TIRANË- Vajza 10-vjeçare e cila një ditë më parë u pickua nga gjarpri në ambientet e një shkolle private në periferi të Tiranës, është ende nën kujdesin e mjekëve, por jashtë rrezikut për jetën.
Rreth orës 12:35 të së mërkurës, 15 maj, vajza ndodhej duke luajtur në ambientet e pasme të shkollës “World Akademi of Tirana” në Lundër, kur është pickuar nga gjarpri. E vogla u dërgua menjëherë në spital ku raportohet të jetë në reanimacionin e pediatrisë të QSUT-së.
Një ditë më pas, 16 maj, policia vuri në hetim në gjendje të lirë dhe referoi çështjen në prokurorinë e Tiranës, për administratorin e një firme të dezinsektimit të ambienteve. Sipas bluve të kryeqytetit, 40-vjeçari, sipas kontratës së nënshkruar, dyshohet se nuk ka marrë masa për dezinfektimin e shkollës.
"U referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të përgjithshëm Tiranë, dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin E. H., 40 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një firme që merret me dezinfektimin e ambienteve. Ky shtetas, sipas kontratës së nënshkruar me një shkollë private në Lundër, dyshohet se nuk ka marrë masa për dezinfektimin e shkollës, dhe si pasojë një nxënëse, është pickuar nga një gjarpër", njofton policia.
Pasditen e ngjarjes Report Tv konstatoi se në rrethimin e shkollës ishte hedhur pluhur squfuri për të mbajt larg zvarranikët, që me sa duket janë shfaqur dhe herë të tjera.
Vetem vjedhje dhe korrupsjon!
Përgjigju