Të gjithë ata individë që gjatë vitit që lamë pas kanë pasur pagë bruto 100 mijë lekë në muaj ose 1.2 milionë lekë në vit, duhet të dorëzojnë Deklaratën Individuale të të Ardhurave Personale (DIVA) për vitin 2025, brenda 31 marsit 2026. Gjithashtu detyrimin për ta dorëzuar e kanë edhe të dypunësuarit si dhe personat që kanë të ardhura nga platformat online, si booking, airbnb, youtube etj.

Kush nuk e dorëzon deklaratën gjobitet me 3 mijë lekë, të cilës i bashkëngjitet edhe interesi dhe kamatëvonesa.

Risia e këtij viti është njohja e shpenzimit prej 48 mijë lekësh nga baza e tatueshme për fëmijën nën 18 vjeç. Më konkretisht, një prind me pagë 100 mijë lekë në muaj, apo 1.2 milionë lekë në vit, që ka paguar 109.200 lekë tatim në vit, ka të drejtë të zbresë 360 mijë lekë, pra 30 mijë lekë për çdo muaj që është baza e patatueshme si dhe 48 mijë lekëshin. Pasi bën këto zbritje baza e tatueshme ulet në 792 mijë lekë. Pra tatimi ulet në 102.960 lekë. më pas diferenca midis tatimit vjetor të paguar dhe atij të rivlerësuar që është 6.240 lekë kthehet mbrapsht.

Njëjtë si në zbritjet për kompensimin e 48 mijë lekëshit do të funksionojë edhe zbritja e shpenzimeve arsimore. Por këtë kompensim e përfitojnë vetëm ato prindër që nuk kanë të ardhura më shumë se 1.2 milionë lekë në vit (100 mijë lekë pagë mujore bruto), si dhe do e përfitojnë vetëm nëse kanë të ruajtura faturat e shpenzimeve për arsimimin e fëmijës. Nga të ardhurat vjetore prej 1.2 milionë lekësh ju zbritet 48 mijë lekëshi kompensim, 360 mijë lekë që është baza e patatueshme si dhe 100 mijë lekëshi për arsimin, dhe e ardhura vjetore ulet nga 1.2 milionë lekë në 692 mijw lekë, dhe si rezultat ulet edhe tatimi që duhet të kishit paguar. Diferenca në rastin konkret është në vlerën 19,240 lekë, që merret pas nga prindëri nëse ka ruajtur faturat tatimore.

Sipas të dhënave të siguruara pranë institucioneve nga Report TV mësohet se të gjithë prindërit me pagë nga mbi 50 mijë lekë deri në 200 mijë lekë e që tatohen me 13%, do të marrin si kompensim nëse kanë një fëmijë 6,240 lekë, nëse kanë 2 fëmijë 12,480 Lekë dhe nëse kanë 3 fëmijë 18,720 Lekë. Për të gjithë ata që marrin mbi 200 mijë lekë në muaj dhe që tatohen 23%, kompensimi për fëmijë do të jetë nga 11 mijë lekë deri në 33.1 mijë lekë. Pra në asnjë rast prindërit nuk do të përfitojnë 48 mijë lekë kompensim.

Por përdorimi i kësaj formule, nga pjesa dërrmuese e qytetarëve dhe jo vetëm nuk është kuptuar, dhe shumica kanë pritur që në të vërtetë do të përfitojnë 48 mijë lekë apo 480 euro kompensim për fëmijë. Por në fakt kompensimi është 6,240 lekë për fëmijë, nëse ke pagën nën 200 mijë lekë, dhe 11 mijë lekë për fëmijë nëse paga mujore bruto vjet ishte mbi 200 mijë lekë.

Nga këto zbritje përjashtohen të gjithë ata qytetar që vjet kanë pasur pagë minimale, pasi s’kanë paguar tatim, dhe për pasojë nuk ka si të ketë rivlerësim të tatimit. Për të përfituar zbritjen apo kompensimin DIVA duhet të plotësohet nga prindi me pagën më të lartë.

Deklarata DIVA 2025, gjenerohet e paraplotësuar automatikisht në e-Filing me të dhënat e të ardhurave vjetore bruto nga pagat apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët, si edhe me përllogaritjen e Tatimit mbi të ardhurat nga Punësimi. E vetmja gjë që duhet bërë është të klikoni opsionin që keni fëmijë nën 18 vjeç që të rillogaritet tatimi.

Pasi dorëzohet DIVA, prindërit duhet të bëjnë kërkesë për rimburisimin  në modulin Çështjet e mia, Pyetje e Përgjithshme, në të cilën bashkëlidh, dokument me të dhënat e llogarisë personale bankare, certifikatën familjare dhe faturat e shpenzimeve arsimore.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:29
Mijëra të gjobitur se nuk dorëzuan DIVA-n vjet, Çoçoli: Tatimet të njoftojnë qytetarët në telefon, rrezikojnë gjoba 3 mijë lekë

 

Të gjithë ata individë që janë subjekte të DIVA, por nuk e dorëzojnë atë, gjobiten me 30 mijë lekë të vjetra, e cila rritet pasi i shtohen kamatat dhe interesat.

“Është e rëndësishme se merr gjobë në qoftë se nuk e dorëzon. Gjoba është 3.000 lekë të reja, por nuk është thjesht çështja e gjobës se duke mos e ditur për shembull që duhet ta deklaroje dhe qytetarët duhet të jenë shumë të kujdesshëm sepse erdhi 31 marsi. Duhet të bëjnë kujdes se ajo gjoba 3.000 lekë ka dhe kamatëvonesa, futet përqindje interesi dhe mund të të shkojë edhe 100.000 lekë të vjetra”, thotë Çoçoli.

