Zbritja e 48 mijë lekëshit nga baza e tatueshme e të ardhurave vjetore të prindërve sipas ekspertëve krijoi shumë konfuzion tek qytetarët, të cilët kanë pritur se do të marrin 48 mijë lekë (480 euro) kompensim për fëmijë.

“Prindërit nuk do të marrin 480 mijë lekë për fëmijë. Pra t'i paguan shtetit taksa për shpenzimet e mbajtjes së fëmijës, por shteti të ndihmon mbrapsht me një pjesë që ta kthen. Duhet ta kuptojnë qytetarët shumë drejt nuk është 480.000 lekë të vjetra në vit që do të marrin në xhep, por vetëm 13% të kësaj vlere, ose 6420 lekë për fëmijë”, thotë Çoçoli.

Ndërsa ekspertja e ekonomisë Romina Radonshiqi thekson për të gjithë qytetarët që duhet të kenë faturat e shpenzimeve për shkollën e fëmijëve, që të përfitojnë kompensim.

“Kemi pothuajse një vit që ju themi qytetarëve për shpenzimet arsimore të fëmijëve të tyre duhet të lidhen me kopshtin apo me çerdhen private apo ndoshta me shkollën private dhe të kërkojnë faturën e fiskalizuar jo një kupon tatimor. Nga këto institucione problemi më i madh në fakt se jo të gjithë qendrat e kursit mund të jenë të licencuara patjetër por jo të gjithë lëshojnë fatura të fiskalizuara duke dashur dhe ato të bëjnë evazion fiskal”, thekson Radonshiqi.

Ndërkohë nga përfitimi i kompensimit për fëmijë si për kujdes dhe për arsim, përjashtohen të gjithë ata prindër që gjatë vitit të kaluar kanë pasur pagë minimale prej 40 mijë lekësh, pasi ata nuk kanë paguar tatim, dhe pasi dorëzojnë DIVA, nuk dalin me tatim të mbipaguar.

“Çështja e DIVA-s është zbritje nga baza e tatueshme. Çka do të thotë që ai që paguan tatimin do të ketë një lloj zbritje dhe në këtë logjikë është normale. Patjetër që do të ishte mirë që këto që kanë pagë minimale të shikohej me prioritet, pasi niveli i pagës që ato kanë i kanë të pamjaftueshëm të ardhurat për të rritur një fëmijë apo për shpenzime arsimore”, thotë Radonshiqi.

Kurse eksperti Fatos Çoçoli thotë se edhe ata me paga minimale duhet të përfitojnë diçka, dhe propozon që ky ndryshim të bëhet për vitin e ardhshëm.

“Gjykoj se duhet me se s'bën të përfshihen këta 307.000 qytetarë që sot figurojnë me pagë minimale pavarësisht”, thotë Çoçoli.

Ekspertët apelojnë për kujdes nga të gjithë qytetarët që gjatë vitit 2025 kanë qenë të dypunësuar qoftë edhe për një muaj, apo për ata individë që kanë ndërruar vendin e punës brenda muajit. Kushdo që del në dy listpagesa brenda të njëjtit muaj ka detyrimin të dorëzojë DIVA-n.

Ka edhe qytetarë që janë të punësuar në shtet, por që kalojnë ka një punësim në një tjetër dhe ata mund të kujtojnë që nuk janë subjekt i DIVA-s, sepse nuk mund të konsiderohen të dy punësuar. Jo me rregull në rast ti figuron në dy listë pagesa dhe ti je subjekt i DIVA-s”, thotë Çoçoli.

Kurse pedagogia Radonshiqi është kundër tatimit shtesë për ata qytetarë që bëjnë më shumë se dy punë, dhe që automatikisht janë subjekte të DIVA-s.

“Tregu i punës në Shqipëri ka nevojë për punonjës dhe ne e dimë shumë mirë se ne kemi marrë dhe punonjës nga bota e tretë. Nga ana tjetër kemi kosto të lartë jetese dhe me nivelin e pagave që ne kemi patjetër që një individ për të dashur të bëjë një jetë ndoshta mesatare do duhet të punojë dy punë. Por do të ishte mirë që në rastin e Shqipërisë për disa vite për sa kohë që tregu i punës të rregullojë edhe vetë kostot e jetesës së një individi le të themi të jenë edhe paga të jenë në nivelet e dua, unë mendoj që duhet rishikuar çështja e dypunësimit”, thotë Radonshiqi.

Detyrimin për të dorëzuar deklaratën e të ardhurave e kanë edhe të gjithë ata qytetarë që fitojnë para nga platformat online, si booking, airBnb, apo rrjetet sociale.


Lajmi kryesor:

Nis dorëzimi i DIVA 2025/ Prindërit me paga të ulëta do marrin 6.240 lekë për fëmijë kompensim, ata që paguhen mbi 200 mijë lekë marrin 11 mijë lekë për fëmijë