Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Petrit Kryeziu, konfirmoi të premten, ndalimin e 109 komisionerëve zgjedhore të dyshuar për falsifikim të rezultateve të zgjedhjeve të fundit në Prizren.

Kryeziu u tha mediave në Kosovë se hetimet janë marrë përsipër nga Drejtoria për Krime Ekonomike, duke zbuluar parregullsi serioze gjatë procesit të numërimit të votave. Ai tha se dyshohet se janë shtuar mbi 40 mijë vota dhe janë hequr më shumë se 27 mijë vota, duke krijuar kështu një diferencë prej 68,017 votash.

“Po flasim për një organizim të qëllimshëm, me anë të të cilit është tentuar të përmbyset rezultati i zgjedhjeve,” u tha Kryeziu mediave në Kosovë, duke theksuar se rasti nuk lidhet me gabime teknike apo individuale.

Sipas tij, hetimet e deritanishme kanë zbuluar bashkëpunimin mes komisionerëve zgjedhorë dhe katër partive të mëdha politike, me qëllim ndryshimin e rezultatit përfundimtar të votimit.

Mediat në Kosovë e kanë konsideruar rastin si një një nga skandalet më të rënda zgjedhore të viteve të fundit në Kosovë, për shkak të numrit të lartë të personave të përfshirë dhe ndikimit të drejtpërdrejtë në rezultatin zgjedhor.