Vjet sipas ekspertit ishin 40 mijë qytetar që u gjobitën për shkak të gabimeve në dorëzimin e DIVA-s.

“Të mos harrojmë që vjet që ishin 144.000 persona, 40.000 persona ishin të parregullt me DIVA-n, sepse nuk kishin marrë informacionin e duhur ose e kishin dorëzuar formularin gabim. Kështu që duhet bërë shumë kujdes”, thotë eksperti.

Sipas tij administrata tatimore duhet të nisë një fushatë të gjerë ndërgjegjësimi, duke i njoftuar qytetarët edhe përmes telefonit nëse janë subjekte të dorëzimit të DIVA.

“Dua t'i bëj dhe një thirrje tatimeve që të bëjnë tutorial. Të bëjnë një insert të shkurtër dhe ta japin në mënyrë të pandërprerë, të mos kursehen nga paratë, strukturat tona të bëj një fushatë”, thotë Çoçoli.

Ora 17:28
Kompensimi për fëmijët, ekspertët: Prindërit të paqartë, prisnin 480 euro! Apel për kujdes qytetarëve që kanë ndërruar punë brenda muajit

 

Zbritja e 48 mijë lekëshit nga baza e tatueshme e të ardhurave vjetore të prindërve sipas ekspertëve krijoi shumë konfuzion tek qytetarët, të cilët kanë pritur se do të marrin 48 mijë lekë (480 euro) kompensim për fëmijë.

“Prindërit nuk do të marrin 480 mijë lekë për fëmijë. Pra t'i paguan shtetit taksa për shpenzimet e mbajtjes së fëmijës, por shteti të ndihmon mbrapsht me një pjesë që ta kthen. Duhet ta kuptojnë qytetarët shumë drejt nuk është 480.000 lekë të vjetra në vit që do të marrin në xhep, por vetëm 13% të kësaj vlere, ose 6420 lekë për fëmijë”, thotë Çoçoli.

Ndërsa ekspertja e ekonomisë Romina Radonshiqi thekson për të gjithë qytetarët që duhet të kenë faturat e shpenzimeve për shkollën e fëmijëve, që të përfitojnë kompensim.

“Kemi pothuajse një vit që ju themi qytetarëve për shpenzimet arsimore të fëmijëve të tyre duhet të lidhen me kopshtin apo me çerdhen private apo ndoshta me shkollën private dhe të kërkojnë faturën e fiskalizuar jo një kupon tatimor. Nga këto institucione problemi më i madh në fakt se jo të gjithë qendrat e kursit mund të jenë të licencuara patjetër por jo të gjithë lëshojnë fatura të fiskalizuara duke dashur dhe ato të bëjnë evazion fiskal”, thekson Radonshiqi.

Ndërkohë nga përfitimi i kompensimit për fëmijë si për kujdes dhe për arsim, përjashtohen të gjithë ata prindër që gjatë vitit të kaluar kanë pasur pagë minimale prej 40 mijë lekësh, pasi ata nuk kanë paguar tatim, dhe pasi dorëzojnë DIVA, nuk dalin me tatim të mbipaguar.

“Çështja e DIVA-s është zbritje nga baza e tatueshme. Çka do të thotë që ai që paguan tatimin do të ketë një lloj zbritje dhe në këtë logjikë është normale. Patjetër që do të ishte mirë që këto që kanë pagë minimale të shikohej me prioritet, pasi niveli i pagës që ato kanë i kanë të pamjaftueshëm të ardhurat për të rritur një fëmijë apo për shpenzime arsimore”, thotë Radonshiqi.

Kurse eksperti Fatos Çoçoli thotë se edhe ata me paga minimale duhet të përfitojnë diçka, dhe propozon që ky ndryshim të bëhet për vitin e ardhshëm.

“Gjykoj se duhet me se s'bën të përfshihen këta 307.000 qytetarë që sot figurojnë me pagë minimale pavarësisht”, thotë Çoçoli.

Ekspertët apelojnë për kujdes nga të gjithë qytetarët që gjatë vitit 2025 kanë qenë të dypunësuar qoftë edhe për një muaj, apo për ata individë që kanë ndërruar vendin e punës brenda muajit. Kushdo që del në dy listpagesa brenda të njëjtit muaj ka detyrimin të dorëzojë DIVA-n.

Ka edhe qytetarë që janë të punësuar në shtet, por që kalojnë ka një punësim në një tjetër dhe ata mund të kujtojnë që nuk janë subjekt i DIVA-s, sepse nuk mund të konsiderohen të dy punësuar. Jo me rregull në rast ti figuron në dy listë pagesa dhe ti je subjekt i DIVA-s”, thotë Çoçoli.

Kurse pedagogia Radonshiqi është kundër tatimit shtesë për ata qytetarë që bëjnë më shumë se dy punë, dhe që automatikisht janë subjekte të DIVA-s.

“Tregu i punës në Shqipëri ka nevojë për punonjës dhe ne e dimë shumë mirë se ne kemi marrë dhe punonjës nga bota e tretë. Nga ana tjetër kemi kosto të lartë jetese dhe me nivelin e pagave që ne kemi patjetër që një individ për të dashur të bëjë një jetë ndoshta mesatare do duhet të punojë dy punë. Por do të ishte mirë që në rastin e Shqipërisë për disa vite për sa kohë që tregu i punës të rregullojë edhe vetë kostot e jetesës së një individi le të themi të jenë edhe paga të jenë në nivelet e dua, unë mendoj që duhet rishikuar çështja e dypunësimit”, thotë Radonshiqi.

Detyrimin për të dorëzuar deklaratën e të ardhurave e kanë edhe të gjithë ata qytetarë që fitojnë para nga platformat online, si booking, airBnb, apo rrjetet sociale.