe Kosova vishet kuqezi! Biblioteka Kombëtare dhe ndërtesa e qeverisë me ngjyrat e flamurit

1606597120_download.png

Edhe Kosova është veshur kuqezi për festën e 28 Nëntorit.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës është ndriçuar me ngjyrat kuqezi, duke marrë një pamje tepër të bukur.

Ndërkaq edhe ndërtesa e Qeverisë së Kosovës ndriçohet Kuq e Zi.

Nuk dihet se deri kur do të qëndrojnë të ndezuara dritat mirëpo ky është një gjest që është ndjekur edhe nga vende të ndryshme të botës për t'iu bashkuar festës së vendit tonë.

Biblioteka e Kosoves

Ora 14:45
FOTOLAJM/ Mbulohet kuqezi qielli mbi Kompleksin Memorial 'Adem Jashari': Lavdi Dëshmorëve

Pamje të mrekullueshme ato që janë publikuar sot nga Prekazi.

Në nder të Festës së Flamurit dhe ditëlindjes së heroit legjendar Adem Jashari mbi Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz ka fluturuar parashuta që mbajnë flamurin shqiptar dhe simbolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Foto i ka publikuar në faqen e tij në Facebook, djali i heroit Hamëz Jashari, Bekimi.

"Pamje e jashtëzakonshme dhe madhështore nga fluturimi i paragllajdistëve mbi Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Lavdi dëshmorëve të Lirisë", shkruan ai në Facebook.

 Lirisë", foto të jashtëzakonshme fluturojnë në qiellin e hapur, mbi Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, shkruan ai.

Ora 11:10
Shkup, ceremoni solemne për Ditën e Flamurit

Me një ceremoni solemne u përkujtua në Shkup 28 Nëntori – Dita e Flamurit dhe e Pavarësisë së Shqipërisë, ceremonin e iniciuar nga kreu i BDI-së Ali Ahmeti.

Në ceremoninë ishin të pranishëm edhe kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ambasadorët e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës në vend, Fatos Reka dhe Gjergj Deda dhe një pjesë e madhe e trupit diplomatik në vend.

”Kohërat mund të ndryshojnë, kontekstet gjithashtu mund të ndryshojnë, por me rëndësi është themeli, shtyllat dhe urat mbi të cilat ndërtohet dhe orientohet ardhmëria e gjeneratave të reja që të vazhdojnë rrugëtimin dhe do të kenë përgjegjësinë dhe privilegjin të jenë qytetarë të barabartë me të drejta dhe obligime të njëjta në BE”, deklaroi Xhaferi.

Duke u bërë thirrje klasës politike shqiptare të bashkëpunojnë më shumë, në të mirë tëq kombit shqiptar. 

Ali Ahmeti theksoi se nga të gjithë kuvendet e mbajtura nga shqiptarët është dëshmuar se, asnjëherë shqiptarët nuk kanë qënë sulmues dhe cënues të fqinjëve.

”Është një vërtetë e madhe që shqiptarët kanë luftuar për t’u bashkuar dhe çdokush që mundohet ta mohojë nuk e thotë të vërtetën dhe e fsheh atë, sepse të gjitha padrejtësisë nga konferencat goditë mbi shpatullat tona, bëheshin pazare për të kënaqur orekset e vendeve gllabëruese fqinje, por përpjekjet nuk u ndalën. Investimi për të qenë ne të lirë vërtetë pati qëllim të lartë, por liri e barazi pa gjak nuk ka. Mesazhe për paqe dhe stabilitet gati nga të gjitha periudhat e lëvizjeve të rëndësishme të shqiptarëve këto kanë qenë”, deklaroi Ahmeti.

 

Fatos Reka, ambasador i Republikës së Shqipërisë në vend, theksoi se kontributi i patriotëve tanë për Ditën e Flamurit nuk duhet harruar.

