E ndajnë pak orë para natës së madhe, 10-vjeçaren Aislin Shyti...
Pjesë e Korit të Zërave të Bardhë të Operas që në themelim të tij, po bën provat e fundit për debutimin si soliste në oratorion “Elias” të Feliz Mandelssohn që jetësohet këtë mbrëmje në Teatër... Luan fëmijën Knaben.
“Eliasi (Artur Vera), babai dhe unë jam fëmija që i jap kurajë”, tregon këngëtarja e Korit të Zërave të Bardhë në Teatrin Kombëtar të Operës e Baletit.
Të qenit në një skenë me solistët, korin, Orkestrën e Teatrit e artistët e konservatorit ‘Umberto Giordano’ të Foggia-s, për këtë kryevepër thotë se e i fal emocione të veçanta…
“Jam shumë e lumtur që jam pjesë e shfaqjes. Talentin tim fillimisht e pikasi zysh Marina Kurti. Më tej mora pjesë në audicion ku dhe u pranova për të qenë pjesë e Korit të Zërave të Bardhë. Artistët e rritur, edhe në këtë shfaqje, sillen të gjithë mirë. Më pëlqen shumë Vikena Kamenica (mezzo-soprano), është shumë e dashur”, tregon më tej.
Baritoni Artur Vera, në rolin e ‘Elias’, i ka ardhur në ndihmë me rolin, duke i shpjeguar përpjekjen e përsonazhit për të rikthyer besimin në Perëndinë e Izraelit…
“Për të kuptuar dramën e historisë, më ka ndihmuar Eliasi, por edhe mami me përkthimin, krahas artistëve të tjerë”, shton vogëlushja.
Me drejtimin e dirigjentit Dritan Lumshi, Aisli e fëmijët e tjerë të Korit kanë mbajtur disa shfaqje në Teatër... kanë përcjellë mesazhe përmes muzikës klasike, por edhe urime, si gjatë Krishtlindjeve...
“ I jemi shumë mirënjohës zysh Sonila Baboçit dhe profesor Tanit, për koncertet që kemi bërë. Kemi dalë shumë mirë në to dhe na kanë gëzuar shumë”, shton më tej ajo.
I pëlqen kërcimi, e angazhohet në aktivitete të ndryshme. krahas të kënduarit merr mësime dhe për piano prej moshës 7-vjeçare. Nën drejtimin e pianistes Etrita Ibrahimi ka fituar edhe konkurse ndërkombëtare si “EPTA”.
“Mora pjesë tek EPTA ku fitova çmim të parë me 97 pikë, nga 100 në total”, tregon këngëtarja.
Por vogëlushja, jo vetëm për festa e shfaqje, as në ditët të zakonta nuk i kursen as dedikimet për shoqërinë e të afërmit. Rrëfen se gjyshja i ka mësuar edhe shumë serenata, e në çdo vizitë në Korçë, sa herë i jepet rasti u bashkohet grupeve dhe improvizon me këngëtarët e rritur... Për Aisli Shytin, zë vend shprehja ‘artiste e lindur’. Ka nisur të këndojë me të mësuar fjalët e para... Në moshën 5-vjeçare, do të shihte për herë të parë një opera, të cilën ka dëshirë që ta frekuentojnë edhe fëmijët e tjerë...
“Është shumë bukur sepse mësojnë dhe dëgjojnë këtë muzikë hyjnore!”, thotë ajo.
Kjo po,ja vlen të promovohet,i lumtë familjes për përkujdesien ndaj kësaj fëmine.
Përgjigju