TIRANË- Për presidentin Ilir Meta pandemia ka dalë nga kontrolli, por pavarësisht kësaj, sipas tij qeveria nuk ka marrë asnjë masë përveç propagandës!

Nisur nga shifrat e larta të regjistruara sot, 1089 raste ditore pozitive, Meta thotë se qeveria duhet të hartojë një strategji të re për menaxhimin e pandemisë për të mbështetur financiarisht të prekurit dhe familjet e tyre dhe rritur nivelin ndërgjegjësues të popullatës.

Ai është ndalur dhe te procesi i vaksinimit, sipas së cilit nuk ka asnjë plan konkret se si do të vijohet me qytetarët.

“Pandemia COVID-19 në vendin tonë po del jashtë kontrollit. Në 24 orët e fundit, është regjistruar numri më i lartë i qytetarëve të infektuar, krahasuar me çdo ditë tjetër.

Një tjetër shifër tronditëse është shënuar edhe sa i përket jetëve të humbura. Kapacitetet spitalore për të pritur shtrimet e reja ditore, rezultojnë të tejmbushura.  Ndërkohë veç propagandës, asnjë plan nuk ka për nisjen e vaksinimit masiv të popullsisë. Duke shprehur shqetësimin më madh për këta tregues të dhembshëm, i bëj thirrje Qeverisë të mos bëjë sehir dhe as mos t’i trajtojë qytetarët, si numra për statistika ditore, duke i lënë në mëshirë të fatit.

Çdo shqiptar meriton të trajtohet me dinjitet dhe të ketë të gjithë asistencën e domosdoshme këshillimore dhe shëndetësore nga ana e shtetit, për të përballuar pasojat e rrezikshme të pandemisë. Është e patolerueshme të numërohen çdo ditë të infektuarit dhe jetët e humbura dhe të mos merret asnjë masë për të frenuar COVID-19.

Nevojitet urgjentisht, një strategji e re dhe efikase, për të frenuar pandeminë, përmirësuar kushtet në spitale, mbështetur financiarisht të prekurit dhe familjet e tyre dhe rritur nivelin ndërgjegjësues të popullatës. Çdo vonesë është kosto e madhe për qytetarët, shëndetin dhe jetën e tyre dhe kjo është jo vetëm e pafalshme, por edhe e dënueshme. Gjithashtu, ju bëj apel qytetarëve të mos e ulin vigjilencën dhe të vijojnë të zbatojnë me rigorozitet rregullat antiCOVID”, shkruan Meta.