Ora 10:49
Albin Kurti: 28 nëntori që i bashkoi shqiptarët

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, i shoqëruar nga anëtarë të partisë së tij, ka zhvilluar sot homazhe në kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz në nder të Festave të 28 Nëntorit.  Kurti theksoi se 28 nëntori është data e themelimit të identitetit kombëtar shqiptar.

“Sot janë tri ngjarje historike, Gjergj Kastrioti “Skënderbeu” në Krujë, Ismail Qemajli në Vlorë dhe Adem Jashari në Kosovë, këto kanë një të përbashkët 28 nëntorin që i bashkoi shqiptarët. Personalitet të kombit në periudha të ndryshme në beteja politike, ushtarake, në paqe, okupim, në lëvizje legale dhe jo-legale e kanë 28 nëntorin diell të tyre. Kjo do të mbetet kështu përherë për shqiptarët kudo që janë”, ka thënë Kurti.

Së bashku me Kurtin në Prekaz e pranishme ishte edhe gruaja e eprorit të lartë të UÇK-së, Rexhep Selimi, Shqipe Selimi, edhe ajo ish-pjesëtare e UÇK-së.

Ora 10:41
Osmani: 28 Nëntori ditë krenarie e shprese për çdo shqiptar

Ushtruesja e detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani,  i ka uruar presidentit të Shqipërisë Ilir Meta dhe të gjithë popullin shqiptar 108 vjetorin e pavarësisë nëpërmjet një telegrami. Në letrën e saj Osmani shprehet se 28 Nëntori shënon ditë krenarie e shprese për çdo shqiptar.

“28 Nëntori shënon ditë krenarie e shprese për çdo shqiptar. Ajo na mbledh përreth së kaluarës sonë dhe shndërrohet në shtysë të fuqishme për ta jetësuar vizionin tonë. Prandaj, tash kur vizioni i brezave për liri është kurorëzuar edhe me pavarësinë e Kosovës, lidhjet shpirtërore ndërmjet dy shteteve tona duhet të forcohen. Shqipëria dhe Kosova, njëra fëmijë i fillimshekullit XX e tjetra e fillimshekullit XXI, të dyja rrjedhojë e ngulmimit për vlerat e lirisë dhe e aleancave të fuqishme me qytetërimin perëndimor, po shndërrohen dalëngadalë në faktor stabiliteti e paqeje në rajon. Ato po ecin krahas njëra-tjetrës, si dy shtete sovrane, në procesin e integrimit evropian, duke e njohur dhe ndihmuar njëra-tjetrën”, thuhet në letrën e Osmanit.

Ora 09:43
Hoti: Sot është ditë feste për çdo shqiptar

Me rastin e festës së Pavarësisë së Shqipërisë, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka zhvilluar sot nderime tek monumeti i heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu dhe tek shtatorja e Presidentit historik Ibrahim Rugova. Hoti tha se kjo është ditë feste për çdo shqiptar dhe të gjithë duhet të të tregojnë nderime ndaj atyre të cilët kanë kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

“Sot është ditë feste për çdo shqiptarë. Është festë kombëtare. Ne i filluam nderimet tona nga shtatorja e Skënderbeut, me të cilin identifikohet Nëntori i parë, që është festa më e madhe e të gjithë shqiptarëve. Homazhet i vazhduam edhe te shtatorja e Presidentit Ibrahim Rugova dhe tash do të vazhdojmë edhe në Prekaz, për të treguar nderime ndaj të gjithë atyre që kanë kontribuar për lirinë dhe pavarësinë që e gëzojmë sot”, tha Hoti.

 

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 29/11/2020 00:24

    Edhe ketu ne Worcester.MA,bashkia e qytetit ka ngritur flamurin shqiptar ne sheshin e bashkise perkrah flamurit vendas.E mbajne lart per disa dite dhe kjo behet cdo vit per cdo etni qe jeton ketu ,ne shenje respekti.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë